Hoxhë Shefqet Krasniqi: Nuk pendohem për ligjëratat që Prokuroria i konsideron nxitëse të terrorizmit

Shefqet Krasniqi tha se nuk ishte pishman për asgjë çfarë ka thënë në asnjë ligjëratë të tij. Ai në gjykatë ka mohuar t’i ketë njohur Ilir Mustafën, Venera Ademin dhe Blerim Heten, tre shqiptarët për të cilët familjaret e tyre dhe Prokuroria Speciale pretendojnë se u frymëzuan nga ish-imami i Xhamisë së Madhe për t’iu bashkangjitur luftërave në Siri e Irak.

Me “bismilah”, i veshur me kostum hoxhe, e ka nisur dëshminë e tij në gjykatë Shefqet Kransiqi. Hoxha, doktor i shkencave të Drejtësisë Islame, i akuzuar për nxitje të terrorizimit në Kosovë, gjatë marrjes në pyetje nga mbrojtja e tij, ka mohor njohjen me tre të rinjtë (Ilir Mustafa, Venera Ademi dhe Blerim Heta), familjet e të cilëve e kanë akuzuar atë se i ka bindur fëmijët e tyre që t’i bashkohen Al Nussra’s e ISIS’it.

“As si kam njohur, e as nuk i njoh. Bile as qe di hala mire se për kë bëhet llaf. Se s’jam interesuar hiç”, është munduar të bindë trupin gjykues i akuzuari.

Por, këto akuza ndaj imamit që tha se punën në Xhaminë e Madhe të kryeqytetit e nisi në vitin 2002, në gjykatë nuk erdhën t’i dëshmojnë nënat e Venera Ademit dhe Blerim Hetës.

Minire Heta, nëna e të riut nga Ferizaj që vrau mbi 50 persona, përfshirë edhe veten, në një sulm kamikaz në Irak, ia ka arsyetuar gjykatës mungesën e saj me vendndodhjen e saj momentale në Gjermani, ku ka njoftuar se ndodhet nën përkujdesjen mjekësore.

Ndërkaq, Nasere Ademi, nëna e prishtinases Venera Ademi, një ish-pianiste dhe këngëtare e re që braktisi ëndrrën e saj për muzikë për të shkuar në Siri, sikurse as në seancën e kaluar nuk është mundur të sillet as me detyrim në gjykatë. Kjo, pasi që trupi gjykues njoftoi se familjarët kanë bërë të ditur se as ajo nuk ndodhet momentalisht në Kosovë.

Ndaj, prokurori special Elez Blakaj ka kërkuar nga Gjykata Themelore e Prishtinës që të përdoren si dëshmi të tyre deklaratat e incizuara me zë që të dy dëshmitarët kanë dhënë në prokurori gjatë fazës së hetimeve. Kërkesa është aprovuar nga trupi gjykues, dhe as mbrojtja nuk e ka kundërshtuar.

Në anën tjetër, Shefqet Krasniqi Gjykatës i tha se nuk pendohet për asnjë nga ligjëratat dhe shkrimet që i ka bërë nga viti 2002 deri më 2014, kur u arrestua, pasi ato u konsideruan si nxitëse të urrejtjes dhe terrorizmit.

“A i bie pishman? Këtë pyetje prokurori ma ka bërë edhe me pare. I kam thënë edhe atëherë edhe tash, dhe e them me përgjegjësi të plote krejt çka kam ligjëruar, të gjitha ligjëratat librat e mija, shkrimet e mia, asnjëherë nuk i bie pishman në vija të trasha për atë çka kam thënë, shkruar e deklaruar”, ka thënë Krasniqi në gjykatë.

“Kam folur i frymëzuar nga drita qiellore, nga Kurani e syneti, ndaj nuk kam pse te pendohem”, tha ai.

Por, më herët në të njëjtën seancë janë lexuar nga kryetari i turpit gjykues Beqir Kalludra tri shkresa në të cilat Bashkësia Islame e Kosovës i ishte përgjigjur kërkesës së Prokurorisë Speciale në vitin 2016 që të komentojë ligjëratat e imamit nga Prishtina.

Në dy të parat, njëra prej të cilave nuk është e nënshkruar edhe pse e protokolluar nga BIK’u, thuhet se ligjëratat e Shefqet Krasniqit nuk janë në frymën e Islamit, dhe se gjuha e vrazhdë e përdorur nga ai nuk përkon me kushtetutën e BIK’ut dhe parimet e një imami. Në letrën e tretë, të cilën e kanë nënshkruar myftiu Naim Tërnava dhe sekretari i BIK’ut Ahmet Sadria, doli se BIK’u ka ndërruar qëndrim karshi ligjërimeve të imamit të akuzuar për terrorizëm dhe shpëlarje parash.

Në gjykatë, të mërkurën pasdite janë parë e dëgjuar edhe dy incizime të Krasniqit. Në njërën prej tyre Prokuroi Special pretendon se imami nxiti urrejtje ndaj sektit “Rafedi”, përkrahësve të drejtuesve shtetërorë të Iranit.

“Lëçitni ata njerëz. Haram është me shku në shoqatë të tyre”, dëgjohet në audio-incizim duke thënë Shefqet Kransiqi.

Ndërsa, në video incizimin e dytë, Krasniqi, edhe pse thotë se ka qenë nder të parët që ka kundërshtuar bashkimin e kosovarëve në luftimet në Siri e Irak, kundërshton ashpër ligjin e votuar në Kuvend që kriminalizon bashkimin në luftërat e huaja.

“Nëse keni qene te paret qe keni thënë mos me shku ne Siri, pse e keni kundërshtuar ligjin qe ndalon bashkimin ne luftëra te huaja?”, e ka pyetur prokurori Elez Blakaj të akuzuarin Kransiqi.

“Pikë se pari konsideroj bindshëm, se unë dhe çdo qytetar i Kosovës kemi të drejtë me u pajtu apo mos me u pajtu me ndonjë nen apo ligj qe e aprovon kuvendi. Dhe nuk ka te drejtë askush te ma mohojë këtë. Këtij qëndrimi tim i paraprijnë hiq me pak se 30 deputetë të cilët e kane kundërshtuar këtë ligji”, u përgjigj i nervozuar Krasniqi, sikurse me të njëjtin tonë dha përgjigje në pothuajse të gjitha pyetjet e prokurorit special.

Krasniqi gjatë dëshmisë së tij ka thënë se në facebook janë të hapura dhjetëra profile në emër të tij, por që nuk i ka menaxhuar asnjëherë imami prishtinas. Sipas tij, edhe hetuesit kanë marrë publikime nga profilet e rrejshme të hapura në emër të tij.

“Jam në dijeni se në emrin tim janë hapur dhjetëra profile të Facebook’ut të cilat propagandojnë sipas tekeve të tyre, herë më të mirë e herë në dëm timin”, tha ai i qetë, pasi pyetja i ishte bërë nga avokati i tij Sevdali Zejnullahu.

“Facebook im është “Të Përfitojmë nga Hoxha i nderuar dr. Shefqet Krasniqi”, ka treguari imami.

Gjatë dëshmisë Krasniqi ka mohor edhe se ka drejtuar biznesin “Portat” për të cilën prokuroria në piken e tretë të aktakuzës e akuzon për “Shmangie nga tatimi”, pasi i njëjti dyshohet se nuk ka paguar mbi 20 mijë euro obligime tatimore për të.  Ai tha se biznesi është drejtuar nga një person tjetër, të cilin e kishte autorizuar, dhe sipas imamit vetë ai nuk është marrë asnjëherë më të.

Ndryshe, Prokuroria Speciale e Kosovës, në aktakuzën e ngritur ndaj Shefqet Krasniqit, në shkurt të vitit 2017, pretendon se imami kontrovers gjatë vitit 2013 dhe 2014, në vazhdimësi dhe me dashje ka shpërndarë mesazhe për publikun, me anë të të cilave ka shtyrë të tjerët t’u bashkohen organizatave terroriste në zonat e konfliktit në Azi, e që më pas kanë kryer akte terroriste.

“I njëjti duke shfrytëzuar paraqitjet e tij të drejtpërdrejta para publikut me anë të ligjëratave të ndryshme, si dhe duke shfrytëzuar rrjetet sociale dhe mjetet tjera të informimit, si TV dhe radio, përmes gjuhës së vrazhdë dhe interpretimit të ajeteve kuranore jashtë kontekstit kohor dhe frymës parimore islame […] ka ndikuar te të tjerët që të marrin rrugën dhe t’u bashkohen organizatave terroriste ISIS dhe Al Nusra, të cilat luftojnë kundër pushtetit sirian dhe për krijimin e Shtetit Islamik në Irak dhe Siri, siç është rasti i Venera Ademit, Ilir Mustafes apo rasti i Blerim Hetës – e nga veprimet e këtij të fundit, përmes një akti terrorist vetëvrasës, më datë 25.03.2014 ishin vrarë 52 persona në Irak”, thuhet në pikën e parë të aktakuzës ndaj Shefqet Krasniqit, i akuzuar për “Shtytje për kryerjen e veprave terroriste”.

Krasniqi akuzohet se gjatë së njëjtës periudhë kohore, gjatë të njëjtave ligjërime të tij, ka kryer edhe veprën penale “Nxitja e urrejtjes, përçarjes ose mosdurimit kombëtar, racor, fetar apo etnik”, ndërmjet komuniteteve të cilat jetojnë në Kosovë.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne