Imamët e BIK-ut përball sfidave kohore

nga Faik Miftari (Pjesa e pestë)

Periudha kohore 20 vjeçare, pas luftës në Kosovë të viteve 1998-99, solli ndryshime të mëdha duke marr parasysh se përveç kalimit nga shekulli XX-të në shek. XXI-të, patëm rast të përjetojmë edhe kalimin nga mileniumi i dytë në mileniumin e tretë që për gjeneratën tonë ishte diç e veçantë, pasi që neve ishim me fat të përjetojnë këtë kalim të dyfishtë, të shekullit dhe mileniumit.

Menjëherë pas luftës, valët e reja demokratike sollën risi të theksuara, e në këtë rrafsh ishte edhe depërtimi edhe influenca e shkollave tjera juridike islame në Kosovë, krahas asaj ekzistuese shumë shekullore, shkollës juridike hanefite, e cila është aktuale dhe pothuajse zyrtare që ka dominuar me shekuj dhe dominon aktualisht në Ballkan. Depërtimi dhe ndikimi i tyre patën një sukses të konsideruar, sidomos tek të rinjtë mysliman të Kosovës, ashtu që kemi pas një rritje të konsiderueshme të këtij xhemati anembanë Kosovës. Këto risi rritën në sasi apo kuantitet numrin e xhematit, nëpër xhamitë e Kosovës, por cilësia dhe kualiteti i tyre është çështje që duhet studiuar e hulumtuar nga pikëpamjet e ndryshme, çoftë shkencore, psikologjike, pedagogjike, arsimore, fetare, politike, etj. Sa i përket kësaj unë do të kisha shprehur mendimin tim se kryesisht ky xhemat i është përkushtuar me të madhe, tevhidit(besimit) në një Zot, ushtrimit të ibadeteve(ritualeve) të fesë Islame dhe aplikimit rigjid të tyre në njërën anë ,ndërsa në anën tjetër ka anashkaluar qasjen logjike, shkencore, aktuale me sfidat aktuale në familje, rrethin, ambientin dhe shoqërinë në përgjithësi. Veçoria kryesore e tyre është ana shpirtërore dhe përkushtimi i tyre në rrafshin vertikal ndaj Krijuesit fuqiplotë, por në anën tjetër janë të larguar në një masë të duhur nga aktualiteti kohor me të cilët duhet përballur në rrafshin horizontal në raport me shoqërinë aktuale kosovare në të cilin jetojnë.

Imamët e BIK-ut për dallim nga xhemati, duhet të përqendrohen tek sfidat e reja kohore me të cilat do të përballen gjatë shek. XXI-të. Për të pasur sadopak sukses duhet ndryshuar qasjen e gjertanishme të punës dhe udhëheqjes me xhemat, dhe në koordinim të plotë me Bashkësinë Islame të Kosovës të hartojnë një platformë të veprimit dhe të angazhimit të tyre me xhemat gjatë periudhës së ardhshme kohore gjatë shek. XXI-të, apo “shekull të internetit” do ta quaja.

Është çasti i fundit për të zënë trenin dhe për t’u përballur me sukses me trendet dhe risitë e reja teknologjike dhe informative të shek. XXI-të të cilët sollën përveç tjerash edhe “revolucion kulturor “ global i cili i ka prekur apo i ka goditur të gjitha popujt, religjionet, kulturat, anembanë globit. Reflektimi i këtij “revolucioni kulturor” është prezent në përgjithësi në shoqërinë tonë kosovare , pa anashkaluar edhe besimtarët mysliman. Në rast se nuk do të përballen me kohë dhe nuk do të arrijnë për t’u rrekur me këto risi të reja të aktualitetit kohor dhe nuk do të dinë të gjejnë zgjidhje dhe të përshtatin veprimin e punës së tyre të përditshme me xhemat, kam drojë se në një periudhë të ardhme do të kemi tkurrje të xhematit në masë të konsiderueshme në xhamitë në Kosovë.

Duke marr parasysh se pas luftës në Kosovë kemi zvogëlimin gradual të natalitetit, migrimin e madh të popullatës nga fshatra në qytete apo komuna si dhe largimin e një pjese, sidomos të pjesës më vitale, të rinisë, dhe ikjen e tyre në kërkim të punësimit dhe gjetjes së fatit në shtetet perëndimore, këta faktor kanë ndikuar përveç tjerash në një masë të duhur edhe në zvogëlim të xhematit në xhamitë, me theks të posaçëm në zonat rurale të Kosovës. Por, krahas kësaj, zhvillimet e reja teknologjike dhe informative të këtij shekulli, po kanë impakt të drejtpërdrejtë edhe në xhemat. Imamët e BIK-ut duhet të përballen dhe të gjejnë metoda adekuate për t’u përgjigjur me sukses, në të kundërtën do të kemi pakësim të xhematit në xhamitë e Kosovës, është e mundshme që në një ardhme të afërt xhamitë të frekuentohen nga besimtarët mysliman vetëm për namazin e xhumasë gjatë javës dhe për dy festat kryesore, Bajramet, gjatë vitit, Zot ruana!

Shpikja e internetit, smartfonave të mençur, rrjetave sociale, përveç evolucionit informativ ka bërë edhe “revolucion kulturor” në shoqëritë e kulturave të ndryshme në botë. Këto shpikje kanë bërë impakt radikal në shoqëri, duke larguar takimin“live” me takimin në “distancë” të njerëzve në mes tyre, si pasojë e së cilës janë ftohja e marrëdhënieve njerëzore në një anë, ndërsa në anën tjetër kanë arritur që këto kontakte në”distancë” të jenë të monituara dhe të kontrolluara në çdo kohë nëpërmes internetit.

Imamët në të kaluarën ishin në kontakt pothuajse të rregullt me xhematin jo vetëm nëpër xhamia, por edhe në ndeja të ndryshme në oda apo sallone, në dasma e syneti, në mevlude e qelime, etj. Në ditët e sotme prezenca e imamëve dita ditës po zvogëlohet, dhe kam drojë se gjatë periudhës së ardhshme kohore do të mbetet takimi i tyre me xhemat vetëm në xhami. Ky trend i ri i cili po reflektohet me shpejtësi në qasjen e njerëzve dhe po lënë ndikim në kulturat e popujve të ndryshëm , e ka përfshirë edhe shoqërinë myslimane kosovare. Odat nëpër fshatra dhe sallonet nëpër qytete, dikur të ndërtuar dhe të rregulluar për bukuri, po mbesin gjithnjë e më të zbrazëta, pasi që më nuk kemi vizita të ndërsjella në mes vete me komshinjtë, të afërmit familjar, miqtë, shokë, etj. sikurse më parë, dhe pritet se gjatë periudhës së ardhme kohore, bile edhe vizitat e ndërsjella për bajram”live”, do të zëvendësohem me përgëzimet dhe urimet nëpërmes rrjetave sociale. Dasmat, synetit dhe ceremonitë tjera familjare të cilët mbaheshin dhe organizoheshin nëpër shtëpia, tani këto evenimente po organizohen dhe po mbahen në sallone të dasmave, ashtu që me sa duket do të mbetet për t’u takuar dhe parë vetëm me rastin e vdekjes të familjarit, mikut, të afërmit, etj., ashtu sikurse titullohet një roman i njohur ” Ra ky mort, e u pamë”.

I mbetet Bashkësisë Islame të Kosovës, që të hartojë një platformë të gjerë, e cila do të udhëzojë imamët e saj se si të qasen dhe të përballen me këto sfida të reja kohore të cilët po lejnë një impakt të fuqishëm në jetën e përditshme të qytetarëve në përgjithësi , e të besimtarëve mysliman në veçanti.

Se si duhet të jetë kjo platformë, dhe çfarë duhet të përmbajë ajo, për t’u ballafaquar me sukses me këto risi teknologjike dhe informative, i mbetet Bashkësisë Islame të Kosovës të përpilojë një strategji afatgjate të veprimtarisë së imamëve të saj kundruall sfidave aktuale. Se sa do të jetë e suksesshme dhe a do të mund të përpilojë pa humbur kohë këtë platformë ,Bashkësia Islame të Kosovës për imamët e saj, të veprojnë dhe të përgjigjen ndaj këtyre sfidave kohore, është detyrë dhe amaneti i saj, pasi që e ka përgjegjësinë si udhëheqëse, dhe organizatore për mbarëvajtjen e jetës fetare të besimtarëve mysliman në Kosovë.

(vazhdon)

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne