Ish-Presidenti i Republikës Bujar Nishani i ka bërë thirrje Kryeprokurores Arta Marku të ndërhyjë lidhur me marrëveshjen Shqipëri-Greqi për detin.
Përmes një postimi në Facebook, Nishani i referohet mediave greke ndërsa thotë se marrëveshja e detit mes Shqipërisë dhe Greqisë është arritur dhe territoret zyrtare shqiptare i kanë kaluar shtetit helen.
Për këtë arsye ai kërkon nisjen e hetimeve, pasi sipas tij kemi të bëjmë me një konflikt i ri me pasoja rajonale.
“Tashmë nuk përbën më sekret se zonat që i përkasin “de facto” Shqipërisë janë zotëruese të pasurive të mëdha të gazit dhe naftës. Nëse lajmi i medias greke është i vërtetë ky akt i qeverisë aktuale shqiptare do të përbënte aktin më të lartë të tradhëtisë kombëtare që nga themelimi i shtetit shqiptar në 1912. Ky akt i padrejtë do të hapte një konflikt të ri e të panevojshëm historik midis dy vendeve me pasoja rajonale. Në këtë rast Prokurori i Përgjithshëm i Republikës dhe prokuroria shqiptare janë përpara një përgjegjësie të madhe ligjore kushtetuese mbi Sovranitetin e Shtetit. I bëj thirrje opozitës shqiptare të kërkoj transparencë të plotë për të gjithë proçesin e negociatave dhe rezultatin e arritur për këtë çështje. Në këtë rast opozita ka një përgjegjësi historike. Shpresoj shumë që media dhe intelektualët shqiptarë të mos heshtin në bashkëfajsi !” shkruan mes të tjerash Nishani