INTERPOL’i heq nga lista e të kërkuarve kryeministrin Haradinaj

Që nga ankesa e bërë nga Policia e Kosovës e deri më sot kanë kaluar më shumë se një vit, por sot, 18 personat e fundit që kanë qenë në kërkim ndërkombëtar nga Serbia për krime lufte apo krime ndaj civilëve gjatë kohës së luftës në Kosovë, janë larguar nga kërkimi në INTERPOL.

Në mesin e këtyre 18 personave ka qenë edhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili më 4 janar të këtij viti qe arrestuar në bazë të një urdhërarresti ndërkombëtar të lëshuar nga Serbia, në Mulhouse të Francës.

Burime brenda Policisë së Kosovës i kanë thënë Gazetës Online Insajderi se sot është tërhequr nga lista e INTERPOL-it kryeministri Haradinaj.

Derisa ishte duke u zhvilluar takimi mes dy qeverive në Shqipëri, Ministri i Punëve të Brendshme Flamur Sefaj dhe drejtori i Policisë së Kosovës Shpend Manxhuni qëndruan në vizitë në selinë e INTERPOL-it, në Lyon të Francës.

Edhe pse nuk dihet se çfarë u diskutua aty, menjëherë pas ardhjes së tyre në Kosovë, 18 personat që ishin në kërkim ndërkombëtar nga Serbia, u larguan nga lista.

Edhe disa muaj pas ndalimit të Haradinajt në Francë, Policia e Kosovës kishte kërkuar nga INTERPOL-i heqjen nga lista e të kërkuarve, për kosovarët që kishin urdhërarreste ndërkombëtare të lëshuara nga Serbia.

Insajderi kishte siguruar listën e ish-luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët kishin urdhërarreste ndërkombëtare të lëshuara nga Serbia.

Në këtë listë, përveç Haradinajt, bëjnë pjesë edhe Azem Syla, Shukri Buja, Tomor Morina, Sinan Morina, Fadil Kastrati, Murtez Kastrati, Ardian Duraku, Vitor Zefaj, Besim Vokshi, Mahmut Ukshini, Fadil Syleviqi, Sylë Qeriqi, Qamil Pajaziti, Shpejtim Demiri, Azem Olluri, Muharrem Gashi, Bujar Bobani, Rabit Aliji dhe Faruk Noshaj.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne