Ilhan Omar thotë se disa anëtarë të Kongresit paguhen nga një grup i fuqishëm interesi për të mbështetur Izraelin

Gjatë fundjavës zonja Ilhan Omar shkroi në Twitter se Komiteti Amerikano-Izraelit për Çështje Publike, AIPAC, paguan disa anëtarë të Kongresit që të mbështesin Izraelin. Zonja Omar është një prej dy grave të para myslimane të zgjedhura në Kongresin Amerikan.

Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi tha të hënën se ligjvënësja e re demokrate Ilhan Omar duhet të kërkojë falje pa humbur kohë për komentet e saj ne Twitter.

Zonja Pelosi tha se “Ne i dënojmë këto komente dhe i bëjmë thirrje ligjvënëses Omar që të kërkojë menjëherë falje për komentet e saj fyese.”

Zonja Pelozi e bëri deklaratën disa orë pasi dy ligjvënës me peshë, kryetarë të komisioneve të Kongresit e kritikuan zonjën Omar për komenetet e saj.

Kryetari demokrat i Komisionit për Marrëdhënie me Jashtë, Eliot Engel, tha se nuk do t’i toleronte këto lloj komentesh dhe shtoi se ishte shumë tronditës fakti që një anëtare Kongresi bënte komente anti-semite. Ai tha se do t’u theksojë anëtarëve të komisionit nga të dyja partitë, se marrëdhënia amerikano-izraelite është e rëndësishme.

Kryetari i Komisionit Juridik, Jerrold Nadler tha se ligjvënësja Omar kishte dështuar në testin e udhëheqjes.

Grupi AIPAC reagoi të dielën pas komenteve të zonjsë Omar: “Jemi krenarë që angazhohemi në procesin demokratik për fuqizimin e marrëdhënies amerikano-izarelite. Përpjekjet tona dy-partiake reflektojnë vlerat dhe interesat amerikane. Nuk do të na frenojë në punën tonë asnjë lloj sulmi i paligjshëm ndaj këtij misioni të rëndësishëm.”

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne