Iran – Zarif: SHBA-ja është burimi i problemeve në rajon

Ministri i Punëve të Jashtme të Iranit, Mohammad Javad Zarif, deklaroi të enjten se nuk do të lejojnë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës ta kthejnë Ngushticën e Hormuzit në një zonë të pasigurt.

Gjatë një prononcimi për televizionin “Al-Jazeera” me seli në Katar, Zarif theksoi se përshkallëzimi i tensionit me SHBA-në nuk do të ishte në interes të Iranit.

“Jemi shprehur haptazi që Gjiri Persik dhe Ngushtica e Hormuzit janë me rëndësi jetike për ne. Ne duam që ato të jenë të sigurta dhe të lira për të gjitha vendet, përfshi këtu edhe Iranin. Nëse SHBA-ja vendos që ta kthejë Ngushticën e Hormuzit në një zonë të pasigurt për ne, atëherë Irani s’do ta lejojë këtë gjë”, tha ai.

Duke u ndalur gjithashtu mbi akuzat e SHBA-së, Izraelit dhe Arabisë Saudite, të cilat e cilësojnë vendin e tij si burim të paqëndrueshmërisë në rajon, shefi i diplomacisë iraniane u shpreh me këto fjalë: “Kush janë ata që po ndërhyjnë tani në Sudan dhe Libi? Cilat vende imponuan bllokadë ndaj Katarit? Kush planifikoi grushtshtetin në Turqi? Shikoni me kujdes ngjarjet që kanë ndodhur në këto vende! Mos vallë është Irani ai që po ndërhyn në këto shtete?”

Zarif tërhoqi vëmendjen se këshilltari i Shtëpisë së Bardhë për Sigurinë Kombëtare, John Bolton, Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, princi trashëgimtar i Arabisë Saudite, Mohammad bin Salman dhe princi i kurorës së Abu-Dabit, Mohammed bin Zayed Al-Nahyan, të cilët ai i quajti “Skuadra B”, janë duke bërë thirrje për luftë kundër Iranit.

Sipas tij, ndërhyrjet e SHBA-së në Lindjen e Mesme kanë shkatërruar rajonin.

“Presidenti Donald Trump njoftoi se SHBA-ja ka shpenzuar 7 trilionë dollarë në rajonin tonë. Ata e shkatërruan rajonin tonë. Duart e tyre janë përlyer edhe me gjakun e amerikanëve, që kanë vdekur pa kurrfarë arsyeje dhe qëllimi në rajon”, tha Zarif mes të tjerash./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne