Indonezi, vazhdon të rritet numri i të vdekurve nga tërmeti dhe cunami

Numri i të vdekurve nga tërmeti dhe cunami në ishullin Sulawesi të Indonezisë është rritur në 2.091.

Zyrtarët e shtetit Sulawesi Qendror kanë njoftuar se numri i të vdekurve nga tërmeti dhe cunami i ndodhur më 28 shtator është rritur në 2.091.

Pas tërmetit deri dje kanë ndodhur 534 lëkundje, ndërsa vazhdojnë punimet për të siguruar tenda, ushqim dhe ujë për rreth 80 mijë persona të cilët janë zhvendosur nga vendi i tyre.

Në rajon kanë përfunduar operacionet zyrtare të kërkim-shpëtimit, ndërsa me lejen e zyrtarëve vullnetarët dhe të afërmit e viktimave vazhdojnë punimet e tyre. Gjendja emergjente në vend ishte zgjatur deri më 26 tetor.

Ndërkohë në njoftimin për shtyp të Bankës Botërore, në kuadër të mbledhjeve vjetore të Fondit Monetar Ndërkombëtar të zhvilluara në ishullin Bali të Indonezisë, është theksuar se do të sigurohet një burim deri në 1 miliard dollarë për qeverinë për të mbështetur ristrukturimin e rajonit.

Ishulli Sulawesi u godit nga një tërmet i fuqishëm, i cili shkaktoi cunami dhe valë të larta nga tre deri në gjashtë metra në qytetet Donggala dhe Palu. Tërmeti me intensitet 7,5 ballë ndodhi 27 kilometra në veri të Gjirit të Palus, treguan të dhënat e Institutit Amerikan për Vrojtime Gjeologjike (USGS).

Indonezia shtrihet në të ashtuquajturën “Unaza e Zjarrtë e Paqësorit”, ku tërmetet dhe shpërthimet vullkanike janë të shpeshta.

Tërmetet që goditën ishullin Lombok të Indonezisë në fund të korrikut dhe në muajin gusht prej 6,3, 6,9 dhe 7 ballë shkaktuan vdekjen e 563 personave, ndërsa 450 mijë u dëmtuan.

Më 26 dhjetor të vitit 2004, Indonezia u godit nga një tërmet tejet i fuqishëm prej 9,1 ballë, i cili u pasua nga cunami, si pasojë e të cilit humbën jetën 230 mijë persona në një territor që përfshiu edhe shtete të tjera të rajonit.

Burimi: AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne