Ibn Khalduni, gjeniu i shekullit të 14-të

I njohur si paraardhës i disiplinave moderne të sociologjisë dhe demografisë, Ibn Khalduni ishte një dijetar arab i cili ka lindur në epokën e pasur kulturore andaluziane, urtësia e të cilit është lënë në hije nga ndërhyrjet e orientalistëve dhe manipulimit në botën islame

Ka dy dallime të njohura në historinë e shkencave islame: “shkencat pozitive” dhe “shkencat tradicionale”. “Tefsiri”, “fikhu” dhe “hadithi” janë shkencat tradicionale, ndërsa matematika, astronomia, gjeografia dhe të ngjashmet me to janë konsideruar shkencat pozitive. Opinioni popullor tregon se ka pasur një devijim të madh në historinë e shkencave islame që ka shkaktuar dominim të shkencave pozitive nga shkencat tradicionale, gjë që rezultoi në atë që muslimanët thjesht përsërisnin mendimet e ngulitura në vend të krijimit të mendimit të ri. Ne e shohim dëshminë e parë të këtij trendi në shekullin e 17-të, por ai ka vazhduar edhe në shekullin e 20-të. Orientalistët ishin në gjendje të bindnin masat muslimane që asnjë evolucion intelektual nuk mund të arrihej pas Averrosit (Ibn Rusdit).

Megjithatë, kur është rishikuar historia e shkencave islame, është bërë e qartë se shkencat pozitive në të vërtetë kanë vazhduar, dhe se mendimi popullor për të kundërtën është i gabuar. Nëse shkencat pozitive do të ishin braktisur në shekullin e 11-të, atëherë si ishin në gjendje muslimanët të ruanin hegjemoninë e tyre gjatë kësaj periudhe 700-800 vjeçare? Orientalistët janë përpjekur të minimizojnë rolin e shkencës pozitive duke vendosur në krye grupet militante të muslimanëve, por kjo mund të shpjegojë se si “umeti” Islamik – i cili udhëhoqi Azinë dhe Afrikën plotësisht, si dhe Evropën në një masë të konsiderueshme – e arriti këtë pa përdorur shkencat pozitive. Është e vërtetë se shtetet janë pushtuar nëpërmjet luftës, por ata janë qeverisur nga dituria dhe shkenca.

Ibn Khalduni ishte një person i cili është fokusuar tërësisht në këtë temë. Ai pyeti veten: Si ekzistojnë dhe bien qytetërimet? Ibn Khalduni u përpoq të studionte këtë fenomen me një histori metodologjike, të cilën ai e quajti “Umran al-Alam” në veprën e tij të famshme “Muqaddimah”. Fanatizmi orientalist dëshiron që ne ta konsiderojmë atë si një yll të veçantë që punoi me urtësi të vetëshpallur, më tepër se sa një pasardhës të zanateve të shkencave pozitive dhe tradicionale – duke e portretizuar atë në vend të kësaj si një shenjë paralajmëruese për shkencat e stilit perëndimor. Ibn Khalduni është quajtur proto-Marks ose proto-Ueber, sikur ai të mos ishte pasardhës i mijëra historianëve, teologëve, glosatorëve, “muhadithëve” – transmetues të fjalëve të profetit Muhammed, poetë, gjuhëtarë dhe matematicienë, të cilët të gjithë kanë ekzistuar në historinë e shkencave islame. Eshtë e panevojshme të thuhet, por orientalistët kanë nxjerrë edhe një figurë të shtrembëruar dhe të paragjykuar të Ibn Khaldunit.

Ibn Khalduni është një nga njerëzit më të arrirë në historinë e shkencave islame. Puna e tij është vetë-shpjeguese. Ngjashëm me punën e tij, edhe personaliteti, metoda shkencore dhe biografia e tij janë gjithashtu shumë të qarta. Udhëzimet kryesore të jetës sonë dhe teoritë e Ibn Khaldunit janë përfshirë në veprat e tij: “Historia Iberiane”, e famshmja “Mukaddimah” – biografia e tij, libreza e tij në lidhje me sufizmin – “Şifaü-s” (“velat”), si dhe një gamë broshurash rreth logjikës, matematikës dhe poezisë. Këto vepra, edhe pse jo të shumta, janë studiuar për shekuj me radhë dhe kanë ndikuar në masë të madhe në mendimin osmano-turk.

Kur teologët moderno-orientalistë dhe shkencëtarët politikë analizojnë Ibn Khaldunin, ata shpesh i krahasojnë pikëpamjet e tij rreth shoqërisë dhe qytetërimit me ato të Aristotelit, Platoni, Farabit dhe Ibn Sinës. Këto sigurisht që janë subjekte të rëndësishme, por gati askush nuk e ka konsideruar Ibn Khaldunin për punën dhe qëllimin e tij – veçanërisht në analizën në Turqi. Kohët e fundit, është vërtetuar se Ibn Khalduni ka qenë i njohur në Turqi që nga shekujt 16 dhe 17, por askush nuk është përqendruar në veprat e tij në mënyrë të pavarur nga pikëpamja Orientaliste klasike.

Në realitet, Ibn Khalduni ishte bir i një qytetërimi të shpërbërë. Familja e tij ishte një familje e njohur Andaluziane e emigruar në Afrikën e Veriut, konkretisht në Tunizi, në fund të shekullit të 12-të. Ibn Khalduni e filloi historinë e tij nga një këndvështrim historiko-sociologjik. Shkrimet e Khaldunit për biografinë e tij, nëpërmjet tregimit të fatit historik të familjes së tij, ishin një shenjë e qartë se si ka punuar mendja e tij. Mund të thuhet se si Ibn Khalduni, çdo person përfiton nga fati i familjes së tij, prejardhja dhe komuniteti në të cilin jeton. Vendi ku kemi lindur, gjuha të cilën flasim, vendi ku jetojmë dhe ku jemi arsimuar, janë të gjitha produkte të kontekstit tonë arsimor dhe të historive të familjeve tona.

Informacioni më interesant biografik që Khalduni ka ndarë detajon shkollimin e tij unik: recitimin e Kuranit, kaligrafinë e Kuranit, hadithin, biografinë profetike, ligjin islamik Maliki, poezinë, letërsinë, historinë dhe matematikën, në mesin e subjekteve të tjera. Kur kemi parasysh disiplinat që ai mësoi, bëhet i qartë niveli i lartë i përmbajtjes së shkencës islame të shekullit të 14.

Pas përfundimit të arsimit të tij, Ibn Khalduni filloi të punonte si nëpunës, duke u bërë më vonë një “Kadi”- gjykatës musliman. Brenda shoqërisë muslimane, Kaditë ishin gjyqtarë të pavarur dhe që kryenin detyra të rëndësishme për çështje arsimore dhe burokratike. Ata ndonjëherë luanin edhe role të rëndësishme në administratën e qytetit. Khalduni ishte një kadi aq madhështor, saqë u bë Kadiu kryesor Maliki për Egjiptin gjatë kulmit të karrierës së tij. Në fund të fundit, ai ishte një mjeshtër i madh dhe dijetar i shkencave tradicionale.

Këtu kemi ardhur në një pikë kritike në argumentin tonë në lidhje me atë nëse është e vlefshme apo jo ndarja e shkencave pozitive dhe shkencave tradicionale. Në të vërtetë, gjurmët e vëzhgimeve të bëra gjatë vizitave të tij në Afrikën e Veriut dhe në Andaluzi si kadi, janë të dukshme në metodologjinë e tij historike. Nëse ai do të kishte jetuar vetëm në një qytet, një njohuri kaq e gjerë nuk do të kishte qenë e mundur. Qytetet e çrregullta muslimane të shekullit të 11-të e bënë Ibn Khaldunin të riinterpretonte historinë, dhe metodologjia e tij të famshme u ngrit nga kjo.

Megjithatë, besohet se teoritë e Ibn Khaldunit nuk kanë pasur shumë ndikim në Andaluzi dhe në Afrikën e Veriut, të cilat ishin subjektet e shkencës së tij, dhe në fund, ai kishte pak ndikim në këtë rajon të botës islame. Ndërkohë që Ibn Khalduni shkruante veprat e tij, hegjemonia dhe qendërsia e botës islame u zhvendos në vendet osmane, në Anadoll. Kjo na çon drejt pyetjeve tona të ardhshme: Kur u rritën osmanët? Kur ranë arabët e Afrikës së Veriut?

Ibn Khalduni u lind në gjysmën e parë të shekullit të 14-të, në vitin 1332, dhe vdiq në fillim të shekullit të 15-të, në vitin 1406. Timuri mbretëronte në kohën e vdekjes së tij. Dy shekujt e ardhshëm do të dëshmojnë rritjen e Perandorisë Osmane, si dhe dominimin e saj mbi vendet fqinje islame dhe mbi shumicën e Europës.

Pasi osmanët krijuan perandorinë e tyre, shkrimet dhe teoritë e Ibn Khaldunit tërhoqëm vëmendjen e tyre. Kemalpaşazade (1468-1534) – dijetari dhe historiani otoman – njihet si historiani i parë që dokumentoi ndikimin e Ibn Khaldunit në historinë dhe metodologjinë sociologjike. Përveç kësaj, një sasi ndikimi e Ibn Khaldunit është parë te Katib Çelebiu (1609-1657) dhe Naima (1655-1716), të cilët ishin gjithashtu historianë të rëndësishëm.

Interesi i otomanëve për Ibn Khaldunin vazhdoi edhe në vitet në vijim, dhe historianët ua trashëguan këtë interes dhe njohuri historianëve të epokës republikane turke. Megjithatë, është fakt se orientalizmi është përpjekur gjithmonë ta ndërpresë procesin si një parazit. Orientalizmi e nxorri Ibn Khaldunin jashtë kontekstit të tij si një dijetar islam dhe burokrat, dhe e futi atë në një varrezë të largët të mendimit perëndimor. Është koha për ta lënë pas atë imitim artificial orientalist dhe për ta lexuar vetë Ibn Khaldunin. / © Gazeta Impakt

Burimi: DS

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne