Holandë: Diskriminohet policja me mbulesë

UTRECHT – Vendimi për të mos lejuar policen muslimane në Holandë, Sarah Izat, që të mbajë mbulesë gjatë punës është “diskriminim”, thuhet në deklaratën me shkrim të Komisionit për të Drejtat e Njeriut në këtë vend, transmeton Anadolu Agency.

Në deklaratë thuhet se është “diskriminim” moslejimi i polices Izat që të punojë me mbulesë në Departamentin e ankesave të zyrës së policisë.

Komisioni thekson se arsyetimi për të mos lejuar mbajtjen e mbulesës, e cila simbolizon fenë, nga policja, në këtë rast nuk është e vlefshme, meqë në Departamentin ku ajo punon ankesat merren nëpërmjet telefonit. Sipas komisionit në fjalë ajo mund të punojë me uniformë me mbulesë.

Izat pas vendimit, nëpërmjet rrjeteve sociale shkroi se “Ne fituam. Unë kam të drejtën e mbajtjes së mbulesës me uniformë. Kjo nënkupton shumë gjëra dhe kjo është fitorja e të gjithë neve. Është fitorja e të gjithëve që ballafaqohen me të njëjtin problem si unë”.

Ajo këtë çështje e ka dërguar në Komisionin për të Drejtat e Njeriut të Holandës me arsyetim se moslejimi i mbajtjes së mbulesës me uniformë gjatë punës është në kundërshtim me të drejtat fetare dhe se kjo paraqet diskriminim.

Në Holandë është e ndaluar mbajtja e veshjeve të cilat e simbolizojnë fenë me qëllim që policët të kenë dukje të paanshme.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne