Holandë: Shtohet islamofobia dhe sulmet kundër muslimanëve dhe xhamive

Një grup akademikësh në Holandë ka përgatitur dhe botuar një libër që vë në dukje ndjenjat e shtuara anti-muslimane në vend, të cilat kanë shkaktuar sulme të ndryshme ndaj myslimanëve dhe pronave të tyre, si dhe kanë nxitur kufizime ligjore për mënyrat e jetesës së bashkësive islame.

Libri “Xhamitë nën shenjester” u pregatit nga një ekip prej 12 personash. Stafi i përbërë nga akademikë, hulumtues dhe juristë myslimanë dhe jomuslimanë u nxit dhe u koordinua me Fondacionin Diyanet të Holandës. Projekti synon që të ulë tendencat në rritje anti-muslimane dhe të tërheqë vëmendjen e publikut dhe politikanëve ndaj këtij fenomeni.

Drejtuesja e projektit Ineke van der Valk, një studiuese në Universitetin Leiden dhe autore e librit “Islamophobia dhe diskriminimi” i publikuar në vitin 2012, tha për Anadolu Agency se muslimanët në Holandë gjenden në një presion në rritje.

“Ekziston një frikë në rritje në mesin e popullatës muslimane për shkak të këtyre veprimeve, të cilat janë kryer 25 herë vetëm brenda një viti”, tha ajo.

Duke theksuar se në projekt janë elaboruar aspekte të ndryshme të sulmeve anti-islame ndaj xhamive, Van der Valk tha se hulumtimi i detajuar mbi proceset ligjore pas këtyre sulmeve është një nga temat më të rëndësishme në këtë libër.

“Njëzet e shtatë procedura juridike janë nisur në vitet e fundit mbi sulmet ndaj xhamive. Pavarësisht se numri i sulmeve [në këtë periudhë] ka qenë dy herë më i lartë, gjatë kësaj kohe një numër shumë i vogël njerëzish janë shpallur fajtorë për diskriminim. Sipas ligjeve, nëse sulmi nxitet nga motivet diskriminuese, individët duhet të marrin dënime më të ashpra. Megjithatë, ky dekret nuk është zbatuar në shumicën e rasteve,” tha ajo.

Shtëpitë islame për adhurim i kanë rezistuar dhjetëra sulmeve në vitet e fundit në Holandë. Sulmet variojnë nga njëri tjetri; ndërsa në disa raste sulmuesit përpiqen të kryejnë zjarrvënie të qëllimshme me kokteje molotovi ose me eksplozivë të tjerë, në sulme të tjera vizatohen me sprai nëpër muret e xhamive simbole terrori ose me përmbajtje racizmi.

Të frikësuar nga sulmet e dhunshme ndaj xhamive dhe institucioneve të drejtuara nga komuniteti musliman që vijnë kryesisht nga ekstremi i djathtë dhe pjesëtarët e organizatës terroriste PKK, muslimanët kanë kërkuar masa më të mira sigurie nga qeveria.

Van der Valk theksoi se politikanët holandezë shpesh dështojnë të shfaqin reagime të forta apo të ndërmarrin veprime kundër sulmeve ndaj xhamive, dhe shton se retorika e të djathtës ekstreme në prag të zgjedhjeve të Parlamentit Evropian është shqetësuese.

“Për fat të keq, në Holandë ekziston Partia Anti-Muslimane e Lirisë (PVV), e cila dëshiron që të mbyllë xhamitë. Qeveria holandeze dhe politikanët të cilët mendojnë ndryshe duhet të jenë më të qartë dhe më vendimtarë ndaj akteve anti-islame,” thotë ajo.

Duke u renditur e dyta në zgjedhjet e përgjithshme holandeze të vitit 2017 dhe duke u bërë partia më e madhe e opozitës në shtëpinë e ulët të parlamentit holandez, PVV kryesohet nga një nga figurat më të ashpra anti-islame të Europës, Geert Wilders, i cili ka qenë pionier i shumë projektligjeve për kufizimin e të drejtave të muslimanëve në vend.

Gjatë fushatës së tij zgjedhore të vitit 2017, Wilders u zotua të mbyllë xhamitë, të ndalojë shitjet e Kur’anit dhe të ndalojë emigracionin e refugjatëve myslimanë. Më herët këtë vit, ai gjithashtu paraqiti një projektligj në parlamentin hollandez për ti hequr qytetarëve me shtetësi të dyfishtë të drejtën për të votuar dhe për t’u kandiduar në zgjedhje.

Krimet e urrejtjes kundër muslimanëve dhe xhamive kanë qenë në rritje në të gjithë Evropën gjatë viteve të fundit. Ato janë nxitur pjesërisht nga suksesi në politikë i grupeve anti-imigrante dhe anti-muslimane./dailysabah/Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne