IRAN: Ndryshim rregjimi-hic! Business as usual-plot!

 

Nga GJERGJI THANASI

Si pjesë e një grupi gazetarësh shqiptarë kreva një udhëtim 9 ditor në Iran plot me takime e vizita intensive dhe ekstensive në Teheran, Isfahan e Qom (si numër popullsie i pari, i treti dhe i shtati qytet i Iranit). U përpoqa të hulumtoj nga ana gazetareske sa të ngjarë ka që të jenë të vërteta deklaratat për ndërrim të shpejtë rregjimi , që fillojnë me Madam Rajavi-n e kultit MEK dhe mbarojnë me z. Giuliani ish kryebashkiak i Nju Jorkut

Prisja që situata në rrugët e qyteteve iraniane të ishte e ngjashme me Shqipërinë në janar 1997. Shpresoja të fotografoja postblloqe plot me policë të armatosur rëndë. Prisja të ndeshja nëpër rrugët e qyteteve furgonë të blinduar policie dhe ushtrie, apo edhe milicë Basij, që duke ngarë motorcikleta “grossa cilindrata” të rrihnin miletin e sidomos gratë rrugëve. Prisja e c’nuk prisja. U zhgënjeva! Të vetmit policë, që pashë në këto tre qytete, ishin policët e veshur me të bardha të policisë rrugore, shumica prej të cilëve ishin adoleshentë, që ngjanin edhe më cunakë, sesa policët e rekrutuar vitet e fundit nga Qeveria e Rilindjes këtu në Shqipëri. Vetëm te Ambasada Tuniziane afër xhamisë për besimtarët suni pashë dy policë armatosur me automatikë, që i përkisnin “Diplomatic police”. Në të tre qytetet qetësia ishte shembullore dhe mund të shëtisje rrugëve, apo të pije kafe, caj, lëng frutash të shtrydhura në prezencë tënde edhe në orën një të natës, pa pasur frikë se të grabisnin, të rrihinin apo se policia të bezdiste duke të kontrolluar dokumentet e identitetit. Vite më parë jam trajnuar nga anglezët ndër të tjera “to shake off police officers in plain clothes”, kështu që takimet e mija me iranianë të thjeshtë ishin pa prezencën le të themi frikësuese të policisë lokale.

Në këto takime rinia e kryeqytetit dhe e Isfahanit përgjithsisht ndjehej e bezdisur nga klasa politike e sotme e Iranit, por më shumë se një hall i madh i ngjante një teke adoleshentësh të përkëdhelur. Duke pirë caj me shafran me një grup djemsh e vajzash rreth orës 10 të darkës pranë Stacionit të metrosë “Shahit Beheshti” qëmtova disa nga ankesat e këtyre të rinjve për regjimin e mullahëve. Azari, student në vit të parë (prindërit inxhinjer dhe mësuese) ankohej se rregjimi kishte ndaluar përdorimin e motorcikletave mbi 250 kubikshe duke shkelur të drejtat e njeriut, sepse sipas Azar-it nuk mund të jesh “cool dude” (cun garip), kur në vend të një Kavasaki së paku 700 kubikësh të mbash me zor një motor “Alfakhodro” Iranian prej vetëm 125 kubikësh. Zahra studente mjekësie (me babanë arkitekt dhe mamanë parukiere) ishte e pakënaqur, sepse edhe në një “Shisha Bar”, kur e heq shaminë (shallin) e kokës mund të kesh klientë të epokës së gurit, që të bezdisin duke të këshilluar të vesh shallin! Soha dhe Baran, një cift i ri specialistësh kompjuterash ankoheshin se kriza ekonomike dhe sanksionet amerikane, po i detyronin ta harronin Alanian në Turqi si vend pushimesh dhe të kënaqeshin me një udhëtim te Liqeni Tan apo te Ujëvara Sangan jo shumë larg Teheranit.

Të rinjtë iranianë shprehnin haptas përbuzjen për “Aghazade-të”, që përafërsisht ishin si “këlyshat e bllokut” për brezin tim në vitet 1989-1990, por unë besoj fuqimisht se kjo përbuzje dhe ankesat e mësipërme prej të përkëdhelurish nuk mjaftojnë hic për t’i nxitur të shpërthejnë në revolta për të rrëzuar “Rregjimin e mullahëve”. Shkurt pazari unë besoj se “ndryshimi i rregjimit” para festimeve të 40 vjetorit të Revolucionit Islamik në Iran është thjesht hallvë e ftohtë dhe propagandë e rrejshme.

Biznesmenë të vegjël e të mesëm ankoheshin vërtet se zhvlerësimi i Rialit kishte bërë, që tregu të boshatisej nga një sërë artikujsh, të cilët eksportoheshin në vendet fqinjë si psh. eksporti masiv i salcës së domates në Irak, apo mos importimi i lëndëve të para për prodhimin e panolineve për bebe. Këta biznesmenë i frikësoheshin madje edhe falimentimit, nëse vazhdojnë sanksionet amerikane. Ata ankoheshin të pikëlluar për korrupsionin e përhapur dhe për nepotizmin në adminsitratën shtetërore.

Të varfërit ankoheshin se ndihma mujore në para, që u jepte Ajatollah Khamenei (udhëheqësi suprem i Iranit) për shkak të inflacionit (ndonëse ishte rritur në vitin 2018) ishte katandisur në 25-30 USD. Ata, gjithsesi ndiheshin mirë, që vazhdonte furnizimi mujor shtetëror me cmime jashtëzakonisht të ulta të mallrave të nevojës së parë.

Situata e të varfërve dhe të shtresave të mesme në Iran (të paktën në qytetet, që vizitova) nuk është aspak dëshpëruese, kur merren parasysh edhe realitete të tilla si bileta për cdo linjë në Metronë e Teheranit ishte rreth 10 (dhjetë) lekë të reja shqiptare. Biletat për cdo linjë autobuzi në Teheran dhe Isfahan ishin ekujvalenti i 10 lekeve të reja shqiptare. Ndërsa Erionka Velija ynë filoperëndimor, që nga ndjekur edhe leksione në Grand Valley University në SHBA, tiranasve të pasur e “bosa” ua bëri biletën e urbanëve 40 lekë të reja. Për rreth 40 Km. autostradë (Një nga toll stations në Autostradën Teheran-Isfahan) një furgon 15 vendësh pagoi vetëm 30 (tridhjetë) lekë të reja taksë autostrade. Oligarkët Kastrati-Salillari & Co në bashkëpunim me kryerilindasin dhe kryeministrin Edvin u rrjepin “bosëve” shqiptarë 5 euro për një autoveturë për autostradën Durrës-Kukës. Karburanti në Iran lëviz nga 8 në 12 lekë të reja litri, në Shqipëri lavdi Zotit me zor sa ka shkuar vetëm 180 lekë të reja litri. Shqipëria është madje edhe vend prodhues i naftës, që na e ka gllabëruar Sorrosi në tokë e në det (San Leone), si edhe një sërë kompanish shushunja të inkorporuara në off-shore!

Kjo është “parajsa” e Atdheut tim vend demokratik, anëtar i NATO-s, kandidat për në BE, që fatkeqësisht ka shumë për të mësuar nga “Regjimi i mullahëve” të Teheranit, përsa i përket mos pirjes edhe pikës së fundit të gjakut të fakirfukarasë. Në Iran fakirët përkrahen me pare kesh cdo muaj direkt nga Ajatollah Khamennei, përkrahen me ushqime e mallra shporte me cmime 2-3 herë më të ulta se tregu. E gjithë popullata (të paktën në qytete) furnizohet falas me gaz për gatim e ngrohje. Një familje në një apartament modest, për ujë e drita paguan ekujvalentin e 3-4 dollarëve amerikanë . Në Shqipëri fakirët për 30-40 dollarë energji elektrike përfundojnë në burg e me raste edhe “ngordhin” si qeni në burg. Rilindasit e qeverisë së standartit evropian (Rama) kanë cfarë të mësojnë nga “Regjimi i mullahëve” përsa i përket trajtimit të fakirfukarasë me dinjitet dhe jo me dajak e pranga. Pikërisht pse edhe më fakirët e shoqërisë trajtohen me mëshirë e dinjitet, iranianët familjarisht me qindra e qindra në cdo orë të ditës e të natës falen në xhaminë e Teheranit, ku pushojnë eshtrat e shkencëtarëve nuklearë iraninaë të vrarë nga armiqtë e Iranit. Iranianët i respektojnë shehidët (dëshmorët) e tyre, ndërsa neve propaganda komuniste, por edhe ajo pluraliste vecanërisht ajo mjaftisto-rilindase na ka bërë, që të shpërfillim edhe gjakun e dëshmorëve të Atdheut!

Normal Irani ka edhe probleme. Fjala vjen trafiku në Teheran ishte i tmerrëshëm më keq se te rrethrrotullimi i Shqiponjës (që e shkuli Erionka i Bashkisë Tiranë). Të rinjtë masivisht edhe 3 veta në një motor nuk mbajnë kaska, nuk respektojnë të kuqen në semafor etj.etj, por kjo nuk do të thotë se , “ndërrimi i rregjimit” është 2 hapa larg. Në Teheran ka ndotje të rëndë të ajrit, por “Rregjimi i mullahëve” merr masa reale anti ndotje nuk mbjell pyje orbitale, nuk mbjell palma, që i shkul dhe i zëvendëson me pisha “të arta” si Erionka i Bashkisë Tiranë.

Normalisht unë isha prezent edhe gjatë protestave anti regjim në Teheran. Për ilustrim keni një protestë të të rinjve të Teheranit. Ata kërkojnë me pankarta në duar, që Ali Afshani ekujvalenti iranian i Erionkës, mjaftistit tonë të dashur , t’u ndërtojë pista për bicikletat. Për ta këto pista nuk janë privilegj, por e drejtë. Normalisht as edhe një shqiptar me nivel mendor sa të ministrit Pandeli Majko nuk mund të besojë se këta biciklistët do përleshen e do derdhin gjak për të ndërruar “Rregjimin e mullahëve” për ca pista bicikletash rrugëve të Teheranit!!!!

Ndruaj fort se ministri Majko nuk do ta mbajë fjalën për të ngrënë akullore në Teheran, në Golestan Trade Center, apo te San Marco Ice Cream, së bashku me “Presidenten e zgjedhur” të “Iranit të Lirë”, Madam Rajavi-n!

Majkua ynë dhe Rajavi i Masudit bëjnë mirë që presin e shpresojnë për “regime Change” në Teheran, por ndërsa presin nuk do ishin keq të kujtonin, që në shqip ekziston edhe një shprehje frazeologjike: “Prit gomar, të mbijë bar”. E lë në cmimin e lexuesit për të gjetur se cili është gomari dhe cila është gomarica në këtë histori ëndërrash në diell (në diell Teherani madje!)./ Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne