Irlandë – Senati miraton draftin që ndalon tregtinë me vendbanimet izraelite në Palestinë

Senati ose dhoma e lartë e Parlamentit të Irlandës miratoi të mërkurën një projektligj që ndalon importin dhe tregtinë e mallrave dhe shërbimeve që vijnë nga vendbanimet izraelite në territoret palestineze.

Projektligji kaloi fazën e komisionit javën e kaluar.

Ky draft, të cilin qeveria irlandeze e kundërshton, do të marrë fuqi ligjore nëse miratohet edhe nga dhoma e ulët e Parlamentit.

Në rast se projektligji miratohet, Irlanda do të jetë i pari shtet anëtar i Bashkimit Evropian që do të vendosë një ndalim të tillë për vendbanimet izraelite.

“E pabesueshme! Projektligji për Territoret e Pushtuara sapo kaloi të gjitha fazat në Senat. Irlanda mund të bëhet i pari shtet i BE-së që ndalon tregtinë me vendbanimet e jashtëligjshme. Tani ai do të shkojë në dhomën e ulët të Parlamentit, Dail. Ne do ta ligjësojmë këtë draft jetik me mbështetje të madhe”, shkroi në mediat sociale senatorja e pavarur Frances Black, hartuese e projektligjit në fjalë.

Në një deklaratë më parë, ajo pati theksuar gjithashtu se projektligji është një kërkesë minimale për të qenë një shtet anëtar i BE-së i angazhuar për drejtësi dhe të drejtat e njeriut.

“Si është e mundur që këto vendbanime t’i quajmë ilegale e vjedhje të resurseve dhe njëkohësisht të tregtojmë produktet e këtij krimi?”, pati vlerësuar senatorja Black.

Ambasada izraelite në Dublin e ka dënuar projektligjin, i cili fazën e parë të miratimit në Senat e ka kaluar në muajin korrik, duke e quajtur atë “populist” dhe “të rrezikshëm”.

Përmes një komunikate me shkrim, Ambasada theksoi se Izraeli do të marrë në konsideratë një kundërpërgjigje në varësi të zhvillimeve në procesin e ligjësimit të draftit.

Fillimisht, ky projektligj qe përfshirë në agjendën e punimeve të Senatit irlandez në muajin janar, por në vijim qe shtyrë deri në muajin qershor pasi Irlanda pati thirrur në Ministrinë e Punëve të Jashtme ambasadorin e saj në Tel-Aviv.

Senati irlandez votoi në muajin korrik për të çuar përpara projektligjin, që cili do të ndëshkojë tregtinë me vendbanimet izraelite duke përfshirë ato të ndërtuara në Bregun Perëndimor, Jerusalemin Lindor dhe Lartësitë e Golanit.

Sipas projektligjit, kushdo që importon ose përpiqet të importojë produkte dhe shërbime nga vendbanimet izraelite do të kryente një krim të dënueshëm deri në pesë vjet burg ose me një gjobë prej 250.000 eurosh./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne