Luçiano Boçi, një nga deputetët mjaft aktiv të PD-së ka bindjen e plotë se vetëm revoltat popullore kundër Edi Ramës mund të ndalin rrënimin e vendit dhe fillimin e ndë-rtimit të një jete e rendi social dinjitoz, të mbështetur mbi parime, vlera e norma morale e politike. Z.Boçi thotë për “Gazeta Shqiptare” se trysnia dhe kërkesa qytetare për revolta masive sa vjen e shtohet. Luçiano Boçi apelon se koha nuk pret dhe nëse refuzohet vetingu në politikë dhe paketa antimafia, opozita do të zbresë në sheshet e Shqipërisë. Ai paralajmëron se: “Njëkohësisht jemi gati për çdo betejë e përdorimin e çdo mjeti që çon në zgjidhjen e emergjencës kriminale, e lidhur me largimin e domosdoshëm të Ramës, nëse ai refuzon t’i lerë vendin një qeverie antimafia”.

Z.Boçi, para pak ditësh ju paditët policinë dhe policia ju paditi ju, por çfarë ndodhi realisht në Mengël të Elbasanit? …

Në Mengël ndodhi gjithçka. U shpalos një qëndresë e solidaritet shembullor i banorëve. Beteja e tyre ishte epike për nga vlerat demokratike e sociale që përcolli. U shfaq edhe njëherë në lakuriqësinë e saj tipike paaftësia dhe papërgjegjshmëria e Ministrisë së Arsimit dhe titullares së saj. Tri javë nuk lëvizi nga kolltuku i zyrës së saj Nikolla dhe qëndroi tërësisht e heshtur dhe e pashqetësuar fare se 400 fëmijë kishin ditë të tëra që nuk uleshin në bankat e shkollës. U zbulua qartazi absurdi që ka zënë prej fyti Bashkinë Elbasan, e cila kujton se dija e arsimimi, sikurse paratë, fitohen vetëm me tender, me negocim të drejtpërdrejtë, ose jepen me qira për shumë vite. U shpalos në tërë pamjen e tij të plotë agresiviteti, harbutëria, përçudnimi i një pushteti që policinë e ka bandën e vet politike dhe të cilën e përdor si “qen sulmi” për të shuar çdo revoltë qytetare e jo për të luftuar partnerin e saj, me të cilën ndan sot pushtetin, krimin. Pamjet tronditëse të Mengëlës me policë e forca speciale që godisnin fëmijët, prindërit në prani të tyre, që tërhiqnin zvarrë gratë, vetëm e vetëm se kërkonin të drejtën për arsimim të nxënësve ishin shokuese për këdo dhe të pangjara. Asgjë nuk ishte e rastit.

Të gënjyer prej një viti, nxënësit ishin të detyruar të bënin një varavingo drejt Elbasanit, me justifikimin e pabazë të gjendjes jofunksionale të shkollës. Bashkia kishte premtuar rikonstruksion, por nuk ndërhynte me punime e fonde. Ministria kishte mbyllur sytë dhe veshët para faktit dhe nuk bëzante. Normal që kjo solli reagimin e banorëve, të cilët kërkonin me të drejtë hapjen e shkollës. Ditë me radhë nxënësit kërkuan një reagim, përgjigje ose takim nga ministria dhe bashkia, por askush nuk e “vuri ujin në zjarr” për to. Përkundrazi, me cinizëm dhe akuza politike i dërgonin “për vizitë” çdo ditë policinë dhe forcat speciale tek pragu i shkollës. Banorët kërkuan leje për protestë në rrugë, leje që u refuzua dhe më pas vendosën në mënyrë paralajmëruese bllokimin disaminutësh të rrugës nacionale dhe e hapën vetë shkollën. Në vend të dialogut, shteti i dërgoi forcat speciale që u bënin karshillëk në oborrin e shkollës fëmijëve. Situata e shoqëruar me heshtje totale shtetërore e dhunë policore që arrestonte herë pas here burrat e zonës u agravua edhe ditën e martë, fëmijët dhe gratë vendosën të bllokojnë rrugën nacionale deri në plotësimin e kërkesave të tyre, për hapjen e shkollës ose rregullimin e saj në një afat të përcaktuar. Me urdhër politik, policia e ndihmuar nga forcat speciale dhunoi fëmijët e gratë, pa arritur t’i largojnë nga rruga. Pamjet e dhunës së ushtruar ishin tronditëse.

Përse ju paditi policia?
Personalisht kam qenë aty në përkrahje të fëmijëve dhe të nënave të tyre dhe në disa raste më është dashur të ndërhyj për të shmangur pasojat e brutalitetit policor. Pas 6 orësh banorët pranuan të lirojnë rrugën, me kusht lirimin e të arrestuarve dhe hapjen e punimeve për rikonstruksion. Padia që ngrita është më se e arsyeshme. Pamjet filmike të dhëna nga mediat si dhe të bëra nga shumë dëshmitarë dëshmojnë qartë tejkalimin e kompetencave të policisë dhe keqtrajtimin e goditjen e fëmijëve dhe të grave. Më pas padia mjerane e policisë ndaj meje dhe personave të tjerë, për turpin e vetë policisë, u bë pas trysnisë dhe urdhërimit politik, që drejtuesit morën nga “shefat” e tyre në Tiranë dhe Elbasan.

Opozita ka nisur aksionin politik, por kryeministri Rama vazhdon të qëndrojë në pushtet…
Ne jemi në aksion dinamik opozitar të pandërprerë. Kemi një marrëdhënie të kushtëzuar me parlamentin, për shkak të implikimit të thellë të anëtarëve të tij nga mazhoranca në qeverisje me krimin. Kemi marrë iniciativën ligjore të vetingut politik për të pastruar në thellësi politikën, për të shpëtuar kapjen e drejtësisë, për të çliruar ekonominë nga krimi dhe zgjedhjet nga blerja e banditizmi politik. Kemi një aktivitet denoncues faktik dhe kapilar, duke zbuluar sheshit implikimin kriminal të përfaqësuesve të kësaj mazhorance, aferat, korrupsionin, përfshirjen në trafikime e përdhunime të përfaqësuesve të kësaj mazhorance. Jemi duke ofruar njëkohësisht alternativën tonë, që kombinon ndërtimin e besimit, lindjen e shpresës e ndëshkimin e simbiozës oligarkike politikë-krim. Njerëzit kanë filluar të shprehin zemërimin e tyre në protesta e revolta e ne jemi pranë tyre. Njëkohësisht jemi gati për çdo betejë e përdorimin e çdo mjeti që çon në zgjidhjen e emergjencës kriminale, e lidhur me largimin e domosdoshëm të Ramës, nëse ai refuzon t’i lërë vendin një qeverie antimafia.

Burimi: Balkanweb

5