Nga: Samet Vata

 

Në kuadër të samitit të NATO-s në Londër, në Tiranë u organizua edhe një shkollë verore nga Instituti Shqiptar për Studime Ndërkombëtare, AIIS, në lidhje me mjedisin e sigurisë në Ballkanin Perendimor, pjesë e së cilës isha edhe unë. Qëllimi i shkollës ishte informimi mbi strategjinë që Aleanca e Atlantikut (NATO) ka në rajonin e Ballkanit vecanërisht Shqipërinë si dhe ndërtimi i një realiteti të tendosur nga “rreziku” i ekstremizmit të dhunshëm.

Deri këtu gjerat janë në rregull. Mirëpo kur sheh artikulimet e personazheve referuese ne kete shkolle vere, të ndërtohen në kokë dy ide. E para se Aleanca e Atlantikut për shkak të problemeve të brendshme nuk ka një politikë të unifikuar për trajtimin e Ballkanit Perëndimor. Së dyti këto problematika të brendshme kërkojnë t`i motivojnë me një radikalizëm ekstrem i cili po bën tentativa të prishë rendin në Ballkan. Kjo i ngjan diktaturës e cila sa herë dështonte në ideologjinë e saj, fajin i`a mvishte kapitalizmit vecse në këtë rast rreziku vjen nga “diktatorët” dhe “imperialistët” e Lindjes së afërt, të mesme e të largët. Thënë shkurtimisht Shqipëria NATO-iste dhe rajoni po përballen me tre rreziqe konkrete: Ekspansioni ekonomik rus, neo-otomanizmi turk si dhe “radikalizmi” i vendeve të gjirit. Herë pas here në të njejtën linjë qëndron edhe Kina e cila vazhdimisht është në kërkim të deteve të reja për të shtrirë akoma edhe më shumë krahët e ekonomisë së saj.

Në sesionin hapës të shkollës referuese ishte ish-ministrja e mbrojtjes katolikja Mimi Kodheli e cila parashtroi në mendimin e saj idenë se Rusia është rrezik real për Shqipërinë pasiqë gjeo-politika e saj ofensive ka mundësuar edhe ndryshimin e rezultatit të zgjedhjeve në favor të presidentit aktual Trump. Kështu, nëse SHBA që është superfuqi është vulnerabël ndaj Rusisë, kjo duhet të na bëjë ne Shqiptarëve më vigjilent dhe më të kujdesshëm ndaj raporteve që ndërtojmë në rrafsh shtetëror, por edhe në kuadër ideologjik me vende të tilla. Të qenit vigjilent dhe të kujdessëshm do të shërbejë për ruajtjen e stabilitetit aktual në Ballkan thoshte znj. Kodheli. Këtë ne mund ta bëjmë duke biseduar me njëri-tjetrin, duke shkëmbyer mendimet, duke i trajtuar këto gjëra së bashku. Pra të bashkuar t`i bëjmë ballë rrezikut. Ajo e mbylli bisedën e saj me një shprehje të John Lennon “Give peace a chance” (Jepini paqes një mundësi). Mirëpo kam përshtypjen se një rrezik i tillë është më tepër i stisur sesa real dhe e gjithë kjo histori nuk është gjë tjetër vetëm se justifikim për të justifikuar saknsionet ndaj Rusisë. Kreu i diplomacisë ruse Lavrov tha para disa kohësh se Rusia në fakt nuk është armik, por mik i Evropës dhe kjo e fundit duhet t`i largohet frymës e cila ka mbetur prej Luftës së Ftohtë. Është e vërtëtë se paqes duhet t`i jepet një mundësi, por duhet trajtuar me objektivitet se kush po pengon këtë gjë.

Me rëndësi të vecantë ne shkollen e veres ishte edhe fjala e ambasadorit të përkohshëm amerikan ne Shqiperi, David Muniz, i cili zëvëndëson ambasadorin në ikje LU deri në momentin e emërimit të ambasadorit të ri. Muniz tha se ardhja në pushtet e presidentit Trump ka shkaktuar pak frikë për arsye të deklaratave dhe sjelljeve kontraverse që ky i fundit ka pasur në politikat e tij të brendshme dhe të jashtme. Ai tha se pavarësisht këtyre deklaratave të forta që ka dhënë Trump në lidhje me tërheqjen e SHBA nga NATO, është e sigurt se roli i SHBA në aleancë është definitivisht i pandryshueshëm dhe nuk diskutohet që të ketë një rast të dytë të Brexit. Krahas kësaj ambasadori tha se dy prej faktorëve të cilët përvec Rusisë po shtrijnë ndikimin e tyre në Ballkan janë Turqia dhe Irani. Turqia, tha Muniz, po ndjek një politikë kontraverse për sa i përket Aleancës dhe zemra e saj duket sikur nuk rreh më në drejtim të NATO-s. Nuk ka ndodhur ndonjëherë që një vend anëtar i NATO-s të blejë armë të sofistikuara nga një vend jo anëtar dhe kjo ka shkaktuar një debat të madh brenda shteteve anëtare se Turqisë nuk i duhet shitur më armatim i NATO-s. Cështja është për blerjen e sistemit antiraketor rus S-400. Mirëpo mendoj se fjala e ambasadorit rreh diku tjetër. SHBA e ka të vështirë ta pranojë Turqinë si faktor vet-vendosës në politikën e brendshme dhe në rajon pasi që për një kohë të gjatë Turqia ka trokitur në portat e BE dhe është sjellë me inferioritet ndaj supremacisë amerikane në rajon. E them këtë sepse një tjetër anëtar i aleancës, Greqia, e ka në arsenalin e saj sistemin antiraketor S-300 i cili është një version më i vjetër i këtyre armëve që Turqia kërkon të blejë. Fuqitë perëndimore e kanë të vështirë të pranojnë se Turqia e cila është përdorur gjithmonë si mish për top në konfliktet në Lindjen e Mesme po ju ikën nga duart dhe po ndjek një politikë e cila i shkon për shtat interesave të saj të brendshme në radhë të parë, por nga ana tjetër rrit ndikimin dhe dominimin e faktorit musliman në rajon.

Për sa i përket Iranit, Z. Muniz tha se tërheqja e administratës Trump nga pakti bërthamor me Iranin ishte lëvizje në njëfarë mase e nevojshme, megjithëse marrëveshja ka qenë shumë e mirë. Kjo për arsye se Irani vazhdimisht ka shkelur pika të caktuara të marrëveshjes duke e zgjeruar aktivitetin e tij bërthamor dhe duke prodhuar armë të rrezikshme për stabilitetin e rajonit. Ai gjithashtu tha se Irani është një vend i cili po eksporton radikalizëm dhe kjo e tremb shumë Evropën, por edhe Ballkanin të cilat janë nën rrezen e tij të veprimit. Për këtë arsye politika shqiptare por edhe qytetarët duhet të heqin dorë nga marrëdhëniet me vende të tilla të rrezikshme.

Ambasadori ka të drejtë kur thotë se Irani eksporton radikalizëm, por këtë jo me vullnetin e tij të lirë. Ambasadori duhet ta dijë mjaft mirë se politika e jashtme e vendit të tij “detyroi” shtetin shqiptar të importonte mbi 3000 muxhahedinë iranianë të organizatës terroriste MEK. Pra Shqipëria është vërtet e rrezikuar nga radikalizmi iranian, por kjo jo për faj të politikave të Republikës Islamike të Iranit në Ballkan, por si pasojë e interesave afatmesme të SHBA-ve dhe si pasojë e mefshtësisë së qeverisë Shqiptare në trajtimin e cështjeve të sigurisë. Mbase duhet t`i jepet të drejtë ndonjë interesi të kushtuar vendit tonë nga Republika Islamike e Iranit pasiqë ky grup ushtarak (MEK) i vendosur në Shqipëri rrezikon drejtpërdrejt sigurinë e vendit të tyre.

Në seminare u diskutua gjithashtu edhe për krizën e refugjatëve sirianë. Koordinatori kombëtar i zyrës për ekstremizmin e dhunshëm Agron Sojati e nisi kumtesën e tij duke thënë që “qarkullon një thashethem sikur në Shqipëri pritet të vijnë 600.000 terroristë” dhe menjëherë pas saj bëri interpretim të këtij thashethemi duke thënë se numrat në fakt janë pak të hiperbolizuar, sespse numri i tyre do të jetë më i reduktuar. Sipas fjalës së Agron Sojatit ne duhet të përgatitetemi që të strehojmë terroristë që vijnë nga lufta në Siri në vendin tonë të cilët mund të bëhen shkak për destabilizim në vend. Por kjo fjali e z. Sojati ne njefare menyre na konfuzoi ne pjesemarresit ne shkollen e veres. Ne nje ane Shqiperia kerkon te luftoje radikalizmin e dhunshem, por ne anen tjeter ne strehojme radikale? Si do sillet Shqiperia me radikalet e ISIS-it qe do vine ne Shqiperi? Do i leme ne kampe sikur kemi lene radikalet e MEK-ut?

Një tjetër element të cilin dëshiroj ta përmend nga diskutimet e shkollës verore është biseda e drejtorit ekzekutiv të Institutit Shqiptar të Medias , Remzi Lanit. Ndër të tjera z. Lani tha se Rusia është një prej faktorëve të tretë të cilët po synojnë ndikim në Ballkan jo për qëllime gjeo-strategjike, por me qëllimin e vetëm për të alarmuar dhe prishur qetësinë e BE dhe NATO, ndërsa Kina ka vetëm synime ekonomike nga ana e saj. Ai u shpreh se në Samitin e fundit të BE u vërejt një vullnet i dobët për zgjerimin e mëtejshëm të unionit dhe se procesi i Berlinit është afër fundit. Në lidhje me Turqinë z. Lani përdori tone më të ashpra dhe ekstremiste. Ai thoshte se Turqia nuk është një vend prej të cilit duhet të marrim shembull të demokracisë apo të mënyrës së drejtimit të shtetit pasi në Turqi demokracia ka vdekur. Erdogani me politikën e tij bart një axhendë të rrezikshme Islamike e cila cënon sigurinë e vendit tonë. Megjithatë investimet turke dhe suksesin e tyre në ekonomi duhet ta mirëpresim dhe të marrim shembull-shprehet ai. Me pak fjalë z. Lani thotë që bukën t`ia hamë turkut, kurse duanë kaurit. Nuk e di pse z. Lani thotë se Turqia nuk ka demokraci kur në zgjedhjet e fundit pjesmarrja në zgjedhje ishte shumë më e lartë sesa në shumë vende të BE apo edhe e SHBA. Krahas kësaj nuk është parë në ndonjë vend diktatorial që të bëhen zgjedhje demokratike dhe kryetari i opozitës të pranojë humbjen dhe të urojë fituesin, sic bëri Muharrem Ince para një muaji. Krahas kësaj Z. Lani duhet ta dijë mirë se në ambjektin perëndimor është një debat i madh që bëhet në lidhje me demokracinë liberale si model qeverisjeje, pasi që ka treguar mungesë të stabilitetit dhe sigurisë së qytetarëve të saj. Kjo vërehet edhe në zgjedhjet elektorale të vendeve të BE të cilat po shohin rritje të elektoratit të ekstremeve të majta dhe të djathta. Hungaria dhe Austria po aplikojnë gjithnjë e më shumë politikë të fortë, ku i pari refuzon refugjatët sepse janë muslimanë dhe i dyti mbyll xhamia me justifikimin se rrezikojnë stabilitetin në vend. Nga ana tjetër Trump ngre mure me vendet fqinje dhe ndalon hyrjen e qytetarëve të disa vendeve muslimane dhe kjo nuk shihet si cënim i parimeve demokratike, por si cështje sigurie. Gjithashtu Z. Lani duhet të ketë parasysh se ne shqiptarët jemi popullsi me shumicë muslimane dhe stabiliteti që Turqia ka treguar në modelin e saj të rregullimit të jetës fetare duhet të merret shembull edhe të ne, gjë kjo e cila u theksua edhe nga Ergys Muzhaqi- ekspert për sigurinë në vend. Qeveria shqiptare dhe shoqëria civile duhet ta kuptojnë që feja (në këtë rast Islami) janë ndihmëse dhe kontribuese në laicitetit e vendit dhe të hiqet dorë njëherë e mirë nga një mendësi ateiste e cila e sheh fenë si rrezik.

Së fundi dëshiroj ta mbyll me një kritikë të lidhur me një studim të bërë nga AIIS në lidhje me radikalizmin fetar. Në studimin që u paraqit në seminar u vërejt se pavarësisht se tema kishte të bënte me problemet që sjell ekstremizmi dhe radikalizmi me baza fetare, studimi paraqiste vetëm “radikalizmin islamik” dhe metodat për ta parandaluar ose kuruar atë. Pas një replike të bërë me përgatitësit e studimit ku ju bëra me dije se këtu te ne rreziqet nga ekstremistët katolikë apo të misionarëve të feve të tjera janë të një shkalle më të lartë, kuptova se studimet e bëra një pjesë të informacioneve të tyre i mbajnë konfidenciale dhe paraqiten vetëm pjesë të vecanta të studimeve.

Këtë problem e kam ndjerë edhe në seminare të organizuar nga institute të tjera të cilët dëshirojnë me cdo kusht të paraqesin rrezikun që vjen nga “radikalizmi islamik” dhe ta paraqesin si fakt prezent në mesin e shoqërisë sonë. Evropianët duhet të kenë një standard përsa i përket ekstremizmit dhe radikalizmit nëse duan të krijojnë stabilitet. Në kohën kur flitet për masat kundër ekstremizmit duhen pasur parasysh të gjithë llojet e ekstremizmit duke nisur nga ai katolik që po përhapet në masë në Evropë e deri te të gjitha llojet e tjera. Kur Turqia si anëtar kyc i NATO-s thotë që në Shqipëri operojnë organizata terroriste si FETO, apo kur qeveria jone strehon MEK-un, kjo duhet shikuar me seriozitet dhe duhet punuar për të zgjidhur këto cështje, ndryshe nga mënyra si është vepruar ku fjala e shtetit turk ka rënë në vesh të shurdhër kjo gje te beson se kemi me standarte dyfishe. Kur radikalizmi katolik cënon sferën publike, duhen marrë masa serioze për ta kuruar këtë problem. Nëse do të vazhdohet me politika të dyfishta balancat do të prishen këtu në rajon dhe besueshmëria ndaj faktorit ndërkombëtar do të vijë duke rënë.

Mendoj se kjo politikë do të ketë efekt bumerang, e cila në vend që të zgjidhë do të krijojë probleme të paqena në sferën tonë publike. Të ndërtosh një ambjent të tendosur të cilin e ushqen frikë, ksenofobi, islamofobi dhe radikalizëm fetar e bën shoqërinë të ndjehet më pak e sigurt dhe më shumë në panik. Shqipëria është një vend evropian me kulturë dhe trashëgimi osmane dhe kjo duhet pasur parasysh në mënyrë që të ruhen balancat dhe paqja e brishtë aktuale.

201