I shërbejnë mishin e derrit si hallall; muslimani kërkon 100 milionë dollarë dëmshpërblim

Një burrë nga Miçigani dhe njëkohësisht një musliman i devotshëm, ka ngritur një padi kundër zinxhirit të ushqimit të shpejtë, Little Caesars, duke pretenduar se i ishte shërbyer një pica që përmbante mish derri në vend të mishit hallall.

Mohamad Bazzi kërkon 100 milionë dollarë dëmshpërblim për keqinterpretim dhe mashtrim, sipas Detroit Free Press.

Sipas avokatit të Bazzit, Majed Moughni, Little Caesar Pizza në rrugën Schaefer, Dearborn ndodhet në një rreth që ka 99 për qind muslimanë.

Piceria ka një shenjë “Hallal” në dritare, por Moughni tha se ajo gjithashtu shërben për klientët nga Detroiti, dhe tha se ai ka dy teori:

“Një; ata janë të pakujdesshëm, shpërfillës për besimin fetar të njerëzve, dhe sa herë që janë të zënë e nuk mund të vazhdojnë me ngarkesën e punës u shërbejnë (klientëve) mish derri jo-hallall, duke u thënë atyre se është hallall”, tha Moughni për RT.

“Dy, ata kanë kontaminuar të gjithë linjën e prodhimit, duke e bërë atë jo hallall.”

Padia, e paraqitur në Gjykatën e Qarkut Wayne, thotë se incidenti i parë ka ndodhur më 20 mars. Bazzi kishte urdhëruar një picë të madhe hallall, dhe fatura shënonte hallall. Pas disa copave të kthyera në shtëpi, ai dhe gruaja e tij e kuptuan se po hanin mish derri. Gruaja e Bazzit ishte e konvertuar në Islam dhe e dinte se çfarë shije kishte derri.

“Paditësi dhe gruaja e tij patën të përziera në stomak, duke e ditur se ajo çfarë kishin konsumuar ishte mish derri”, deklaroi ankesa. “Paditësi nuk mund ta besonte se ishte mashtruar dhe pyeste veten se sa njerëz të tjerë mund të kenë ngrënë mish derri, që të pandehurit e shesin si hallall”.

Ngrënia e mishit të derrit është e ndaluar nga Islami.

Bazzi ngriti padi më 23 mars, duke e ditur se ishte një krim sipas ligjit vendor dhe atij shtetëror që të mashtroje konsumatorin dhe ta shisje mishin si hallall kur ai nuk është.

Më 24 maj, Bazzi u kthye në restorantin e picave dhe bëri një porosi tjetër, duke kërkuar specifikisht pica hallall. Ai thotë se ndodhi e njëjta gjë – një pica e etiketuar si hallall, por që përmbante mish derri.

Bazzi u kthye në dyqan dhe u konfrontua me menaxheren. Në një inçizim privat nga ai takim, menaxheja ndryshoi historinë e saj katër herë para se të pranonte se i dha Bazzit mish derri, sipas ankesës.

“Unë mendoj se ata atje kanë mish hallall, por është një vend shumë i zënë me (porosi) picash dhe kur ata mbyten me porosi thjesht sa e vënë picën në kutinë hallall dhe e shërbejnë,” tha Moughni. “Klienti im më shpjegoi se ishte një muslimane tjetër që priste për porosinë e saj dhe ata bënë të njëjtën gjë me të.”

Të ushqyerit hallall kërkon që mishi të përgatitet sipas udhëzimeve islame, siç është therja e kafshës me “Bismilah”.

Moughni tha se në mënyrë që piceria të pretendojë të jetë hallall, duhet të ketë furra të ndara, frigoriferë të ndarë dhe pajisje të tjera të ndara – përndryshe ajo është e kontaminuar (me mish jo-hallall).

“Ju nuk mund të reklamoheni si ‘hallall’ dhe të mos i përmbaheni rregullave, dhe rregullat thonë se nuk mund të keni produkte derri në picat tuaja, (pasi) ai bëhet jo-hallall”.

Little Caesars me seli në Miçigan nxorrën deklaratën e mëposhtme lidhur me padinë:

“Ne Little Caesars i çmojmë klientët tanë nga të gjitha fetë dhe kulturat, dhe komunitetet të cilave u shërbejmë janë shumë të rëndësishme për ne. Ndërsa ne nuk mund të komentojmë për proçedurat gjyqësore në pritje, ne e marrim këtë pretendim shumë seriozisht. Në këtë kohë, ne besojmë se është pa meritë.”

Padia pretendon shkelje të kontratës, keqinterpretim të pakujdesshëm, pasurim të padrejtë dhe mashtrim.

Kjo nuk është hera e parë që Moughni përfshihet në një rast të tillë.

Në vitin 2011, McDonald’s u padit për pretendimet se restoranti i ushqimit të shpejtë ishte duke shitur pule jo-hallall, për të cilën pretendonte se ishte hallall. Rasti u dënua me 700,000 dollarë.
McDonald’s hoqi pretendimin e ushqimeve hallall pas gjobës. / © Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne