Indonezi, rritet numri i viktimave nga tërmeti dhe cunami

Numri i të vdekurve nga tërmeti dhe cunami në ishullin Sulawesi të Indonezisë është rritur në 2.002.

Sipas lajmit të agjencisë indoneziane Antara, zyrtarët ushtarakë në rajon kanë njoftuar se numri i të vdekurve nga tërmeti dhe cunami i ndodhur më 28 shtator është rritur në 2.002.

Zyrtarët theksuan se 1.068 prej të vdekurve janë varrosur në varre masive në tre lokacione të ndryshme, ndërsa 934 të tjerë nga të afërmit familjarë të tyre.

Numri i të plagosurve ka arritur në 4.084, njoftojnë zyrtarët ndërsa janë dëmtuar 67.310 ndërtesa në rajonet Palu, Donggala dhe Siri ku ka qenë efektiv tërmeti.

Zëdhënësi i Agjencisë Kombëtare për Menaxhim të Katastrofave në Indonezi (BNPB), Sutopo Purwo Nugroho, ka shprehur shqetësimin në lidhje me atë se mbi 5.000 persona në rajonin e fatkeqësisë llogariten si të zhdukur.

Ndërkohë Instituti i Meteorologjisë, Klimës dhe Gjeofizikës së Indonezisë (BMKG) njoftoi se 5 kilometra në verilindje të qytetit Palu ka ndodhur një tërmet 5,2 ballë.

Nugroho bëri thirrje që të mos u besohet pamjeve të publikuara se pas tërmetit ka viktima dhe se rajoni ka pësuar dëme dhe se këto pamje janë nga tërmeti i parë.

Ishulli Sulawesi më 28 shtator u godit nga një tërmet i fuqishëm, i cili shkaktoi cunami dhe valë të larta nga tre deri në gjashtë metra në qytetet Donggala dhe Palu. Tërmeti me intensitet 7,5 ballë ndodhi 27 kilometra në veri të Gjirit të Palus, treguan të dhënat e Institutit Amerikan për Vrojtime Gjeologjike (USGS).

Indonezia shtrihet në të ashtuquajturën “Unaza e Zjarrtë e Paqësorit”, ku tërmetet dhe shpërthimet vullkanike janë të shpeshta.

Tërmetet që goditën ishullin Lombok të Indonezisë në fund të korrikut dhe në muajin gusht prej 6,3, 6,9 dhe 7 ballë shkaktuan vdekjen e 563 personave ndërsa 450 mijë u dëmtuan.

Më 26 dhjetor të vitit 2004, Indonezia u godit nga një tërmet tejet i fuqishëm prej 9,1 ballë, i cili u pasua nga cunami, si pasojë e të cilit humbën jetën 230 mijë persona në një territor që përfshiu edhe shtete të tjera të rajonit.

Burimi: AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne