Hoxhallarët duhet të ligjërojnë edhe në shkolla publike jo vetëm në burgje

Shkruan: Msc. Fehmi Haxhiu

Rreth 150 persona të kthyer nga zonat e luftës në Siri e Irak, po vuajnë dënimet në burgjet e Kosovës. Të njëjtit, nga institucionet e Kosovës, vazhdojnë të konsiderohen si rrezik potencial andaj edhe po punohet për deradikalizimin e tyre, e që janë të përfshira disa institucione shtetërore, duke nis nga Bashkësia Islame e Kosovës, shoqëria civile, OJQ të specializuara për këto raste dhe akterë të tjera të legjitimuar nga organet shtetërore. E gjithë gjithpërfshirje ka ardhur si rezultat i kërkesës së Ministrit të Drejtësisë, Abelard Tahiri, i cili ka potencuar se ekziston rreziku për radikalizëm në burgjet e Kosovës. Andaj, mënyra më e mirë për parandalimin e kësaj dukurie është përmes ligjëratave të imamëve që do të organizohen nëpër qendrat korrektuese. Kjo logjikë e parandalimit të radikalizmit ku rolin e rëndësishëm e kanë imamët deri vonë e ka injoruar pushteti. Ndërsa tani një sektor i pushtetit ka filluar ta respektoj rolin që kanë imamët në këtë aspekt.

Në kuadër të kësaj nisme dhe këtij vlerësimi për rolin e imamit në parandalimin e radikalizmit kishte me qenë mirë edhe Ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi, të reflektoj dhe të hartoj një plan program lidhur me zhvillimin e lëndëve fetare nëpër shkollat publike. Shkollat janë djepi i dijës, institucioni i edukimit dhe i arsimimit të brezave.

Fatkeqësisht shkolla jonë përkundër qëllimit fisnik që ka ballafaqohet edhe me shumë fenomene negative si: bartja e armëve të ftohta, thika, boksa plumbi, alkooli, prostitucioni, pijet narkomanie, duhani etj, që sillen nëpër shkollat e vendit tone. Të gjitha këto jo vetëm që i zbehin imazhin këtyre institucioneve, por në një aspekt nxënësit-ata që janë të zellshëm e të mirë-krijojnë fobi nga ata nxënës që në takimin e parë me ta nuk të duken se mundë t’i përkasin mësimit a dijes. Kurse në anën tjetër të shumtë janë ata prindër që i druhen më të keqes për fëmijët e tyre, se mos vallë po i ndodhë e pa pritura.

Sipas rezultateve të dala nga publikimi “Statistikat e Arsimit 2015/2016”, del se numri i nxënësve në arsimin fillor dhe të mesëm të ulët ishte 263 779, prej tyre në sektorin publik ishin 261 136 ose 99%, ndërsa në sektorin privat 2 643 ose 1%. Numri i nxënësve në arsimin e mesëm të lartë ishte 87 847, prej tyre në sektorin publik 85 377 ose 97.2%, ndërsa në sektorin privat ishin 2 470 nxënës ose 2.8%. Duke parë numrin e madh të nxënësve dhe rrezikun që nxënësit tanë bëhen pjesë me dashje ose pa dashje e këtyre dukurive negative, duhet një plan praktik për t’i zgjidhur këto problematika, ku zgjidhja me e mirë do të ishte mësim-besimi nëpër shkolla. E cila madje është e drejtë e çdo fëmije të mësoj për fenë që i takon, e drejtë e garantuar edha nga konventat ndërkombëtare e vitit 1948 nga Asambleja e përgjithshme e Kombeve të Bashkuara.
Ligjëratat rreth fesë nga teolog të kualifikuar, do të trajtonin tema të përshtatshme për nivelin tyre dhe gradualisht duke futur vlera të mirëfillta fetare. Besimi mbjell vëllazërim ndërmjet besimtarëve. Këtë e vërteton Kurani famë lartë: “S’ka dyshim se besimtarët janë vëllezër.” Kuran 40: 10. Liria e besimit është vlerë universale dhe e respektit për secilin besim, si nevojë për të kuptuar dhe dashur më mirë njëri-tjetrin. Si çdo vend tjetër të zhvilluar, sidomos duke u bazuar në vendet e perëndimit edhe Kosova duhet ti respektojë programet e tilla që kanë të bëjnë me forcimin e të drejtave të njeriut dhe zhdukjen e paragjykimeve, duke futur edhe lëndën fetare në shkolla, si edukim i brezit të ri, që përfshinë edukimin global të një shoqërie.

Qëllimi i përgjithshëm i këtij mësimi është që t’i edukoj të rinjtë, në mënyrë që ata të bëhen anëtarë të vlefshëm të shoqërisë dhe t’i shtyjë ata që të veprojnë përmes një pjesëmarrje aktive në jetën e përbashkët në harmoni e mos të bien preh e grupeve naive dhe te përfundojnë në burgjet e botës.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne