ISIS në krizë, kërkon burime alternative financiare

Humbja e territoreve në Siri dhe Irak ka ndikuar në një reduktim drastik të të ardhurave të ISIS, i cili, sipas prokurorëve irakianë ka filluar të shesë me shpejtësi çfarëdolloj mallrash që të mundet.

Në një raport të fundit të Këshillit të Lartë Juridik të Irakut, përmblidhen konkluzione të nxjerra nga marrjet në pyetje të anëtarëve të kapur të ISIS-it. Sipas tyre, në tregun irakian po futen me shpejtësi produkte të lira ushqimore në prag të skadimit, nga shitja e të cilave shpresohet të financohet vazhdimësia e operacioneve ushtarake. Sipas Këshillit Juridik, “tregtarët i shesin mallrat në tregun irakian, duke i paraqitur si ‘oferta speciale’ për të tërhequr klientët”. Produktet futen në Irak nga vendet fqinje, nëpërmjet një sistemi kontrabande me kamionë. Por tregtarët thonë se mallrat e lirë të ISIS-it po shkaktojnë ulje të çmimeve dhe rënie të fitimit. Ndërsa për ekspertët, kjo dëshmon dëshpërimin financiar në rritje të ISIS. Ghayath Surchi, një zëdhënës i Bashkimit Patriotik të Kurdistanit në Mosul, ka thënë se luftëtarët e ISIS-it, të bllokuar në lagjet e Mosulit të vjetër, po mbijetojnë duke plaçkitur rezervat në shtëpitë që ua kanë konfiskuar banorëve. Përpara se të humbiste pjesë nga territori që kontrollon, ISIS grumbullonte miliona dollarë të ardhura nëpërmjet kontrabandës së karburantit dhe përmes zbatimit të një sistemi të ashpër taksimi në zonat që kontrollonte./ PT

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne