Ish-Ministri i Jashtëm Vuk Jeremiç zbulon se miqtë e ngushtë të Edi Ramës, Toni Bler dhe Aleks Soros, i biri i Xhorxh Soros, po lobojnë për ndarjen e Kosovës. Në një intervistë për gazetën prestigjioze austriake “Der Standard”, Vuk Jeremiç tregon, gjithashtu, se kush po lobon në Shtëpinë e Bardhë për llogari të Serbisë.

Der Standard: Cili është roli i konsulentëve që paguan Serbia në funksion të idesë për shkëmbimin e territoreve?

Vuk Jeremiç: Wolfang Petritsch punon në nivelin e Bashkimit Evropian. Tony Blair, si ish-kryeministër britanik, punon në të gjitha nivelet dhe me të gjitha palët.Në Amerikë është Corey Lewandowski, ish drejtuesi i fushatës presidenciale për Trump, i cili drejton një firmë konsulence në Uashington. Lewandowski takoi Vuçiçin në Beograd dhe loboi në Ëashington për ndarjen e Kosovës. Mbi të gjitha, Alexandër Soros përpiqet të bindë përfaqësuesit e demokratëve në SHBA për ndarjen e Kosovës.

Ish ministri i jashtëm serb në vitet 2007-2012 thotë se Plani Thaçi-Vuçic për ndarjen e Kosovës mbi baza etnike është mbajtur shumë i fshehtë edhe në Serbi dhe se ai ka dëgjuar për këtë plan, “kur Tony Blair udhëtoi në Gjermani për të bindur Angela Merkelin për këtë ide. Ajo është kreu i vetëm i qeverive perëndimore që ka hedhur poshtë publikisht ndryshimet e kufijve. Si rezultat, në qarqet diplomatike u bë e njohur se Vuçiç është i gatshëm të japë Luginën e Preshevës në Kosovë në shkëmbim me zonat në Kosovën e Veriut.”– thotë Vuçic për gazetën austriake Der Standard.

Gjatë intervistës ish-ministri i jashtëm serb analizon lëvizjet dhe rolin Aleksandër Vuçiç, Hashim Thaçit dhe Edi Ramës në përpjekjen për kufijtë e rinj me baza etnike mes Kosovës dhe Serbisë.

Der Standard: Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, Vuçiç dhe Thaçi janë duke punuar së bashku në këtë rast. Pse?

Jeremiç: Ata e kuptojnë se anëtarësimi në BE është një rrugë e gjatë, kështu që kanë vendosur prioritete të tjera. Vuçiçi po thellon sundimin autokratik, Thaçi po përpiqet të qëndrojë në pushtet dhe Rama i bie fyellit të nacionalizmit. Pavarësisht akuzave verbale publike, këta punojnë shumë ngushtë me njëri-tjetrin pas dyerve të mbyllura. Por, nuk mund të ndërtosh marrëdhënie të qëndrueshme dhe të mira mes dy popujve, duke i nxitur njerëzit kundër njëri-tjetrit me retorika luftarake. Historia e ka provuar këtë jo shumë larg në kohë. Në fillim të viteve 1990, kur Sllobodan Millosheviç (Presidenti serb) dhe Franjo Tuxhman (Presidenti kroat) mbajtën lidhje të ngushta dhe biseduan për ndarjen e Bosnjës pas dyerve të mbyllura, kjo përfundoi në një katastrofë.

Jeremiç ngre shqetësimin tjetër se marrëveshja për një shkëmbim territorial midis Vuçiçit dhe Thaçit nuk garanton miratimin e saj në Këshillin e Sigurimit dhe as pranimin e Kosovës në OKB nga Rusia dhe Kina, si dy anëtare të Këshillit të Sigurimit.

“Rusia ndoshta do të kërkonte një çmim shtesë. Veç të tjerash, përcaktimi i kufijve ndërmjet grupeve etnike në Ballkan nuk do të mbaronte, sipas shembullit te Kosovës dhe Serbisë. Përfaqësuesit e BE-së e dinë se një pikëpamje e tillë afatshkurtër, në plan afatgjatë, është një recetë për një destabilizim të përtërirë të Ballkanit.”– argumenton Jeremiç.

Ish-ministri i jashtëm serb Vuk Jeremiç shprehet se nevoja e Shërbimit të Jashtëm të Bashkimit Europian (Federica Mogherini) për të mbuluar me një triumf mungesën e dukshme të sukseseve këtë mandat dhe humbja e interesit nga SHBA për rajonin ka çuar që BE-ja dhe SHBA të braktisin parimet e tyre në politikën e Ballkanit.

I pyetur nga Der Standard, nëse parashikon që këtë vit të ketë ende një marrëveshje midis Vuçiçit dhe Thaçit, duke përfshirë edhe shkëmbimin territorial, ish ministri i jashtëm serb përgjigjet: “Vlerësoj mundësinë në 50%, sepse ka kundërshtim të fortë. Si në Serbi, dhe në Kosovë, shumica e popullsisë është kundër kësaj marrëveshjeje. Në Serbi është kundër edhe Kisha Ortodokse. Do të doja që politika evropiane të kthehej në perspektiva afatgjata dhe të mos bënte zgjidhje të shpejta.”

60