Irani kërcënon: “Mbyllim ngushticën e Hormuzit”

Komandanti i forcave detare të Gardës Revolucionare të Iranit, Ali Riza Tengsiri tha se vendi i tij do ta mbyllë ngushticën e Hormuzit në rast se do të ketë ndonjë kufizim në lidhje me përdorimin e ngushticës.

Irani i ka shtuar kërcënimet duke theksuar se do ta mbyllë ngushticën strategjike të Hormuzit nëse nuk i lejohet të përdor rrugën ujore të Gjirit Persik për eksportin e naftës.

Në një prononcim për median shtetërore të Iranit komandanti i forcave detare të Gardës Revolucionare të Iranit, Ali Riza Tengsiri bëri deklarata në lidhje me kufizimet ndaj ngushticës së Hormuzit në kuadër të sanksioneve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA).

“Sipas ligjit ndërkombëtar ngushtica e Hormuzit është një itinerar detar. Nëse Iranit i kufizohet përdorimi i ngushticës, atëherë ne do ta mbyllim ngushticën për kalimet ndërkombëtare. Ujërat territoriale të Iranit do ti mbrojmë nga çdo lloj kërcënimi”, tha Tengsiri.

Në lidhje me ndryshimet në Gardën Revolucionare të Iranit, ku Komandanti i Përgjithshëm Muhammed Ali Xhaferit u zëvendësua nga ndihmësi i tij Husejin Selami, Tengsiri tha se kjo çështje nuk ka të bëjë me vendimin që ka marrë ShBA-ja (për zgjerimin e sanksioneve).

Pas fazës së dytë të sanksioneve amerikane kundër Iranit, të cilat Uashingtoni kishte nisur ti zbatonte më 5 nëntor 2018, ShBA-ja kishte përjashtuar nga sanksionet 8 vende që importonin naftë nga Irani.

Mes tensioneve në rritje të vazhdueshme me ShBA-të, zyrtarët iranianë në mënyrë të përsëritur kanë kërcënuar me mbylljen e ngushticës, një nga rrugët ujore më të rëndësishme të tregtisë globale të naftës.

Edhe Presidenti i Iranit, Hasan Ruhani në korrik të 2018-s kishte bërë këtë deklaratë: “Administrata amerikane ka thënë ‘nuk do ta lëmë Iranin të eksportojë as edhe një pikë naftë’. Kjo do të thotë që e gjitha nafta e rajonit nuk do të eksportohet dot. Nëse e bëni një diçka të tillë, atëherë do të përballeni edhe me pasojat”.

Kurse zëdhënësi i Departamentit amerikan të Mbrojtjes (Pentagon), Bill Urban kundër kërcënimit të Iranit për mbylljen e ngushticës së Hormuzit kishte dhënë mesazhin se ShBA-ja është e gatshme të përdorë forcë ushtarake për të mbrojtur tregtinë e naftës në rajon.

Pjesa më e madhe e naftës nga prodhuesit më të mëdhenj të rajonit, duke përfshirë Arabinë Saudite, Irakun dhe Kuvajtin, kalon përmes ngushticës së Hormuzit drejt tregjeve të etur për naftë në Lindjen e Largët.

Të hënën Uashingtoni njoftoi planet e tij për t’u dhënë fund përjashtimeve të përkohshme për vendet që ende vazhdojnë të blejnë naftë iraniane.

Ky veprim vjen si pjesë e politikës së Shtëpisë së Bardhë për të ushtruar “presion maksimal” ndaj Iranit, me qëllim që të çojë në zero të ardhurat e këtij vendi nga nafta.

Nëntorin e kaluar, administrata Trump ri-imponoi sanksione mbi sektorin e naftës iraniane pas tërheqjes së ShBA-ve nga marrëveshja bërthamore e vitit 2015 midis Teheranit dhe grupit të P5+1 (pesë anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, si dhe Gjermania)./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne