Ish-zëdhënësi i partisë së Merkelit: Kosova ekziston si rezultat i qëllimeve amerikane

Vili Vimer ishte zëdhënësi i parë i CDU-së, partisë së Angela Merkelit. Kurse nga viti 1994 deri më 2000 ishte nënkryetar i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së. Ai po thotë se Kosova sot ekziston vetëm për shkak të qëllimeve amerikane.

Duke folur për pavarësinë e Kosovës, thotë se ky vendim ishte kundër vendimeve të OKB-së, Madje thotë se pikërisht për këtë arsye Kosovën nuk e njohin 5 vendet e BE-së.

“Kjo deklaratë e pavarësisë është kundër të gjitha dokumenteve të lidhura me OKB-në. Kjo është arsyeja pse pesë anëtarët e BE-së nuk e njohin këtë pavarësi. Nëse do ta bënin do të përballeshin me rezultatet sikur sot në Kataloni”, thotë Vimer për Novosti.

“Pse duhet dikush ta legalizojë një deklaratë të paligjshme. Kosova si shtet ekziston vetëm si rezultat i qëllimeve amerikane”, deklaron ish-zëdhënësi i partisë së Merkelit.

Madje sipas tij Amerika e shfrytëzon kampin Bondstill që të kontrollojnë tubacionet e gazit në Detin Kaspik, dhe sistemin rrugor e hekurudhor në rajon.

“Kur është fjala për politikën globale amerikane ndaj Rusisë dhe të tjerëve, populli serb është në vendin e gabuar dhe kohën e gabuar. Beogradi ishte vend i një rivaliteti të madh të orkestruar nga SHBA-ja, për ta shkatërruar ndikimin rus në Ballkan”, thekson Vimer.

Deklaratat e Vimer kundër Kosovës kanë qenë të zakonshme, edhe në vitet e 90-ta. 

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne