Ilir Meta, presidenti që meritojnë shqiptarët!

Nga Afrim Krasniqi

Mazhoranca ka rënë dakord dhe është zgjedhur Presidenti i ri i Republikës. Është njëri nga dy kryetarët e koalicionit të majtë, deri 2013, ishte njëri nga dy kryetarët e koalicionit të djathtë. Edhe në këtë rast nuk ka zgjedhje (dy ose më shumë kandidatë) por votim (vetëm një kandidat), duke i qëndruar besnik raundit të katërt (shantazhi i 71 votave).

Lajmi mbi Presidentin e ri nuk u shoqërua me festë dhe as dolli me shampanjë. Jo vetëm prej emrit, jo vetëm prej procedurës. Ashtu siç u zhvillua procesi, dikush do të duhesh të ishte President dhe nëse jo ai që u caktua mund të jetë dikush tjetër në profil të njëjtë.

Nuk pati as transparencë, as proces publik, as hapje të sistemit politik, as ikje prej standardeve minimale të së kaluarës dhe as përpjekje për të sjellë produktivitet për sensin e shtetit, institucioneve dhe politikës.

Disa takime informale dhe së fundi, 15 minuta bisedë për të emëruar në krye të shtetit, një vendi në NATO që synon të anëtarësohet në BE, një prej 3-4 protagonistëve kryesorë politikë të tranzicionit.

Për Ilir Metën me siguri përbën sukses personal; për forcën e tij politike me siguri krijon frustrim; për kryetarin e PS me siguri shihet si sukses afatgjatë në terrenin taktik elektoral; për drejtuesit kryesorë të opozitës me siguri shihet si garanci për imunitet personal; për mekanizmat e ndrydhur institucionalë me siguri shihet si ruajtje e vazhdim i status quo-s; për sistemin e kalbur politik, arrogancën, natyrën klienteliste dhe mesazhin e “të fortit” në politikë me siguri u dha një sinjal aprovues.

Po për qytetarët, shtetin modern dhe demokracinë e premtuar funksionale? Po për retorikën e Rilindjes së vlerave dhe Shqipërinë e gjeneratës tjetër? Po, për retorikën e Republikës së Re? Me siguri, ato nuk i ka askush në konsideratë, aq më pak ata që i kanë thënë e premtuar.

Në këto rrethana pyetja nuk është nëse presidenti i ri është pozitiv apo negativ, por thelbi i debatit mbetet: cilat janë standardet dhe nevojat e Shqipërisë për konturin e kryetarit të Shtetit, dhe sa përputhen ato me ofertën e vetme që partitë imponuan.

Unë besoj se shumica qytetare mbetet militante dhe nuk ka ndonjë kulturë specifike mbi kryetarin e shtetit nga ajo që ka lideri i tyre politik. Ndaj, pikëpamjet e mia i adresohen pakicës liberale e qytetare, – e cila ka një mendim personal, deri diku të pavarur dhe aftësi të mendojë jashtë logjikës së turmës verbuese.

Adresuar kësaj kategorie, unë kam bindjen se Shqipëria meritonte të kishte një President të aftë jo vetëm të kryejë detyrën dhe përgjegjësitë protokollare, por edhe të simbolizojë atë çfarë modelet e njëjta në vende të BE-së, si Gjermania, Italia, Austria, etj, simbolizojnë: shpresën e ndryshimit, triumfin e cilësive pozitive, modelin që inspiron të rinjtë dhe shoqërinë, përfaqësuesin dinjitoz të shtetit, avokatin e të drejtës, qytetarin model dhe figurën me integritet e vullnet mbipartiak. A mund të ketë një President shqiptar këto cilësi? Po, dhe kemi pasur të paktën dy të tillë.

A do t’i kemi këto cilësi në mandatin e ri 5 vjeçar presidencial? Dyshoj se jo. Personalisht nuk besoj se ka të rinj në këtë vend (përveç turmave të partive klienteliste) që aspirojnë në jetë të ndjekin shembullin politik të presidentit të ri dhe as kumbarëve të tij, nuk besoj se ndokush që ka lexuar një libër ndjehet i frymëzuar prej tij, nuk besoj se ndonjë kancelari perëndimore ka duartrokitur kur ka dëgjuar lajmin, nuk besoj se idealistët e të drejtës besojnë se kanë gjetur avokatin e tyre, nuk besoj se një kryetar historik partie të mund të ketë mbipartiak, nuk besoj se pas 24 korrikut shteti shqiptar të jetë më funksional, më serioz, më i besueshëm tek partnerët dhe më evropian sesa pasditen e 27 prillit.

Kjo nuk lidhet vetëm me emrin. Ilir Meta nuk është fajtor për asnjë prej këtyre treguesve, ai nuk mund të jetë dikush që nuk është, ai është tërësisht produkt tranzicioni, i ka mbijetuar në çdo formë të mundshme tranzicionit, skemave elektorale dhe ndryshimeve të mëdha, skandaleve dhe pasojave dramatike që ato patën për shoqërinë, ndaj edhe pasqyron në sjelljen dhe veprimet e tij pjesën më të madhe të cilësive të tranzicionit.

Ai nuk është misionar dhe as idealist, por një model pragmatist dhe kalkulues i ftohtë në pellgun politik, një rojtar i mirë për ata që i shërbejnë dhe një hakmarrës i ashpër për ata që e kritikojnë, një besnik i axhendës personale dhe një simbol i administratorit politik, një politikan fjalëpak e kurajoz drejt qëllimeve të paracaktuara, një citues “politikisht korrekt” i politikës së jashtme dhe problemeve në vend, një ligjërues në mbrojtje të shtresave në nevojë dhe njëherësh një prej politikanëve më të pasur në anët tona dhe shtetet rreth tyre, – pra një shqiptar tradicional që mishëron instiktin e jashtëzakonshëm të mbijetesës.

Shqipëria e sotme, ashtu siç është, mund t’i shkojë përshtat kostumit dhe CV të tij, – Shqipëria që ne duam, ashtu siç nuk është, me siguri do ta kishte të vështirë të gjejë pika takimi me kostumin e tij, të atij që e zgjodhi apo edhe të atij që indirekt e miratoi. Për pasojë, mandati 5 vjeçar nuk pritet të jetë as më shumë dhe as më pak sesa 5 vite të tjera tranzicioni, një déjà vu pa ndonjë gjurmë të dukshme pozitive, një kohë e shans i humbur, në listën e më shumë dy dekadave dhe disa dhjetëra shanseve të tjera të humbura.

Çfarë do të ndodhë më pas me krizën? A mbyllet apo vijon? A do cenohet partia e tij nga ikja e themeluesit dhe simbolit të saj? A përfiton apo dobësohet PS nga kuotat e reja të LSI? A quhet konsensual për shkak se ka raporte personale me liderit dhe median apo se përfaqëson edhe cilësitë e tyre? A do të mund të jetë mbipartiak duke pasur gjysmën e tij në parti dhe a mund të kemi ende shpresë tek katarsisi në drejtësi kur politika majtas e djathtas i dha imunitet vetes?

Këto duken çështje të rëndësishme, por nuk janë aq edhe të rëndësishme. Janë ushqimi mediatik i radhës. Kaq.

Më e rëndësishmja ka ndodhur e po ndodh: askush nuk mbështet modele pozitive, askush nuk dëshiron dhe as voton ndryshimin, Shqipëria po ndryshon por jo për mirë, shteti po bëhet por është larg shtetit që prisnim e që duam, zgjedhje do të ketë por vështirë të ketë zgjidhje, politika nuk po na përfaqëson por po na merr peng, ambasadorët perëndimorë të tjera gjëra do vijojnë të thotë e të tjera do pranojnë, modeli Erdogan nuk po fiton vetëm në Turqi, dhe kështu, mbetet të pranojmë mallkimin historik: Selanik e tatëpjetë / kështu ka qenë/ kështu do jetë! Ndofta edhe për këtë arsye, në betimin e tij Presidenti, sipas Kushtetutës, është i lirë të thotë “Zoti më ndihmoftë”. Edhe ne, banorët e kësaj republike, me siguri jemi të lirë ta themi, çdo ditë, çdo javë, çdo muaj në vitet e ndofta edhe në dekadën e ardhshme.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne