Irani i gatshëm për dialog me ShBA-të nëse këta të fundit respektojnë marrëveshjen bërthamore

Ministri i Punëve të Jashtme të Iranit, Xhevad Zarif bëri të ditur se vendi i tij është i gatshëm për dialog me Uashingtonin me kusht që ky i fundit e respekton marrëveshjen bërthamore të nënshkruar në vitin 2015.

Ministri Zarif, i cili mori pjesë në punimet e Forumit të 18-të të Dohas në Katar tha se me Shtetet e Bashkuara të Amerikës edhe më herët kanë qenë në dialog që rezultoi me marrëveshje, por administrata e re e udhëhequr nga Presidenti Donald Trump sulmoi udhëheqjen e Tehranit dhe u tërhoq nga kjo marrëveshje.

Zarif rikujtoi se me tërheqjen nga marrëveshja Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë bërë shkeljen e rezolutës së Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe kërcënuan me sanksione të gjithë ata që nuk ishin pranë tyre, ndërsa vijoi duke thënë se “Ne jemi të gatshëm për dialog me Uashingtonin me kusht që ky i fundit e respekton marrëveshjen bërthamore të nënshkruar në vitin 2015”.

Ministri iranian gjithashtu tha se sanksionet amerikane nuk do ti dekurajojnë ata.

Zarif gjatë fjalimit preku edhe në luftën e Jemenit, ku kritikoi rolin e ShBA-së duke thënë se “Avionët që bombardojnë Jemen nuk janë të Iranit, por të Arabisë Saudite dhe të Emirateve të Bashkuara Arabe, ndërsa furnizimin me karburant të këtyre avionëve në ajër e bëjnë amerikanët”.

Ai tërhoqi vëmendjen edhe në rolin e Arabisë Saudite në rrethimin e Katarit dhe vrasjen e gazetarit saudit, Jamal Khashoggi, ndërsa akuzoi udhëheqjen e Riadit për rritjen e tensionimit në rajonin e Lindjes së Mesme./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne