Instituti Amerikan i Marinës publikon skenarin e një konflikti të mundshëm ushtarak me Turqinë

Marrëdhëniet midis SHBA-së dhe Turqisë, dy aleatë të NATO-s, kanë shkuar duke u ndërlikuar kohët e fundit, veçanërisht nga blerja e Ankarasë të sistemit raketor rus S-400, gjë e cila kërcënon Turqinë me furnizimet e avionëve luftarakë F-35s.

Instituti Amerikan i Marinës, një nga organizatat frofesioniste më të mëdha ushtarake në Shtetet e Bashkuara, i cili ka të punësuar shumë nga ish-ushtarakët e lartë, ka publikuar një skenar të konfrontimit midis flotës amerikane dhe asaj turke në edicionin e tretë të librit të titulluar ‘Taktikat e Flotës dhe Operacionet Detare’. Libri i nxjerrë në 15 qershor 2018 ka tërhequr vëmendjen e gazetës turke Yeni Safak, e cila publikoi një përmbledhje të konfliktit imagjinar të përshkruar në kapitullin e 15-të.

Libri përshkruan një skenar të supozuar ku marina turke fundos në Qipron jugore anijet greke që mbanin raketa balistike, duke nisur në këtë mënyrë një konflikt ushtarak midis vendeve. Sipas tij, Turqia do të vazhdojë të kryejë sulme ndaj ishujve Limni, Lesbos, Kios, Samos dhe Kos në Detin Egje. Të dy shtetet që përfshihen në konflikt përshkruhen si “armiq të betuar”.

Më tej, sipas skenarit të përshkruar në libër, flota e gjashtë amerikane do të ndërhyjë në këtë konflikt në një tentativë për ta ndalur atë, por e bën këtë duke mbështetur Greqinë dhe duke vepruar kundër trupave turke.

“Skenari ku flota e 6-të e Marinës së SHBA-së angazhohet me Marinën Turke tregon fillimin e konfliktit midis Athinës dhe Ankarasë dhe aksioneve të SHBA-së, të cilat në këtë konflikt mbështesin Greqinë”, thuhet në gazetë.

Më tej skenari përshkruan luftanijen Harry Truman dhe anijet lokale ushtarake amerikane që përgatiten për një konfrontim, ndërsa ushtria amerikane e dislokuar në ishujt Kios dhe Amorgos shenjestron për të sulmuar qytetet turke Ayvalık, Izmir, Çesme, Kusadasi dhe Bodrum. Në të njëjtën kohë, flota amerikane pritet që të përplaset me Marinën Turke në veri të Kretës.

Ndërkohe që hyrja e librit tregon se të gjitha skenarët dhe ngjarjet janë një ilustrim i pastër imagjinar dhe përfaqëson mendimin personal të autorëve të librit, gazeta turke tregon se ata që kanë kontribuar për përmbajtjen e tij, si dhe kreu i Institutit Amerikan te Marinës, janë të gjithë ish-zyrtarë të lartë të ushtrisë amerikane. Autori i artikullit beson se ky fakt e bën të dyshimtë “karakterin imagjinar” të skenarëve të përshkruar dhe çon në idenë se libri “lë të kuptohet” rreth qëndrimit të mundshëm të Uashingtonit në rast se shpërthen një konflikt i vërtetë mes Athinës dhe Ankarasë.

Konflikti i lartpërmendur i referohet tensioneve të vazhdueshme ndërmjet Greqisë dhe Turqisë në Detin Egje, i shkaktuar nga një konflikt rreth statusit të Qipros, i cili ka mbetur i ndarë që nga viti 1974 kur Turqia pushtoi pjesën veriore të shtetit ishull. Këto tensione kanë çuar në disa incidente detare pranë Qipros dhe ishujve të tjerë të kontestuar ku janë përfshirë anije greke dhe turke si dhe anije ushtarake.

Marrëdhëniet mes SHBA-së dhe Turqisë kanë shkuar kohët e fundit drejt një spiraleje në rënie që kur Turqia nënshkroi një marrëveshje për blerjen e sistemeve antiraketore ruse S-400. Uashingtoni është i shqetësuar se radarët s400 do të jenë në gjendje të zbulojnë avionin modern F-35, i cili ishte planifikuar për tu dërguar në Turqi. Që atëherë SHBA-ja ka kërcënuar se do të ngrijë dorëzimin e avionëve luftëtarakë për Turqinë nëse vendi nuk heq dorë nga marrëveshja për sistemin S-400. Ankaraja ka refuzuar vazhdimisht që ta bëjë këtë, por në të njëjtën kohë kërkon edhe dërgimin në kohë të avionëve F-35s./sputnik/Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne