Iljazaj: Ja kush është problemi i ekonomisë shqiptare

Ditën e djeshme, politika dhe mediat u përfshinë në disa raportime të ethshme në lidhje me mungesën e Shqipërisë në raportin e përvitshëm të Departamentit të Shtetit për klimën e investimeve.

Edhe pse u sqarua se Shqipëria do jetë pjesë e këtij raporti, sërish pati debate për çështjen e investimeve të huaja në vend.

Sipas drejtorit të gazetës Mapo, Ervis Iljazaj, problemi i madh mbetet mungesa e markave të njohura ndërkombëtare.

“Një nga problemet thelbësore për sa iu përket investimeve të huaja për gjatë gjithë tranzicionit, ka qenë mungesa e përhershme e korporatave ndërkombëtare dhe multinacionaleve në tregun shqiptar. Për shumë arsye. Për arsye se investojnë në financa, në teknologji, në rritjen e kulturës së biznesit, në rritjen e punësimit dhe kushteve të tij, apo edhe në zhvillimin e kapitalit human.

Përgjatë gjithë tranzicionit askush nuk mban mend, me përjashtim të ndonjë rasti të vogël, një logo apo një emër të madh të korporatave të rëndësishme botërore. Të gjitha investimet e huaja, vijnë si pasojë e bizneseve jo të rëndësishme të cilat përfitojnë shpeshherë nga kontesti politik dhe nga paratë e taksapaguesve shqiptarë dhe pa patur një ndikim ekonomik afatgjatë.

Pothuajse asnjë nga multinacionalet e rëndësishme nuk ka shkelur asnjëherë në tokën shqiptare si Nestle, Ikea, McDonalds apo ndonjë tjetër. Meqë jemi dhe në periudhën e turizmit bregdetar, është e udhës të përmendin faktin se asnjë nga operatorët e rëndësishëm turistikë nuk ndodhet në Shqipëri, me gjithë potencialin e saj,” shkruan Iljazaj.

“Atëherë si shpjegohet ky fakt?

Sipas të gjitha teorive të ekonomisë ndërkombëtare dy janë faktorët që ndikojnë në investimet e huaja.

I pari është faktori i tregut: dimensioni i tij, kostot, subvencionet, sistemi fiskal dhe një krah pune që më shumë se i lirë kërkohet të jetë i specializuar.

Për të gjithë nga këta faktorë gjithsecili mund të japë mendimin e tij se në çfarë niveli Shqipëria i ofron ato. Ky është një diskutim që kërkon më shumë se sa një editorial gazete.

Ndërsa, për sa i përket faktorit të dytë që ndikon në tërheqjen e investimeve ndërkombëtare ka të bëjë me kontekstin. Në këtë drejtim janë të rëndësishme cilësia e institucioneve, një administratë publike efikase, sistemi i drejtësisë si dhe korrupsioni”.

Burimi: Gazeta Mapo

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne