Ilir Meta ‘sulmon’ MAS: Asnjë maturanti nuk do ia mohojmë të drejtën e studimit

Ilir Meta kritikoi reformën në arsimin e lartë. Ai iu premtoi të rinjve se kjo forcë do të rrisë buxhetin për arsimin.

Duke “sulmuar” Ministrinë e Arsimit për këtë reformë, Meta tha se do ketë lehtësi për maturantët që nuk e përballojnë dot për shkak të pamundësisë ekonomike dhe nuk do çohen tek universitetet private.

“Gjithmonë jam i lumtur kur marr pjesë në takime me të rinjtë dhe kjo është gjëja që më çlodh më shumë se më krijon bindjen që puna dhe sakrificat e gjithë këtyre viteve nuk kanë shkuar dëm. Kur dëgjoj gjithë këto të rinj dhe të reja që tregojnë se Shqipëria ka të ardhme. Asnjë maturanti të talentuar nuk mund t’ia mohojmë të drejtën e studimit vetëm për faktin se familja e tij nuk ka të ardhura të mjaftueshme dhe ta detyrojmë të shkojmë në universitetet private. Ne do të reduktojmë ndjeshëm tarifat studentore për t’iu dhënë shansin studentëve dhe familjeve të tyre të përballojnë koston. Do rrisim buxhetin për arsimin”, tha Ilir Meta.

Meta shtoi se LSI ka një plan integral për arsimin. Ai tha se të rinjtë e të rejat nuk duhet të pranojnë të jetojnë në një demokraci farsë.

“Për ne si LSI dhe LRI deviza jonë ka qenë dhe mbetet arsim cilësor për një punësim të mirëpaguar dhe një familje të shëndetshme. Ndaj të rinj dhe të reja kjo është koha juaj, është koha e të rinjve dhe të rejave të Shqipërisë. Atyre që dinë të ndezin dhe mbajnë gjallë shpresën, e atyre që plot guxim i thonë jo arrogancës dhe arbitraritetit. Është koha e të rinjve dhe të rejave që nuk e kanë njohur diktaturën sepse kanë lindur në pluralizëm që nuk pranojnë të jetojnë në një demokraci farsë”, deklaroi Ilir Meta.

Kryepalamentari ishte në një takim që zhvilloi me Lëvizjen Rinore për Integrim në Pallatin e Sportit “Asllan Rusi” në Tiranë. /LAPSI.AL/

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne