Inaugurohet ndërtesa më e madhe në botë për shërbimet e spiunazhit

Pa telefona celularë. Pa lap-topë personalë. Pa hapje të adresave elektronike personale dhe rrjeteve sociale. Në fund të ditës, të gjitha kartelat hyrëse duhet të mbyllen në kasafortë.

Pas 12 vjetëve të ndërtimit dhe një miliard eurove të investuara, Shërbimi Federal i Inteligjencës në Gjermani ia ka hapur dyert zyrtarisht selisë së re qendrore në Berlin. Kjo është ndërtesa më e madhe në botë që do të shfrytëzohet nga shërbimet e inteligjencës.

Ndërtesa e re ndodhet afër vendit ku ishte i ndërtuar Muri i Berlinit. Ajo është njëra nga vendet më sekrete në botë. Për punëtorët e këtij institucioni  do të ketë rregulla të rrepta për gjërat e lejuara dhe të ndaluara në këtë ndërtesë të rëndësisë së lartë.

Në ceremoninë hapëse të ndërtesës së re mori pjesë edhe kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel, e cila foli për rëndësinë e rolit të këtij institucioni. “Në një botë me situata të paqarta, tash, më urgjentisht se kurrë më parë, Gjermania ka nevojë për shërbime të fuqishme dhe efikase të inteligjencës së jashtme”, tha ajo.

Në vendin e kësaj ndërtese më parë kishte baraka të shkatërruara gjatë Luftës së Dytë Botërore. Më vonë, hapësira ishte shfrytëzuar për një stadium të sporteve, i cili më pas ishte shkatërruar pas kandidimit të Gjermanisë për mbajtjen e Lojërave Olimpike të vitit 2000, shkruan “The Guardian”.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne