Interesante nga e kaluara në Damask: pse pronari i një gomari të bardhë nuk ia shiti veshgjatin mbretit gjerman

Në vitin 1898 mbreti gjerman Vilhem II vizitoi Shamin, më saktësisht qytetin e Damaskut, ku hasi në një mirëseardhje të pazakontë nga banorët aty. Në atë rast, në hyrje të kështjellës, gruaja e Vilhem II pa një gomar tërësisht të bardhë që tërhoqi vëmendjen e saj. Ajo i kërkoi guvernatorit të atëhershëm të Damaskut, Mustafa Asim Pashës, t’ia sjellë gomarin e bardhë për ta marrë atë me vete në Berlin. Mustafa Asim Pasha menjëherë filloi të kërkonte pronarin e gomarit të bardhë.

Pronari i gomarit quhej Ebul-Hajr. Mustafa Asim Pasha kërkoi që ai t’ia dhurojë mbretëreshës gomarin, por ai, me keqardhje, refuzoi një ofertë të tillë.

Mustafa Asim Pasha u zemërua dhe i ofroi atij një shumë të majme parash për veshgjatin e bradhë, por Ebul-Hajri refuzoi ta shiste. Duke i shpjeguar guvernatorit refuzimin e tij, ai tha me buzëqeshje: “I dashur guvernator, kam gjashtë kuaj të racave më të mira dhe nëse do, unë do t’ia dhuroj ato perandorit pa ndonjë kompensim, por jo gomarin”. Guvernatori u befasua nga një përgjigje e tillë dhe e pyeti atë se pse nuk pranonte t’a jepte gomarin.

Ebul-Hajri u përgjigj: “Nëse mbretëresha sjell gomarin në vendin e saj, të gjitha gazetat botërore do të shkruajnë për të dhe do të pyesin njerëzit se “prej nga është gomari”, e me gjasë përgjigja do të jetë “nga Shami”, dhe kështu gomari do të marrë emrin “gomari nga Shami” e njerëzit do të qeshin me të. Dhe ndoshta njerëzit do vijojnë të pyesin: ‘A nuk gjeti mbretëresha ndonjë gjë të çmuar në Damask, përveç një gomari?’ Kjo është arsyeja pse nuk do ta shes”.

Guvernatori e përcolli lajmin te mbreti i cili u befasua dhe u mahnit nga përgjigja, andaj urdhëroi që pronarit të gomarit t’i jepet një shpërblim simbolik, me këtë motivacion: “ka njerëz që frikësohen vetëm nga zëri i keq për vendin e tyre, dhe ka edhe ‘gomerë’ që, pa menduar fare, e shesin vendin e tyre me të gjitha pasuritë dhe vlerat që ka”.

Kjo rrëfenjë lidhet pak dhe me aktualitetin shqiptar, ku kryeministri Rama po i lutet opozitës që mos e nxijë imazhin e vendin në arenën ndërkombëtare si një vend me drogë e kriminelë. Në gjykimin e tij opozita po e bën këtë gjë, por kjo e fundit pretendon se gjithçka i adresohet qeverisë si shkaktare e gjendjes dhe jo vendit./tesheshi

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne