Ish -Ministri: Lista e të korruptuarve?! Rama duhet të ishte në krye të saj

Ish-ministri i Shëndetësisë, Maksim Cikuli, ka reaguar për listën e publikuar nga kryeministri Rama me 100 personat e denoncuar për korrupsion në faqen e tij në facebook. Cikuli thotë se kjo është një marrëzi dhe se në krye të saj, nëse do të ishte për denoncimet e qytetarëve, duhet të ishte vetë kryeministri Edi Rama. Në një opinion publikuar në “Panorama” Cikuli thotë se ata që dërgojnë denoncime anonime, duhet së pari të ballafaqohen nëpër gjykata. Ai e quan publikimin e emrave të personave të denoncuar, “një budallallëk me brirë”, pasi denoncimet nuk janë të verifikuara.

PROF. DR. MAKSIM CIKULI

Sapo lexova një material të publikuar nga vetë Kryeministri (raport i hartuar nga “Skuadra e shënimeve” të tij!?), material, i cili, sipas tij, do të shërbejë për reformimin rrënjësor të zyrave të shtetit.

Jam shkëputur me kohë dhe i disgustuar nga politika dhe zakonisht lajme si ky do t’i përcillja me një nënqeshje të lehtë e me shprehjen “fali Zot se s’dinë ç’bëjnë”. Do të mendoja se listat janë hartuar nga ndonjë specialist letrash anonime, sepse anonimë janë shumica e atyre që përcjellin denoncime pa pasur kurajën e ballafaqimit në gjykata. Por i dalë nga institucioni kryesor i shtetit e me bekimin e vetë Kryeministrit, “kalorësit të reformës në drejtësi”, një material i tillë më duket shumë alarmant për mentalitetin e tij apo të “skuadrës së tij”.

Të shpallësh të korruptuar dikë, nisur nga një denoncim anonim face-book-u, është pak ta quash marrëzi. Sa njerëz anonimë ose me emër e mbiemër denoncojnë përditë vetë kryeministrin… vetëkuptohet që ai duhej të ishte i pari i të gjitha listave.

Nuk do të reagoja fare ndaj këtij budallallëku me brirë, në qoftë se nuk do të më binte në sy, nga mesi i listës, emri i një kolegu dhe miku të nderuar, Profesor Mentor Petrelës. Duke e pasur mik prej dhjetëra vitesh, duke e njohur shumë më mirë se të tjerët, madje edhe se vetë kryeministri që “merr kaq shumë informacion” nga anonimët, nuk do t’i haja kohën kërkujt, duke renditur meritat dhe aftësitë e tij. Vetëm akademitë prestigjioze ku ai është anëtar sikur të rreshtoja, do të më duhej një faqe e tërë. Megjithatë, nuk do të lija pa përmendur vlerësimet e shkëlqyera që i ka bërë në fillim të vitit të shkuar “The Neë York Times Magazine”, për të cilat ai mori përgëzime nga gjithë ambientet shkencore, përgëzime të cilat, ai me shumë modesti, ia adresoi shëndetësisë dhe vendit tonë. Ndoshta një nga përgëzuesit ka qenë dhe “trajneri i skuadrës së shënimeve”….

Nga përvoja ime e gjatë në administratë, kam mësuar se është e pamundur të jesh i mirë me të gjithë (amico di tutti e di nessuno e tutt’uno). Çdo njeri që ka punuar në kontakt me njerëzit, me hallet e përditshme të tyre, e di se nuk janë të rrallë ata, që nën petkun e hallexhiut, kërkojnë përfitime të pamerituara. Këta janë kontingjenti që më pas kthehen në kandidatët e parë për “letra anonime” ose “fletë rrufe” pa emër.

Minimumi i një institucioni që bërtet gjithë ditën për reformën në drejtësi, do të ishte të bënte verifikimin e ankuesit apo denoncuesit. A përjashton dot skuadra, që denoncuesi të jetë dikush të cilit i është refuzuar KEMP-i apo dërgimi jashtë shtetit për sëmundje që kurohen këtu etj., etj. Në qoftë për arsye të tjera “tepër madhore”, a nuk duhej që çështja të shkonte në gjykatë e më pas të bëhej etiketimi “i korruptuar” për mjekun ose “shpifës” për akuzuesin? Po sikur pas anonimit të fshihej ndonjë koleg ziliqar, ç’do t’i mbetej kryeministrit? A e kupton ai lojën e rrezikshme së cilës po i hyn?

Mentorin e njoh shume mirë. E di se, mbi të gjitha, e plagos mosmirënjohja njerëzore. E ftoj të mos merakoset shumë. Mirënjohësit ndaj tij janë qindra herë më tepër se anonimët shpifës dhe skuadrat e seleksionuesve të tyre.

Si mik i bëj thirrje që të vazhdojë punën e tij të bukur e frutdhënëse në dobi të pacientëve e të mos dëgjojë “pusillanime-t” qofshin këta dhe në zyrat e larta të shtetit.

Me këtë shkrim nuk më shkon ndër mend aspak të bëj apologjinë e 99 të tjerëve, të cilët as i kam dëgjuar ndonjëherë si emra. Mes tyre mund të ketë plot të korruptuar, por asnjeri nuk mund të marrë atributet e “gjykatësit suprem”, për të botuar lista të tilla që kthejnë në qesharake përpjekjet për të reformuar drejtësinë. Praktikisht, kjo është mënyra më e mirë për të banalizuar problemin e për t’i “mbrojtur” të korruptuarit e vërtetë.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne