Irani shpall terrorist ushtarët amerikanë në Lindjen e Mesme

Parlamenti iranian ka miratuar p/rezolutën që shpall terrorist të gjitha forcat ushtarake të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) me mision në vendet e Lindjes së Mesme si kundërpërgjigje ndaj shpalljes së Gardës Revolucionare organizatë terroriste nga ShBA-ja.

Sipas lajmit të televizionit shtetëror iranian, rezoluta erdhi në parlament si një reagim ndaj veprimit të mëparshëm të ShBA-së, të cilat e kishin shtuar Gardën Revolucionare të Iranit në listën e grupeve të huaja terroriste. Në votimin e bërë në parlamentin iranian rezoluta u miratua me 204 vota “për”, 2 “kundër” dhe 1 “abstenim”.

Kryetarparlamentari Ali Larixhani në fjalën që mbajti pas miratimit të rezolutës tha: “Me miratimin që i bëri me shumicë dërrmuese këtij ligji, Parlamenti iranian tregoi se ai është një zë i vetëm kundër ShBA-së dhe armiqve kur bëhet fjalë për çështje të sigurisë”.

Kurse ministri i Mbrojtjes, Emir Hatemi në fjalën drejtuar deputetëve tha se miratimi i p/ligjit me shumicë dërrmuese tregoi se politikat sanksionuese amerikane kundër Iranit janë të pavlefshme.

Disa deputetë bënë thirrje për shpallje si organizatë terroriste të të gjithë ushtrisë amerikane. Pas miratimit të rezolutës deputetët pjesëmarrës në punimet e seancës plenare dhe në votim hodhën parulla si: “Mallkuar qoftë Amerika!”

Sipas rezolutës në fjalë janë shpallur terroristë të gjithë ushtarët amerikanë dhe njësitë e inteligjencës si dhe personat privatë dhe juridikë të ShBA-së që veprojnë në Lindjen e Mesme.

Gjithashtu çdo lloj mbështetjeje financiare, teknike, trajnuese apo logjistike që do të bëhet ndaj trupave amerikane është paraparë nga ligji si formë bashkëpunimi me qëllim për të kryer vepra me qëllime terroriste.

Ligji ngarkon me detyrë qeverinë dhe forcat e armatosura të Iranit për zbatimin e këtij vendimi nëpërmjet kanaleve “juridike, politike dhe diplomatike”.

Më 8 prill Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA), Donald Trump kishte njoftuar përfshirjen e Gardës Revolucionare të Iranit në listën e organizatave të huaja terroriste. Kurse Këshilli i Lartë i Sigurisë Kombëtare të Iranit kishte deklaruar përfshirjen e Forcave Qendrore të ShBA-së (CENTCOM) në listën e grupeve terroriste.

Vendimi i administratës amerikane kishte hyrë në fuqi të hënën (15.04.2019)./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne