Indonezi – Të paktën 168 të vdekur dhe 745 të plagosur nga cunami në ngushticën “Sunda”

Të paktën 168 persona kanë humbur jetën dhe 745 të tjerë janë plagosur si pasojë e cunamit që goditi ngushticën “Sunda” të Indonezisë.

Zëdhënësi i Agjencisë Kombëtare të Menaxhimit të Fatkeqësive (BNPB), Sutopo Purwo Nugroho, bëri të ditur se 168 persona kanë gjetur vdekjen për shkak të cunamit në ngushticën “Sunda”, mes ishujve Sumatra dhe Java.

Duke njoftuar gjithashtu se 745 persona janë plagosur dhe rreth 30 të tjerë konsiderohen si të zhdukur, ai tha se numri më i madh i viktimave është regjistruar në lokalitetin Pandeglang.

Nugroho vuri në pah edhe se cunami ka shkaktuar dëme materiale të mëdha në provincën Banten dhe në pjesën jugore të qytetit Lampung.

Sipas zyrtarëve të BNPB-së, cunami mund të ketë ardhur si pasojë e një rritjeje jonormale të baticës për shkak të hënës së re dhe një rrëshqitjeje nënujore pas shpërthimit të vullkanit “Anak Krakatau” (Fëmija i Krakataut), i cili krijoi edhe një ishull të vogël në ngushticën “Sunda”.

Ndërsa Agjencia Meteorologjike, Klimatike dhe Gjeofizike e Indonezisë (BMKG) paralajmëroi qytetarët dhe turistët që të qëndrojnë larg vijës bregdetare të ngushticës.

Teksa në zonat e prekura nga cunami vazhdojnë aktivitetet e shkallës së gjerë të kërkim-shpëtimit, autoritetet shprehen të shqetësuar nga mundësia e rritjes së numrit të viktimave duke qenë se dëme të konsiderueshme kanë pësuar edhe shumë komplekse turistike.

Indonezia është një prej zonave më të prekura nga fatkeqësitë natyrore, pasi shtrihet në të ashtuquajturën “Unaza e Zjarrtë” e Paqësorit”, ku pllakat tektonike përplasen me njëra-tjetrën duke e bërë këtë zonë më të ekspozuarën ndaj vullkaneve dhe tërmeteve më të fuqishme të botës.

Hera e fundit ishte më 29 shtator, kur qyteti Palu në ishullin Sulawesi u godit nga një tërmet me magnitudë 7,5 ballë dhe një cunami, si pasojë e të cilëve humbën jetën mbi 2.000 persona dhe 1.500 të tjerë u shpallën të zhdukur.

Kurse më datë 26 dhjetor 2004, një cunam i shkaktuar nga tërmeti nënujor me magnitudë 9,3 ballë në brigjet e Sumatrës, u mori jetën 220.000 njerëzve përreth oqeanit Indian, nga të cilët 168.000 në Indonezi./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne