A i ka parë ambasadori Lu, syzet e Saimir Tahirit

Audi’ luksoz i tipit A8, me targa AA 003 GB, ishte mjeti që faktoi lidhjet e ngushta të Saimir Tahirit, ministër i Brendshëm i qeverisë “Rama I”, me grupin mafioz të trafikut të drogës të drejtuar nga Habilajt, kushërinj të tij.

Kjo makinë e blerë 21 mijë euro nga Saimir Tahiri kur ishte në opozitë është përdorur për 2 vjet me radhë nga Artan Habilaj e Moisi Habilaj pasi Tahiri u emërua ministër i Brendshëm.

Gjatë gjithë kohës, ajo ka figuruar në emër të Ministrit të Brendshëm të Republikës së Shqipërisë, edhe pse në timon kanë qenë njëri pas tjetrit anëtarët e një grupi të strukturuar kriminal, që kanë trafikuar tonelata drogë nga Shqipëria në Itali, prej vitit 2013 deri në 2017 kur u goditën nga antimafia e Katanias në Itali.

Antimafia e Katanias dyshon se me këtë makinë janë transportuar drogë e para mes Shqipërisë dhe Italisë.

Saimir Tahiri nuk ka përgjigje tjetër veçse të mohojë çdo lidhje me Habilajt t’u bjerë hasha kushërinjve që u lanë për 4 vjet të patrazuar duke trafikuar kanabis me çdo mjet të mundshëm transporti dhe duke e mbikqyrur transportin nga Audi luksoz i Ministrit të Brendshëm.

Por Audi nuk është i vetmi luks i ish -Ministrit.

Ai është parë së fundi të mbajë syze tepër të kushtueshme për xhepin e një zyrtari që jeton me pagën shtetërore.

Politikani 38 -vjeçar mban një palë syze të markës luksoze Maybach. Janë të punuara me dorë, Maybach Manifactur. Kushtojnë 10.500 USD, sipas faqes zyrtare të internetit të Maybach.

Gazetarë të kronikës, që kanë ndjekur zhvillimet në vend prej më shumë se 1 dekade, flasin për kostume të shtrenjta, që Ministri i ndërronte në çdo takim.

Pyetja që vjen vetiu është se si ka mundur një zyrtar të jetojë në një luks të tillë? Nga i vijnë të ardhurat? A i mjafton paga prej 140 mijë lekësh si ministër për të bërë këtë jetë luksoze një personi që ka për të mbajtur edhe familjen?

Ambasadori amerikan, Donald Lu, duke folur për nevojën e reformës në drejtësi dhe pastrimin e saj nga prokurorë e gjyqtarë të korruptuar, tha se të tillë individë mund t’i shihje fare kollaj nga orët e dorës që mbanin.

Image

Po syzet Maybach të ish -ministrit të Brendshëm a janë provë si orat Rolex të gjyqtarëve e prokurorëve që përfliten për korrupsion? A i ka parë ato ambasadori Lu?

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne