Ide pa rezultat, mbetet në ajër çështja e emigrantëve

Pa rezultate të prekshme u mbyll samiti i 16 udhëheqësve të BE-së, të cilët u takuan të dielën në Bruksel për çështjen e emigrantëve.

Burime nga Komisioni Evropian folën për një takim “të dobishëm” të udhëheqësve europianë, të cilët do të punojnë për propozime më specifike lidhur me çështjen e menaxhimit të migracionit. Një prej pikave ku u ra dakord ishte disbursimi i paketës së dytë të 3 miliardë euro për Turqinë.

Në tryezë mbeten  dy sugjerime. Së pari krijimi i kampeve në vendet jashtë BE-së, duke bërë ndarjen mes emigrantëve ekonomikë dhe emigrantëve që kanë të drejtë për azil. Së dyti, propozimi franko-spanjoll që kampet jashtë kufijve të BE-së të menaxhohen nga Brukseli.

Kancelarja Merkel u shpreh pro një zgjidhje evropiane kudo që të jetë e mundur. “Ne duam zgjidhje evropiane dhe transparente aty ku është e mundur. Duam më shumë marrëveshje me vendet e origjinës, siç kemi bërë me Libinë. Mandati i Frontex duhet të zgjerohet dhe të forcohet. Refugjatët nuk mund të zgjedhin se ku duan të aplikojnë për azil”– tha Merkel pas përfundimit të samitit.

Presidenti francez, theksoi se gjatë bisedimeve u refuzuan zgjidhje që janë të papajtueshme me vlerat evropiane, dhe theksoi se qëndrimet e kryeministrit të Italisë ishte në të njëjtën gjatësi vale me të tjerët. Ndërsa kryeministri grek Tsipras u shpreh për një politikë serioze në  mbrojtjen e kufijve të BE-së dhe për ndarjen e përgjegjësive në mënyrë që barra të mos bjerë vetëm në vendet pritëse.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne