Independent/ “Pranvera Ballkanike”, valë protestash kundra qeverive në Mal të Zi, Shqipëri dhe Serbi

E gjitha nisi me një video të postuar në rrjetet sociale: një regjistrim sekret i vitit 2016, që shfaq një manjat të mirënjohur lokal duke mbajtur dorën mbi një zarf me para, të cilin e ka për një bashkëpunëtor të partisë së udhëheqësit më të vjetër të Malit të Zi.

Biznesmeni i shquar, një ish-mik i ngushtë dhe i besuar i presidentit malazez Milo Gjukanoviç, publikoi videon në fund të vitit të kaluar si shenjë hakmarrjeje për akuzat e ngritura kundër tij për mashtrim dhe pastrim parash, të cilat e detyruan atë të largohej në Londër për të shmangur ndjekjen penale.

Manjati, Dushko Knezeviç, publikoi gjithashtu kohë pas kohe një seri dokumentesh që akuzonin presidentin dhe partinë e tij në pushtet për korrupsion, kronizëm dhe shpërdorim të detyrës, duke pretenduar se ai i kishte dërguar miliona dollarë Z. Gjukanoviç dhe partisë së tij në pushtet, kështu që autoritetet bënë “një sy qorr” ndaj bizneseve të tij të dyshimta.

“Çështja e zarfit” ka sjellë javë protestash kundër Gjukanoviçit, duke kërkuar dorëheqjen e një prej udhëheqësve më jetëgjatë në Europë, duke qëndruar rreth 30 vite në pushtet.

Demonstratat anti-qeveritare ndodhën në një kohë kur protesta të ngjashme po ndodhnin në Serbinë dhe Shqipërinë fqinje, ku demonstruesit po kërkojnë largimin e udhëheqësve të cilët ata i akuzojnë për sundim autokratik dhe korrupsion.
Shpërthimi pothuajse i njëkohshëm i lëvizjeve të forta anti-qeveritare në rajon ka nxitur diskutimet rreth një “Pranvere Ballkanike”, emër i vendosur duke iu referuar valës së protestave dhe të revolucioneve në të gjithë botën arabe në vitin 2010, e cila u quajt “Pranvera Arabe”.

Në Malin e Zi, Gjukanoviç ka kohë që akuzohet për korrupsion dhe lidhje me krimin e organizuar. Videoja e fundit është parë si goditja më serioze ndaj sundimit të tij të deritanishëm.

Gjukanoviç i mohoi akuzat në një intervistë për Associated Press duke thënë se partitë e opozitës pro-ruse dhe “faktorët e huaj” fshihen pas protestave, edhe pse ato udhëhiqen zyrtarisht nga grupe qytetare.
Ai sugjeroi se protestat kanë për qëllim largimin e liderëve që janë pro-BE-së dhe krijimin e lidhjeve më të ngushta me Rusinë.

“Unë mendoj se (në të gjithë Ballkanin) kjo në thelb nuk është një lëvizje “pranverore “, por një lëvizje e zymtë vjeshte,” tha ai. “Ne po flasim këtu për përpjekjet për të ndaluar Ballkanin drejt anëtarësimit në BE. ”

Organizatorët protestues të Malit të Zi këmbëngulën se demonstrimet përfaqësojnë një lëvizje të sinqertë qytetare pa ndonjë ndikim nga jashtë apo prej opozitës.

“Shkaku ishte ai zarf që u dha nga një biznesmen, i cili i përkiste zemrës së regjimit të ish- kryetarit të Podgoricës, me qëllim korruptimin e votuesve në zgjedhjet parlamentare të 2016-ës”, tha Dzemal Peroviç, një organizator i protestave në kryeqytetin malazez.

“Qëllimi ynë është ndryshimi i regjimit”, tha ai. “Një tranzicion paqësor për t’i ikur një regjimi të korruptuar që ka qenë në pushtet për 30 vjet dhe i cili i ka fituar zgjedhjet përmes rryshfetit dhe manipulimit”.

“Cari Milo”, siç e quajnë zakonisht në Mal të Zi, ka qenë gjithashtu një aleat i rëndësishëm i perëndimit sa i takon kundërshtimit të ndikimit rus në rajon si dhe për shkëputjen nga Sllobodan Millosheviç gjatë luftrave të viteve 1990.

Në Serbi, presidenti populist Aleksandar Vuçiç e ka portretizuar veten si një udhëheqës pro-evropian. Ai është përballur me akuzat për frenimin e lirive demokratike si dhe për censurë e ndikim në media. Tensionet politike u rritën muajin e kaluar kur protestuesit shpërthyen ndërtesën e televizionit shtetëror të zemëruar prej raportimeve të njëanshme.

Demonstruesit po kërkojnë dorëheqjen e Vuçiç, zgjedhje të lira dhe media të paanshme, si dhe më shumë demokraci. Ata kanë planifikuar një protestë të madhe javën e ardhshme në Beograd dedikuar kërkesave të tyre.

Vuçiç i ka quajtur protestat si një përpjekje e opozitës për marrë pushtetin me forcë.

Partitë shqiptare opozitare qëndrojnë në rrugë që nga mesi i shkurtit duke bërë thirrje për dorëheqjen e qeverisë dhe zgjedhje të parakohëshme. Opozita e qendrës së djathtë akuzon qeverinë e majtë të Partisë Socialiste të kryeministrit Edi Rama për korrupsion dhe lidhje me krimin e organizuar, gjë të cilën qeveria e mohon.

Këto protesta të përkrahura nga opozita shqiptare kanë qenë të dhunshme. Protestuesit vazhdimisht janë përpjekur të hyjnë në ndërtesën e parlamentit apo të qeverisë në Tiranë. Policia ka përdorur gaz lotsjellës dhe uj për t’i larguar ato.
“Të përbashkëtat e të gjithë këtyre protestave janë: Pakënaqësia e njerëzve me regjimet e gjata dhe të korruptuara, zemërimi i akumuluar me vite, nëse jo me dekada”, tha analisti politik malazez Stevo Muk./Independent

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne