Ish-kreu i shërbimit të fshehtë serb, Jovica Stanishiç i njohur si “I Akullti” dhe zëvendësi i tij, Franko Simatoviç paraqiten sërish në Hagë për krime lufte.

Më 1 prill 1992 anëtarët e njësisë paramilitare, “Garda Vullnetare Serbe”, të njohur edhe si “Tigrat”, sulmuan qytetin boshnjak lindor, Bijeljina. Kreu i tyre ishte Zhelko Razhnatoviç i njohur si “Arkani”. Të mirëarmatosur të trajnuar e me mbështetje logjistike të Ushtrisë Jugosllave, ata e morën shpejt kontrollin mbi qytetin. Për banorët myslimanë filluan ditë të tmerrshme: Vrasje, përdhunime, bastisje.

Kjo trupë vrasëse, që shpejt u kthye në trupat më të frikshme paramilitare në luftën e Bosnjes u themelua, u financua dhe u armatos nga dy burra të kollarisur, që i kishin zyrat në Beograd, e të cilët dalin për herë të dytë para gjyqit në Hagë (30 maj). Në procesin e parë ata u shpallën të lirë.

Dora e djathtë e Milosheviçit
Jovica Stanishiç, i njohur si “I Akullti” ka qenë në atë kohë kreu i shërbimit të fshehtë serb, ndërsa Franko Simatoviç ka qenë zëvendësi i tij. Të dy kishin epror direkt pushtetmbajtësin e atëhershëm, Sllobodan Millosheviç. Stanishiç konsiderohej si bashkëpunëtori më i ngushtë i Millosheviçit në vitet e luftës. Në Beograd dihej, se pa dijeninë e tij nuk ndodhte asgjë. Prandaj për Tribunalin e Hagës ai konsiderohej si një nga të akuzuarit kryesorë për luftën në Jugosllavi. Në qershor 2003 ai u paraqit vullnetarisht në Hagë, kur u bë e ditur, se kundër tij e zëvendësit Simatoviç për shkak të përgjegjësisë në kompetenca ishte ngritur akuza për krime kundër njerëzimit në Kroaci e Bosnje.

Prandaj habia ishte e madhe, kur 10 vite e 100 dëshmitarë më pas të dy të akuzuarit u lanë të lirë. Gjykatësi holandez Orie argumentoi se “megjithëse ekziston mundësia, që masat e Stanishiçit e Simatoviçit synonin krijimin dhe ruajtjen e kontrollit serb në pjesë të mëdha të Kroacisë e Bosnje-Hercegovinës”, por “nuk është e mundur që të arrihet në përfundimin, se të akuzuarit ndanin qëllimin për një operacion kriminel të përbashkët për të larguar dhunshëm popullatën civile jo serbe.”

Atëherë nuk bëhej fjalë vetëm “Tigrat” e Arkanit. Të dy krerët e shërbimeve sekrete themeluan e financuan edhe njësi të tjera paramilitare si “Beretat e Kuqe” apo “Skorpionët”, dhe u dhanë atyre të gjitha liritë për terrorin kundër popullatës jo serbe. Me këto u mbështet politika serbe “e pastrimit etnik”.

Përgjegjësia për urdhrin e dhënë
Kryeprokurori i Tribunalit të Hagës, juristi belg, Serge Brammertz nuk e pranoi këtë vendim, sepse “gjykata nuk i ka vlerësuar si duhet provat e paraqitura”. Ai apeloi vendimin me argumentin se edhe pse nuk ka prova direkte për një zinxhir direkt urdhri të të dy akuzuarve eir tek autorët e drejtpërdrejtë, nuk ka asnjë dyshim, se ata e kanë ditur, se çfarë kanë bërë paramilitarët serbë në Kroaci e Bosnje. Këto njësi janë ngritur e janë pajisur me qëllim, prandaj të dy duhet të gjykohen mbi bazën e përgjegjësisë për urdhrat e dhëna.

Gjykatësit e ndoqën këtë logjikë dhe e shfuqizuan vendimin e dhjetorit 2015. Ata kërkuan një proces të ri, i cili duhet të fillojë më 13 qershor. Të dy akuzuarve iu kërkua të paraqiten në Hagë deri në 30 maj, ndryshe do të kërkohen me urdhër-arresti ndërkombëtar.

8