Intervista e Ambasadorit të Rusisë në Tiranë Aleksandër Karpushin për televizionin “Fax News”,

Intervistoi: Ambrozia Meta

1. Ditët e fundit skandali diplomatik i shpërthyer pas helmimit të dy shtetasve rusë në Salisbury të Britanisë së Madhe është tensionuar akoma më shumë. Pala shqiptare doli me një deklaratë të Ministrisë së Jashtme dhe dëboi dy diplomatë të Ambasadës Ruse në Tiranë. Nga ana e saj Rusia dëboi një numër të madh të diplomatëve të vendeve perëndimore, përfshirë këtu edhe dy diplomatë shqiptarë. Si ju duket veprimi i Shqipërisë?
Ambasada jonë e ka komentuar tashmë edhe qëndrimin e palës shqiptare ndaj “çështjes Skripal”, edhe vendimin e Tiranës për dëbimin e diplomatëve tanë. Siç përmendi Ministri i Jashtëm i Shqipërisë z. Bushati, ky vendim është marrë për arsye solidarizimi me aleatët e NATO-s në bazë të provave paraprake, pra faktikisht në bazë të akuzave të pathemelta kundër Rusisë për gjoja implikimin e saj në incidentin e Salisbury. Vetëm mund të përseris se ne e shohim këtë veprim të Tiranës si një hap jomiqësor, të pajustifikuar dhe të motivuar politikisht. Madje, ky hap është bërë në mënyrë jokorrekte, e kam fjalën për bërjen publike të të dhënave personale të diplomatëve të dëbuar, gjë që bie në kundërshtim të thellë me praktikën e gjithëpranuar ndërkombëtare. Asnjë vend tjetër nuk e ka bërë një gafë të tillë.
Duhet nënvizuar se jo të gjitha vendet, të cilat dëbuan diplomatët rusë, e kanë bërë këtë me vullnet të lirë. Në këtë aksion edhe Britania e Madhe, edhe BE-ja, edhe SHBA-të kanë ushtruar presion mbi të tjerët. Ministrja e Jashtme e Austrisë znj. Kneissl deklaroi hapur për trysninë e ushtruar nga ambasadori britanik në Vjenë. Megjithatë, Austria, siç dihet, nuk iu nënshtrua këtij diktati. Jam i sigurt që edhe shumë vende të tjera, përfshirë edhe ato që nuk mund t’i kundërshtonin këto kërkesa, e kuptojnë pathemelësinë e pretendimeve të ngritura ndaj Rusisë dhe janë të vetëdijshëm qoftë për mungesën e provave dhe fakteve konkrete, qoftë për jotransparencën e hetimit.
Në këndvështrimin tim, në këtë situatë udhëheqja shqiptare ka zgjedhur një rrugë të gabuar. Vendimi i saj e ka përçarë në fakt opinionin publik në Shqipëri. Ekspertë objektivë, të cilët mbajnë një qëndrim të balancuar dhe shprehin pikëpamjen e shumë qytetarëve të zakonshëm, e kanë dënuar dëbimin e diplomatëve rusë dhe e kanë theksuar me të drejtë se kjo lëvizje është kundërproduktive dhe do të çojë në përkeqësimin e marrëdhënieve tona dypalëshe.

2. Sa i dëmton ky vendim marrëdhëniet e Rusisë me Shqipërinë dhe a kërkojnë kohë për t’u rikuperuar?
Siç përmenda më sipër, duket shumë qartë se raportet tona dypalëshe kanë pësuar një dëm të konsiderueshëm dhe rimëkëmbja e tyre nuk do të jetë e lehtë. Në fakt, kishim plane shumë të mëdha të rakorduara me palën shqiptare: zhvillimin e raundit të radhës të konsultimeve diplomatike midis ministrive të jashtme, mbledhjen e Komisionit Ndërqeveritar për Tregtinë, Bashkëpunimin Ekonomik dhe Tekniko-Shkencor, përditësimin dhe nënshkrimin e Traktatit të Miqësisë dhe Bashkëpunimit të sigluar që në vitin 2004. Kam frikë që të gjitha këto dakordësi mund të mbeten të ngrira për një afat të papërcaktuar. Nuk di të them saktësisht se sa kohë do të na duhet për të rinisur një diskutim të mirëfilltë të këtyre temave. Mendoj se këtë pyetje do të ishte më mirë t’ia bëni palës shqiptare, pasi iniciativa e përkeqësimit të marrëdhënieve tona i përket pikërisht asaj. Pas bashkimit të Tiranës në vitin 2015 me sanksionet e paligjshme të BE-së kundër Rusisë, kjo është goditja e dytë dhe madje akoma më e rëndë për lidhjet tona bilaterale.

3. A mund të flasim për një afrim të Moskës me Greqinë dhe Turqinë, vende këto që nuk pranuan t’i bashkoheshin SHBA-së dhe BE-së për të dëbuar diplomatët rusë?
Ashtu sikundër e kam theksuar më parë, Greqia dhe Turqia nuk janë anëtarë të vetëm të NATO-s dhe BE-së që nuk pranuan të bëheshin pjesë e kësaj fushate rusofobike. Shumica dërrmuese e vendeve të botës po e shohin të habitur këtë “spektakël” të fshehur nën maskën e solidaritetit. Ndërkohë që vendimi i Athinës dhe Ankarasë tregon pavarësinë dhe paanshmërinë e politikës së tyre të jashtme, si edhe aftësinë e këtyre vendevepër të vlerësuar aksione të tilla në mënyrë kritike. Me veprimine tyre Turqia dhe Greqia treguan se mbeten partnerë të sigurtë dhe të besueshëm të Rusisë, fakt ky që do të sjellë patjetër një impakt pozitiv në marrëdhëniet e tyre me vendin tonë.

4. Rusia ka mohuar të ketë gisht në helmimin e ish-agjentit rus dhe vajzës sëtij. Dyshimi i Britanisë së Madhe ngrihet mbi faktin se helmimi ka ardhur nga një agjent i rrallë nervor që prodhohet vetëm nga laboratorët rusë. Me cilat akuza të ngritura nga Britania e Madhe ju nuk jeni dakord?
Ka kaluar tashmë një muaj pas incidentit në Salisbury, dhe ne nuk kemi asnjë dyshim që të gjitha akuzat e ngritura nga Britania e Madhe janë thejsht spekulime të pabaza dhe të motivuara politikisht. Shumë pikëpyetje ngre shpejtësia, me të cilën Britania e Madhe që ditën e nesërme pas incidentit ia hodhi gjithë fajin Rusisë, si edhe refuzimi kokëfortë i Londrës për të kryer një hetim të gjithanshëm të këtij krimi në bazë të mekanizmave të parashikuar në Konventën për Ndalimin e Armëve Kimike. Veç kësaj, na është mohuar aksesi tek mostrat e substancës helmuese dhe rezultatet e analizave të zhvilluara nga britanikët. Ambasada jonë në Londër nuk po merr asnjë informacion për gjendjen shëndetësore të shtetasve rusë të lënduar gjatë atentatit.
Ndërsa më e rëndësishmja është kjo: kryeministrja britanike Theresa May ka pohuar se helmi, apo agjenti nervor, ishte prodhuar dhe kishte ardhur nga Rusia. Megjithatë, drejtori i laboratorit britanik në Porton Down, i cili merret me kërkime në fushën e substancave helmuese, deklaroi dje se specialistët e këtij laboratori nuk arritën ta provonin origjinën ruse të gazit nervor as faktin që kishte ardhur nga Rusia. Ky lajm i përgënjeshtron tërësisht akuzat e ngritura nga kryeministrja May.
Kemi parë rrëmujë në formulimin e versionit zyrtar të asaj çfarë ka ndodhur në Salisbury, version kyqë ka ndryshuar disa herë. Është deklaruar se helmi, një agjent nervor, kishte ardhur nga Rusia. Në fillim është thënë se helmi ishte hedhur në një buqetë me lule apo në veshjet e vajzës së Sergej Skripalit, pastaj është thenë që ishte lënë në derën e shtëpisë së Skripalit, dhe së fundmi është thënë që helmi ishte futur në një pako me drithëra. Për një profesionist të gjitha këto versione janë absurde. Dhe gjëja më kryesore është se të gjitha ato janë paraqitur pas hedhjes së akuzave për përfshirjen direkte të Rusisë në këtë helmim.
Deri në këtë moment Londra nuk ka paraqitur asnjë provë konkrete të përfshirjes ruse. Mund të mburret vetëm me një konkluzion, që është i papërsëritshëm për nga absurditeti i tij dhe sipas të cilit Rusia është e implikuar në atentatin e Salisbury, pasi “nuk ka asnjë shpjegim të besueshëm alternativ”. Le të mos harrojmë që Rusia nuk ka pasur as më të voglin motiv për të kryer një atentat ndaj Sergej Skripalit, i cili që në vitin 2010 u shkëmbye me një grup shtetasish rusë të ndaluar në SHBA. Skripali nuk ka paraqitur asnjë rrezik për Rusinë, ka jetuar në Britaninë e Madhe për një kohë të gjatë dhe askush nuk e ka cenuar asnjëherë jetën e tij. Është e qartë se një atentat i tillë nuk i interesonte fare Rusisë.
E gjitha kjo tregon se Britania e Madhe ka diçka për të fshehur, dhe për këtë arsye nuk pajtohet dot me idenë e një hetimi objektiv dhe transparent. E gjitha kjo histori, me të gjitha gjasat,është qoftë një provokim i paramenduar, qoftë thjesht një gabim, i cili nuk pranohet dot pa humbje reputacioni. Të deklarosh se Britania e Madhe, ose më saktë kryeministrja e saj bëri një gabim do të thotë të pranosh se nuk pati asnjë substancë helmuese vdekjeprurëse, ndërsa Londra e përfshiu gjysmën e botës në një histori të dyshimtë. Për këtë arsye po bëhet çmos tani për t’i përshtatur rezultatet e hetimit me versionin e paraqitur më parë, kuRusia portretizohet sifajtori kryesor.

5. Zoti Ambasador, në gjykimin tuaj a janë duke fryrë erëra të një lufte të ftohtë?
Po, besoj se mund të themi që periudha e një lufte të ftohtë të re është duke ardhur. Dëshiroj t’i referohem deklaratës së fundit të Ministrit Lavrov, i cili u shpreh se marrëdhëniet aktuale midis Rusisë dhe Perëndimit janë akoma më të këqija se sa gjatë luftës së ftohtë, sepse në atë kohë kanë ekzistuar të paktën disa rregulla të mirësjelljes. Sot nuk ekzistojnë më. Lufta e ftohtë përfundoi me shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik, porduket se Perëndimi nuk e konsideroi atë si një rezultat të mjaftueshëm dhe tani synon diskreditimin dhe dobësimin e Rusisë duke u përpjekur për të detyruar vendin tonë të heqë dorë nga sovraniteti dhe politika e jashtme e pavarur. Mund t’ju them vetëm se këto janë përpjekje të kota.

6. Në Shqipëri kohët e fundit dy partitë më të mëdha në vend janë përfshirë në akuza me njëra-tjetrën për ndikimin rus në politikën shqiptare. Si e gjykoni këtë debat?
E kam theksuar shumë herë që një nga parimet themelore të politikës së jashtme të Rusisë është parimi i mosndërhyrjes në punët e brendshme të shteteve të tjera. Kjo vlen plotësisht edhe kur bëhet fjalë për Shqipërinë dhe për marrëdhëniet midis qeverisë dhe opozitës shqiptare. Fakti që në vendin tuaj po bëhen përpjekje për të luajtur kartën ruse në mënyrë të pandershme për interesa të luftës së brendshme politike, nuk ngjall gjë tjetër veçse keqardhje. Anjë koment tjetër nuk kam.

7. Sa e gatshme është Rusia të krijojë një marrëdhënie më të ngushtë me Shqipërinë në rast se vendi ynë nuk do tëintegrohet në Bashkimin Europian?
Unë mendoj që pyetja juaj nuk përmban një mesazh korrekt. Aspirata evropiane e Shqipërisë, si edhe të vendeve të tjera të Ballkanit, nuk krijon asnjë kundërshtim nga ana e Rusisë dhe nuk përbën pengesë për zhvillimin e një bashkëpunimi me përfitim të ndërsjellë. Drejtuesit e vendit tonë e kanë theksuar këtë gjë në mënyrë të përsëritur. Pyetja kryesore është sa e gatshme është vetë Shqipëria për të zgjeruar marrëdhëniet me Rusinë. Për momentin, siç tregon edhe eksperienca jonë e tanishme, shumë prej propozimeve konstruktive të iniciuara nga pala ruse për fat të keq hidhen poshtë nga Tirana. Gjithsesi, do të dëshiroja të shprehja pak më shumë optimizëm. Duke marrë parasysh mendimin e numrit të madh të qytetarëve të thjeshtë shqiptarë, të cilët e duan forcimin e miqësisë midis dy vendeve tona, besoj se përmirësimi i marrëdhënieve Rusi-Shqipëri do të jetë i pashmangshëm.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne