Ahmad Khatami, imam i namazit të xhumasë në kryeqytetin Teheran të Iranit, pretendoi të dielën se vendi i tij zotëron formulën e bombës atomike, por nuk ka ndërmend ta prodhojë këtë armë të shkatërrimit në masë.

Sipas medias shtetërore iraniane, Khatami është prononcuar në qytetin Mashhad rreth fuqisë bërthamore të vendit, gjatë një fjalimi në ceremoninë me rastin e përvjetorit të vdekjes së hz. Fatimës, një prej vajzave të Profetit Muhamed(s.a.v).

“Irani e di formulën e bombës atomike, por nuk ka dëshirë të përfitojë nga kjo armë e shkatërrimit në masë. Megjithatë zotërimin e energjisë bërthamore ne e shohim si një çështje jetike për vendin tonë”, u shpreh ai duke theksuar se Teherani nuk e ka çuar kurrë në mendje prodhimin e bombës atomike.

Nga ana tjetër, zyrtari fetar iranian kritikoi deklaratat e Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, i cili i ka kërkuar vendit të tij që të ndërpresë programin e raketave balistike.

“Fuqia raketore është me rëndësi jetike për Iranin. Djallëzitë e SHBA-së e dobësuan fuqinë bërthamore të Iranit, megjithatë edhe marrëveshja bërthamore mbaroi. Faktori që mbron Iranin në këto rrethana është pikërisht fuqia raketore. Nëse na e rrëmbejnë edhe këtë fuqi, atëherë drita e ditës kthehet në errësirë nate për ne. Fuqia jonë raketore është tmerri i imperialistëve”, vlerësoi Khatami./ trt

27