Intelektualët Orthodoksë letër Ramës e Metës: Drejtori i Arkivave ka cënuar laicitetin

Grupi i Lidhjes së intelektualëve Orthodoksë dhe i disa intelektualëve të tjerë nga Komunitetet Fetare të Shqipërisë përmes një letre drejtuar Presidentit të vendit Ilir Meta dhe kryeministrit Edi Rama, kanë kërkuar nga këto institucione që të reagojnë në lidhje me deklaratat e drejtorit të Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave Ardit Bido i cili sipas tyre ka cenuar laicitetin dhe fyer Kishën Autoqefale Orthodhoske.

Në letër shkruhet se Bido ka sulmuar publikisht kreun e Kishës Autoqefale Orthodhokse të Shqipërisë, Kryepeshkopit Anastas dhe kerkojne qe shteti te ruaj laicitetin dhe zyrtaret shteterore te mos sulmojne Kishat dhe Xhamite, por ti permbahen laicizmit te shtetit. Me poshte eshte letra:

Tiranë, 4/01/2018

LETËR E HAPUR

Ardit Bido, Drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave ka cënuar laicitetin dhe fyer Kishën Autoqefale Orthodhoske

 

Drejtuar: Kryetarit të Kulteve fetare pranë Kryeministrisë

Për Dijeni: Kryeministrit Edi Rama

Presidentit: Ilir Meta

 

Grupi i Lidhjes së intelektualëve Orthodoksë dhe i disa intelektualëve të tjerë nga Komunitetet Fetare të Shqipërisë janë indinjuar dhe shqetësuar nga fakti që disa përfaqësues dhe drejtues të administratës shtetërore në ditët e fundit kanë sulmuar publikisht kreun e Kishës Autoqefale Orthodhokse të Shqipërisë, Kryepeshkopit Anastas.

Ndërsa sulmet dhe kritikat nga analistë të pavarur nuk mund të ndalohen në një shoqëri të hapur dhe demokratike, ne nuk arrijmë të kuptojmë sesi zyrtarë shtetërorë, të cilët paguhen nga taksapaguesit shqiptarë, edhe ata të përkatësisë orthodhokse, guxojnë të fyejnë krerët e feve të mëdha të Shqipërisë. Ne jemi të indinjuar në veçanti nga z. Ardit Bido, Drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave i cili në një seri prononcimesh publike ka sulmuar Kishën Orthodhokse dhe kreun e saj, Kryepeshkop Anastasin.

Grupi i Intelektualëve Orthodoksë dhe të Komuniteteve të tjera Fetare të Shqipërisë, kërkon që qeveria dhe shteti shqiptar të mbajnë qëndrim ndaj përfaqësuesve të administratës shtetërore që shkelin Kushtetutën sikur z. Bido të cilët sulmojnë drejtuesit kryesorë të feve tradicionale në Shqipëri. Sulmi që vjen ndaj kreut të Kishës Orthodhoksë Autoqela me pretekstin injorant se në Kishën Orthodokse flitet greqisht apo edhe akuza të tjera absurde, është një sulm që kalon kufijtë e laicitetit.

Të habit fakti që personat që sulmojnë Kishën Orthodhokse, nuk bëjnë të njëjtën gjë me priftërinjtë katolikë që krahas gjuhës shqipe përdorin edhe latinishten në predikime, apo edhe me klerin islami i cili krahas gjuhës shqipe përdor edhe arabishten. Pse duhet të ketë selektivitet vetëm në sulmin kundër Kishës Orthodhokse?

Grupi i Intelektualëve Orthodoksë dhe të Komuniteteve të tjera Fetare të Shqipërisë dënon të gjithë sulmet që bëhen kundër të gjithë grupeve fetare në Shqipëri, qofshin ata myslimanë, orthodhoksë, katolikë apo të besimeve të tjera. Ne besojmë që në një shtet laik fetë gëzojnë të drejtën e ushtrimit të besimit të tyre të lirë, me ritet, mendimet, gjuhët dhe librat që ato konsiderojnë të shenjta, për sa kohë që një gjë e këtillë nuk prek bashkëjetesën ndërfetare.

Grupi i Intelektualëve Orthodoksë dhe të Komuniteteve të tjera Fetare, është i lumtur që presidenti shqiptar i akordoi shtetësinë shqiptare Krypeshkopit Anastas, dhe e falenderon atë përzemërsisht. Ky fakt tregon se epoka e konflikteve dhe e mllefeve me politikën greke dhe njësimi i orthodoksisë me Greqinë është duke marrë fund në vendin tonë. Presidenti Meta dëshmoi që përpara ligjit të gjithë janë të barabartë në vendin tonë pa dallim feje, kombësie dhe ideje.

Grupi i Intelektualëve Orthodoksë dhe të Komuniteteve të tjera Fetare kërkon nga Komiteti Shtetëror për Kultet, Kryeministri, Presidenti dhe drejtuesit e shtetit tonë që të bëjnë çfarë është e domosdoshme për të ndaluar sulmet kundër klerikëve të feve në vendin tonë nga zyrtarët shtetërorë. Drejtuesit e institucioneve publike duhet të jenë shekullarë dhe asnjanës në lidhje me fete dhe të ruajnë distancën që laicizmi garanton në çështjet fetare.

Për sa më sipër, ne kërkojmë nga autoritetet shtetërore që të garantojnë ruajtjen e shekullarizmit në vendin tone. Ata duhet të urdhërojnë zyrtarët shtetërorë që ata në asnjë moment nuk duhet të tregojnë urrejtje me ngjyrime fetare apo anti-fetare, klanore, partiake apo kombëtare, kundër feve tradicionale në vendin tonë.

Ky është rregulli kryesor i tolerancës sonë ndërfetare dhe bashkëjetesës që ne kërkojmë që zyrtarët tanë shtetërorë të respektojnë me fanatizëm.

Me nderime,

Një Grup i Intelektualëve Orthodoksë  dhe i Komuniteteve të tjera Fetare të Shqipërisë

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne