Papa Françesku ka thënë se Vatikani do të hapë plotësisht arkivat e fshehta nga koha e Luftës së Dytë Botërore, kur kishën katolike e drejtonte Papa Pius XII.

Hapja e arkivave është kërkuar nga hebrenjtë për dekada të tëra.

Disa përfaqësues të hebrenjve e kanë akuzuar Papa Pius, i cili ka qenë në krye të Kishës Katolike nga vitit 1939 deri 1958, se gjatë Luftës së Dytë Botërore, nuk e ka kundërshtuar me forcë Holokaustin.

Mbrojtësit e Papa Pius thonë se ai punoi në prapaskenë, duke shpëtuar ata që u persekutuan nga nazistët. Ata po ashtu thonë se Papa Pius hapi dyert e Kishës për strehimin e hebrenjve.

Arkivat do të hapen më 2 mars të vitit 2020, në 81 vjetorin e zgjedhjet së Pius XII si Papë, njoftoi Papa Françesku në një fjalim për anëtarët e Arkivave të Fshehta të Vatikanit.

Ai tha se “Kisha nuk ka frikë nga historia”, duke shtuar se trashëgimia e Pius ishte trajtuar me “disa paragjykime dhe ekzagjerime”.

Lajmi u mirëprit nga Komiteti amerikan-hebraik (AJC), një nga grupet kryesore të hebrenjve në botë.

“Për më shumë se 30 vjet komiteti ka bërë thirrje për hapjen e plotë të arkivave të fshehta të Selisë së Shenjtë nga periudha e Luftës së Dytë Botërore” tha Drejtori Ndërkombëtar i Çështjeve Ndërfetare të AJC-së, Rabini David Rosen.

Në vitet 1930, antisemitizmi i sponsorizuar nga shteti në Gjermaninë naziste, hapi rrugën për Holokaustin, në të cilin u vranë gjashtë milionë hebrenjë.

37