Islami dhe feminizmi (pjesa e parë)

Autor: Muhammed Legenhausen

Hyrje
Një histori e shkurtër e feminizmit
Feminizmi dhe socializmi
Filozofia feministe
Teoria politike feministe
Teologjia feministe
Kundërshtimi islam ndaj feminizmit
Idealet kundërthënëse të Islamit dhe të feminizmit
Plotësueshmëria e ndërsjellë e gjinive, familja dhe seksualiteti

Hyrje

Në gjysmën e dytë të shekullit të njëzetë, feminizmi e ndryshoi në mënyrë radikale kulturën perëndimore. Mbase asnjë lëvizje tjetër shoqërore nuk ka sjellë ndryshime aq të thella në qëndrimet dhe në moralin shoqëror. Revolucioni dhe çlirimi seksual nënkuptonin se marrëdhëniet seksuale duhej të çliroheshin nga kufizimet e ndërlidhura me virtytin tradicional të krishterë.

Lëvizja për të drejtat e homoseksualëve e përhapi kërkesën për liri në marrëdhëniet seksuale deri tek homoseksualiteti. Pornografia lulëzoi si pasojë e zbutjes së censurimit moral në shtyp, kinema dhe televizion. Standardet e përgjithshme të shijes në të folur dhe sjellje ranë si përgjigje ndaj diktateve të shtypit, kinemasë dhe televizionit. Lidhjet familjare u dobësuan dhe numri i divorceve u rrit. Në vendet skandinave është vlerësuar se afërsisht gjysma e foshnjave lindin nga nëna beqare.

Ishte ky një lehtësim krejt i papritur i kufizimeve shekullore. Por revolucioni i vrullshëm seksual nuk ishte vetëm si shkak i heqjes së censurimit. Qiradhënësve dhe bujtinarëve, që për shumë kohë u ishte ndaluar me ligj akomodimi i çifteve të pamartuara, tani mund t’u thuhej të mos parashtronin pyetje personale. Përgjegjësitë martesore ose thuajse-martesore dhe të drejtat pronësore i lanë gjykatat të ballafaqoheshin me probleme të reja të pazgjidhshme. Me dobësimin e familjes janë duke ardhur ndryshime edhe më të thella shoqërore.

Në të njëjtën kohë, femrat u bënë një fuqi e dukshme në rritje në vendet e punës, në akademi dhe në arenën politike, nga mesi i të cilave më të spikatura kanë qenë feministet.

Ndryshimet e përmendura nuk janë vetëm punë e feministeve. Qëndrimet kundër sistemit mes të rinjve të të gjashtëdhjetave dhe popullariteti i gëzuar nga majtistët kontribuoi në këta ndryshime dhe në mbështetjen e vetë feminizmit.

Megjithatë, që nga vitet e gjashtëdhjeta, mendimi feminist ka qenë një forcë e rëndësishme në trazirat shoqërore në Perëndim, e cila vazhdon ta ushtrojë ndikimin e vet. Mes qëllimeve të qarta të feministeve ka qenë zhdukja e familjes dhe e roleve tradicionale gjinore, me ç’qëllim ata e kanë përkrahur homoseksualitetin dhe imoralitetin seksual.

Në shumicën e universiteteve dhe shtëpive botuese, feministet kanë arritur të vendosin kritere për përdorimin e “gjuhës jo-seksiste”, ku si rezultat më i dukshëm ka qenë shpërthimi i një sërë titujve femërorë.

Ato kanë arritur t’i imponojnë preferencat e tyre në të gjitha sferat, qoftë në shkrimin e skenarëve e të reklamave, qoftë në praktikat e punësimit publik. Përveç kësaj, kanë krijuar një zhargon të popullarizuar tashmë, nëpërmjet të cilit debatohen çështje të rëndësishme shoqërore, dhe, po kështu, kanë nisur edhe ta eksportojnë ideologjinë e tyre.

Feminizmi filloi të rrënjosej në zonat jashtë Perëndimit nëpërmjet përdorimit të tij nga fuqitë kolonizuese, me qëllim që t’i dobësonin kulturat lokale në zonat që ishin nën kontrollin e tyre. Dhe ndonëse ka hasur në rezistencë, në veçanti mes muslimanëve, vazhdon të ekzistojë një huti e madhe mbi pyetjet lidhur me definicionin, qëllimin, historinë dhe degëzimet e ndryshme të feminizmit.

Në vijim do të japim një hyrje të shkurtër në feminizëm dhe në historinë e tij, me theks të veçantë mbi çështjet filozofike dhe teologjike që janë të rëndësishme për Islamin. Më pas, do të vijojmë me një krahasim ndërmjet feminizmit dhe doktrinës islame, ku sqarohet papërputhshmëria e tyre e thellë. Dhe së fundmi, do të shprehim disa vrojtime lidhur me lëvizjet islame të grave.

Një histori e shkurtër e feminizmit
Feminizmi në dallim nga lëvizjet e tjera të femrave

Femrat kanë qenë të shtypura që nga shpikja e mëkatit njerëzor, dhe thuajse kaq gjatë kanë qenë të angazhuara në përpjekjen për t’u çliruar nga shtypja. Lëvizje të femrave mund të quhen përpjekjet e bëra për t’i përfunduar padrejtësitë e bëra ndaj grave, në veçanti kur këto padrejtësi janë të institucionalizuara.

Në këtë kuptim, Islami mund të konsiderohet një lëvizje e grave, pasi që ngërthen një program të caktuar nga Zoti për çrrënjosjen e padrejtësisë që u bëhet atyre. Femrat perëndimore, megjithatë, zakonisht nuk e njohin Islamin si një lëvizje të grave dhe e kufizojnë shprehjen “lëvizje e grave” tek lëvizjet që janë prodhime të kulturës perëndimore, të krijuara për ta ndryshuar statusin e tyre në shoqëri.

Revolucioni industrial i shekullit të nëntëmbëdhjetë dhe procesi gradual i urbanizimit i bashkoi gratë në fuqinë punëtore jashtë skemës së familjes, ndërkohë që në shoqëritë bujqësore, gratë punonin me anëtarët e familjes. Në të njëjtën kohë, gratë përjashtoheshin nga politika.

Të drejtat e njeriut, të shpallura nga revolucioni francez, vlenin vetëm për meshkujt. Përgjatë iluminizmit, femrat nisën të kërkonin “emancipim”, liri nga varësia prej burrave, mundësi arsimimi dhe të drejta politike.

Feministet do të vazhdonin të bënin kërkesa më radikale, mes të cilave më të spikaturat ishin: legalizimi i abortit me kërkesë, “dashura e lirë” ose liria seksuale, barazia e plotë me burrat dhe zhdukja e dallimeve që buronin nga rolet gjinore. Feminizmi shpesh përcaktohet si një lëvizje që kërkon barazi të plotë të të drejtave me burrat, por është e rëndësishme të theksohet se barazia e kërkuar nga feministet shkon shumë përtej barazisë ligjore.

Qëllimi i feminizmit është çrrënjosja e çdo lloj dallimi në rolet shoqërore që mbështetet në dallimin gjinor, dhe kjo është ajo që e dallon atë nga lëvizjet e tjera të grave. Megjithatë, lëvizja feministe përfshin brenda radhëve të saj autorë/e dhe aktivistë/e, të cilët në filozofi, politikë të veprimit dhe moral, dallojnë në shumë çështje themelore.

Ajo që i bashkon është ideali shoqëror i eliminimit të roleve tradicionale gjinore. Prandaj, feminizmi mund të përcaktohet si një degë e lëvizjes së grave që ka për qëllim eliminimin e roleve tradicionale gjinore. Megjithatë, ekziston huti rreth përdorimit të shprehjes “feminizëm”, pasi që ka autorë që nuk arrijnë ta dallojnë feminizmin nga lëvizjet më të përgjithshme të femrave.

Në vijim, përqendrimi i vëmendjes do të jetë në filozofinë (duke përfshirë edhe filozofinë politike) dhe teologjinë feministe. Megjithatë, mes shkrimeve të rëndësishme feministe ekzistojnë edhe vepra mbi psikanalizën, jurisprudencën dhe kritikën letrare.

Feminizmi dhe socializmi

Mbase përdorimi i parë i shprehjes “feminizëm” ishte në fillim të shekullit të nëntëmbëdhjetë nga socialisti, Charles Fourier (1777-1837). Ndjekësit e një socialisti tjetër të hershëm, Henry de Saint-Simon (1760-1825) e paraqitën parimin androgjen, sipas të cilit në fillim të historisë ekzistonte një qenie e përzier mashkull dhe femër.

(Për muslimanët do të jetë zbavitëse të mësojnë se dishepujt e Saint-Simonit shkuan në Turqi për ta kërkuar shpëtimtaren femër, pasi që i kishin humbur shpresat se do të gjenin një grua vërtetë të lirë në Evropë!)

Feministet socialiste e mbronin zhdukjen e çdo ndarjeje të punës përgjatë linjave specifike gjinore, dhe kërkonin kuota nga ku gjysma e të gjitha pozitave në çdo fushë punësimi do të zihej nga femrat.

Me mbizotërimin e marksizmit mes formave të ndryshme të socializmit, edhe feminizmi socialist filloi të mbizotërohej nga feminizmi marksist, për herë të parë i trajtuar në vitin 1844 nga Engels në Der Ursprung der Familie (shq. Zanafilla e familjes).

Në këtë vepër, Engelsi kërkon zhdukjen e familjes, integrimin e barabartë të burrave dhe grave në forcën punëtore dhe rritjen e fëmijëve në komunitet, me qëllim që të arrihet barazi mes të gjithë njerëzve dhe t’i jepet fund mbizotërimit të një personi mbi një tjetër.

Ndonëse në vitet e fundit, socializmi e ka humbur popullaritetin dhe marksizmi, në veçanti, është në prag të zhdukjes, një e majtë politike vazhdon të mbijetojë, qoftë edhe në Amerikë, në veçanti në qarqet akademike. Meqë edhe e majta akademike e ka mirëpritur feminizmin, kështu edhe idetë marksiste vazhdojnë të shprehen në shkrimet e udhëheqëseve të rëndësishme feministe.

Ndoshta mësimi më i shquar që feministet e kanë mësuar nga marksistët është stili i tyre polemik. Artikujt mbi feminizmin, qoftë edhe ata që janë botuar në vepra të njohura si Enciklopedia e Etikës ose Enciklopedia Routledge e Filozofisë nuk i përshkruajnë vetëm veprat e feministëve. Ato në mënyrë aktive e mbështesin zhdukjen e roleve tradicionale gjinore për hir të çlirimit të grave.

Si marksistët, edhe feministet e kanë pranuar një ideologji të ngarkuar retorike me të cilën do t’i promovonin shqyrtimet dhe polemikat e tyre. Shpesh, gjuha e përdorur është drejtpërsëdrejti e frymëzuar nga terminologjia marksiste, madje edhe kur vetë marksizmi haptazi hidhet poshtë.

Shumë marksistë ortodoksë dhe feministe socialiste argumentojnë se shtypja e grave i ka rrënjët e saja në sistemin klasor, dhe se sistemi duhet të përmbyset për t’i çliruar gratë. Kritikët feministë të feminizmit marksist kanë argumentuar se burrat e shfrytëzojnë punën e grave nëpërmjet punëve të shtëpisë pavarësisht sistemit klasor, kështu që shqyrtimi klasor është i pamjaftueshëm dhe duhet të plotësohet nga një shqyrtim i shfrytëzimit të mbështetur në gjini.

Filozofia feministe

Sigurisht më e njohura nga filozofet feministe të shekullit të njëzetë ishte Simone de Beauvoir (1908 – 1986). Në vitin 1949, ajo e botoi Le Deuxieme Sexe (shq. Gjinia e dytë), në të cilën ajo e trajton një shqyrtim marksist ekzistencialist të marrëdhënieve ndërmjet burrave dhe grave. Meqë mendimi ekzistencialist e thekson lirinë radikale të individit, që në mënyrë arbitrare ta zgjedhë esencën e tij, de Beauvoir e bën shpalljen dramatike se edhe gjinia është një çështje zgjedhjeje. Për të, biologjia ishte nënçmuese për sa kohë që e nënkuptonte të kundërtën.

Biologjia u jep burrave një liri nga proceset reproduktive, e cila u mungon grave, kështu që ajo e sheh femëroren si një pengesë në të qenit njeri i vërtetë. Feministet e mëvonshëm e kanë kritikuar de Beauvoir për nënçmimin e anatomisë femërore dhe për mbrojtjen e idesë se gratë duhet të merrnin përsipër role mashkullore në shoqëri.

Megjithatë, është përgjithësisht e njohur se vepra e saj i vendosi ato që do të bëheshin motivet kryesore në shkrimet e mëvonshme feministe, pra dallimin ndërmjet seksit dhe gjinisë (tipareve biologjike gjinore dhe tipareve shoqërore gjinore), përqendrimin në autobiografinë si një deklaratë politike, dhe nevojën për t’u mbështetur në disiplina të ndryshme në shqyrtimet e roleve gjinore.

Ndërsa feminizmi i de Beauvoir ka shumë të përbashkëta me ekzistencializmin e Jean-Paul Sartre, shumica e feministeve të kohëve tona janë mbështetur në filozofinë e Michel Foucault dhe Jacques Derrida për t’i zbatuar metodat e shqyrtimit gjenealogjik dhe të dekonstruimit për çështjet që i takojnë gjinisë, duke përfshirë edhe rolin e grave në shoqëri, psikologjinë e grave dhe shtypjen politike të tyre.

Feministet, megjithatë, për qëllimet e veta nuk i kanë përdorur vetëm rrymat filozofike. Ato kanë trajtuar pikëpamje të ndryshme thuajse në të gjitha sferat kryesore të filozofisë. Prandaj, ekzistojnë lexime feministe të historisë së filozofisë, filozofi feministe të shkencës, epistemologji feministe, filozofi feministe shoqërore dhe politike, një etikë feministe dhe madje edhe ontologji feministe. Në vitin 1972 u themelua Shoqata për Gra në Filozofi, revista e së cilës, Hypatia, boton artikuj mbi filozofinë feministe.

Në historinë e filozofisë, feministet janë marrë me dy projekte kryesore. Së pari, një sërë veprash janë shkruar me qëllim zbulimin e anshmërisë kundër grave ose të stereotipave gjinorë në shkrimet e filozofëve perëndimorë, që nga Platoni dhe Aristoteli deri te John Rawls. Dekarti ka qenë një subjekt i veçantë kritikash të këtij lloji.

Së dyti, ka pasur një përpjekje për ta theksuar rëndësinë e filozofeve femra përgjatë historisë. Në këtë program, një arritje e madhe ishte botimi i veprës me tre vëllime të Mary Ellen Waith, Një histori e grave filozofe (ang. A History of Women Philosophers).

Filozofia feministe e shkencës dhe epistemologjia feministe, në të shumtën e rasteve, kanë kërkuar t’i përgënjeshtrojnë pretendimet për objektivitet të shkencës dhe të diturisë, dhe ta identifikojnë anshmërinë gjinore në veprat e shkencëtarëve dhe filozofëve.

Të trajtësuara sipas idesë marksiste se kultura është një strukturë sipërore që pasqyron interesa klasore, pikëpamjet teorike feministe e mbështesin idenë se një botëkuptim specifikisht femëror është i mundshëm kur shkenca të praktikohet nga perspektiva e një gruaje.

Një temë aktuale e debatit në filozofinë feministe të shkencës dhe në epistemologjinë feministe është nëse theksi mbi unikalitetin e perspektivës femërore nënkupton relativizëm ose një mohim të së vërtetës objektive.

Qasjet feministe ndaj etikës vënë një theks të fuqishëm mbi politikën. Ato më shumë merren me fuqinë sesa mirësinë, dhe shpesh i kritikojnë mënyrat në të cilat etika tradicionale kontribuon në nënshtrimin dhe në shtypjen e grave.

Allison Jagger, për shembull, sugjeron se etika feministe duhet të sigurojë udhëzime për veprimet që do ta përmbysin nënshtrimin e grave.

Feministet lesbike e kanë propozuar një etikë feministe të mbështetur në pohimin se gratë nuk mund të hynë në marrëdhënie me burrat pa u bërë viktima të nënshtrimit, dhe se komunitetet lesbike duhet ta ndërtojnë etikën e tyre duke u mbështetur në një kërkesë për liri dhe vetëidentifikim më shumë sesa për mirësi, dhe zgjedhje më shumë se detyrim.

Lesbiket kanë luajtur një rol të rëndësishëm në lëvizjen feministe, dhe ndonëse jo të gjitha feministet janë mbështetëse të lesbianizmit, ato përgjithësisht e pranojnë lesbianizmin si rezultat të sulmit mbi rolet tradicionale gjinore.

Feministet kanë qenë kritike edhe ndaj atyre që kanë propozuar një etikë specifikisht femërore. Për shembull, psikologia e njohur e moralit, Carol Gilligan, ka pohuar se një etikë e përkujdesjes është më e përshtatshme për ta shpjeguar zhvillimin moral të vajzave nga ç’është etika e drejtësisë, e propozuar nga mentori i saj, Lawrence Kohlberg, për ta shpjeguar zhvillimin moral të djemve.

Feministet përgjigjen se Galligan e thekson së tepërmi virtytin e kujdesit ndaj grave dhe se kjo mund të shërbejë më tepër për ta mbështetur sesa për ta eliminuar dallimin ekzistues gjinor. Njëjtë, feministet e hedhin poshtë etikën femërore të propozuar nga studiuesit e etikës, të cilët përqendrohen në urtësitë morale që fitohen nëpërmjet shqyrtimit të marrëdhënieve amnore.

Feministet argumentojnë se duke i dhënë prioritet rolit të femrave si nëna, etika femërore dështon në inkurajimin e tyre për t’i fituar tiparet e nevojshme për ta përmbysur sistemin patriarkal dhe anshmërinë gjinore.

Një pjesë e rëndësishme e polemikës feministe është këmbëngulja se rolet tradicionale gjinore, të mbështetura në dallimet seksuale, janë të gabuara, se patriarkati është një formë shtypjeje dhe nënshtrimi i grave, se gratë kanë qenë padrejtësisht të margjinalizuara dhe të shpërfillura, dhe se të drejtat e grave janë dhunuar.

Ekziston, pra, një kërkesë morale në feminizëm, për përmbysjen e rregullave patriarkale shoqërore, për rishkrimin e historisë, për kritikimin e çdo elementi të kulturës së mbizotëruar nga një pikëpamje mashkullore, duke përfshirë (mes tjerash) artin, psikologjinë, teologjinë dhe vetë etikën.

Teoria politike feministe

Mendimi politik feminist fillon me marksizmin. Sipas Marksit dhe Engelsit, sistemi klasor është ai që fshihet në burimin e të gjitha shtypjeve, dhe familja është një institucion shoqëror që e pasqyron këtë sistem shtypës. Thirrja për zhdukjen e familjes është e pandashme nga thirrja për zhdukjen e sistemit kapitalist dhe zëvendësimin e tij nga komunizmi.

Përderisa disa feministe e kanë miratuar një pikëpamje pak a shumë tradicionale marksiste të familjes, të tjerët kanë kërkuar t’i vendosin rolet gjinore në themelin e mendimit të tyre politik. Në vend që ta shohin familjen si një pasqyrim të sistemit kapitalist të prodhimit, ata e shohin kapitalizmin si rezultat të natyrës shtypëse të sistemit patriarkal.

Duke u mbështetur në këtë, Kate Millet, një aktiviste e fundit të viteve gjashtëdhjetë në “Lëvizjen e Çlirimit të Grave”, pretendonte se struktura më e rrënjosur shtypëse në shoqërinë njerëzore nuk është kapitalizmi, por mbizotërimi mashkullor.

Zhvillimi i feminizmit rëndom ndahet në tre gjenerata, çdonjëra prej të cilave shoqërohet nga një lloj karakteristik kërkesash politike. Gjenerata e parë thuhet se i përfshinte lëvizjen emancipuese dhe atë socialiste të shekullit të nëntëmbëdhjetë e të fillimit të të njëzetit.

Përveç veprës së Engelsit, “Zanafilla e familjes” (Der Ursprung der Familie, 1884) dhe veprës së Millit, “Nënshtrimi i grave” (The Subjection of Women, 1869), shkrimet dhe fjalimet e anarkistes me prejardhje ruso-amerikane, Emma Goldman (1869-1940), janë përfshirë mes pohimeve më të rëndësishme filozofike të mendimit feminist të kësaj periudhe, që ndonjëherë e përfshin edhe veprën e de Beauvior.

Prandaj feminizmi, para se gjithash, është një lëvizje shoqërore dhe politike, dhe nuk është befasuese të zbulojmë se shprehjet e tija thelbësore filozofike e marrin trajtën e një filozofie shoqëroro-politike.

Feminizmi i viteve të gjashtëdhjeta dhe të shtatëdhjeta konsiderohet feminizëm i “gjeneratës e dytë” dhe karakterizohet nga një radikalizim i lëvizjes. Ndërsa feministet e gjeneratave të para bënin thirrje që t’i jepej fund diskriminimit ligjor kundër femrave, në mënyrë që të mos kishte dallim ligjor ndërmjet statusit të burrave dhe të grave, feministet e gjeneratës së dytë nisën ta shihnin konceptimin e rolit shoqëror të meshkujve e të femrave si një gjë të lidhur ngushtë me sistemin patriarkal dhe, si rrjedhojë, nisën të bënin thirrje për eliminimin e tyre.

Gjenerata e tretë e feminizmit, ajo e viteve të tetëdhjeta dhe të nëntëdhjeta është shquar me refuzimin e çdo lloj esencializmi. Feministet e mëhershme kishin pohime të përgjithshme rreth grave, shfrytëzimit të tyre dhe asaj si ato duhet të lëviznin drejt çlirimit. Feministet e gjeneratës së tretë, ndërkaq, argumentonin se një rezultat i natyrshëm i refuzimit të ideve tradicionale rreth gjinisë është edhe të kuptuarit e llojllojshmërisë së tipave femërore mes grave të racave, klasave, kombeve dhe orientimeve seksuale të ndryshme.

Feministet e gjeneratës së tretë promovojnë një vizion të çlirimit ku ekziston një pluralitet shumëngjyrësh përkundër një ideali të vetëm lidhur me gruan e çliruar. Çlirimi shihet si llojllojshmëri në mundësitë e disponueshme për marrëdhënie seksuale dhe role gjinore.

Një tjetër ndarje e tipave të feminizmit është e katërfishtë dhe ngërthen feminizmin liberal, feminizmin radikal, feminizmin socialist dhe atë post-modernist. Feminizmi liberal i ka rrënjët në shkrimet e Mary Wollstonecraft (1757-1797) dhe John Stuart Mill (1806-1873), të cilët kërkonin të drejta të barabarta për gratë.

Në vitet e gjashtëdhjeta, feministet liberale në Shtetet e Bashkuara luftuan për të drejtën e grave për abort me kërkesë, mbështetjen për nënat që punonin, disponueshmërinë e qendrave të kujdestarisë për fëmijët, si dhe përfaqësim më të madh në qeveri, në biznes dhe në botën akademike.

Kjo çoi drejt thirrjeve për masa ligjore për ta promovuar punësimin e grave dhe minoriteteve me qëllim që të përmirësoheshin padrejtësitë e kaluara që u ishin bërë. Ndërsa feministet liberale e theksojnë humanitetin e përgjithshëm të burrave e të grave si themel për barazinë e të drejtave, feministet radikale i theksojnë dallimet ndërmjet përvojave të burrave dhe të grave.

Ata argumentojnë se përvojat e grave janë shtypur dhe se, si rrjedhojë, të gjithë aspektet e kulturës, që nga letërsia e shkenca dhe deri te politika e ligji, shfaqin anshmëri dhe janë në favor të ndjeshmërive mashkullore. Feminizmin socialist e kemi diskutuar tashmë, ndërsa “feminizmi post-modernist” duket se është vetëm një emërtim tjetër për atë që paraprakisht e kemi emërtuar si “feminizmi i gjeneratës së tretë”.

Teologjia feministe

Teologjia feministe nisi të krijohej në vitet e shtatëdhjeta. Gjatë këtij dhjetëvjeçari, me qëllim promovimin e teologjisë feministë, u botua revista Concilium, në SHBA u mbajtën konferencat e para për ta diskutuar teologjinë feministe, Këshilli Botëror i Kishave mbajti një konferencë në Berlin mbi seksizmin, ndërsa Mary Daly e publikoi veprën Përtej Zotit At.

Sikurse “teologjia e çlirimit” (ang. liberation theology)[1], me të cilën është e lidhur, qoftë historikisht qoftë në teori, teologjia feministe mbështetet në mendimin marksist, por edhe e kritikon atë. Feja interpretohet në një mënyrë, në të cilën theksohet çlirimi si funksion kryesor i fesë. Në teologjinë e çlirimit, ky është çlirimi i të varfërve, ndërsa në teologjinë feministe, ai i gruas. Teologjia feministe mund të ndahet në rryma me prirje të moderuara dhe radikale.

Qasjet e moderuara e mbrojnë idenë e riinterpretimit të feve ekzistuese, për t’i pastruar nga ato që konsiderohen elemente seksiste ose androcentrike. Rrymat radikale, ndërkaq, e përkrahin refuzimin e mendimit patriarkal fetar, duke favorizuar adhurimin e një ose më shumë perëndeshave ose praktikimin e magjisë.

Një nga fushat e studimit, të cilave feministet e moderuara i kanë kushtuar vëmendje, është historia e Kishës. Feministet si Elisabeth Schüssler Fiorenza argumentojnë se të krishterët e hershëm ishin egalitarianë, por me zhvillimin e hierarkisë kishtare, anshmëria kundër grave u institucionalizua dhe infektoi shumë diskutime të mëvonshme teologjike.

Metoda e përdorur nga Fiorenza është tërësisht sociologjike dhe mbështetet në teologjinë e çlirimit. Përfundimet e arritura janë relativisht të moderuara: kritika feministe pritet të çojë drejt reformimit të Kishës.

Feministet që përqendrohen në metoda psikanalitike arrijnë në përfundime më radikale. Duke e ndjekur C. G. Jung, feministet si Christa Mulack thonë se e nënvetëdijshmja, që është e ndërlidhur me femëroren, është parimore, dhe se feja e mbizotëruar nga meshkujt e ka nënshtruar femëroren në favor të mashkullores. Sipas kësaj pikëpamjeje, profetët hebraikë shihen si rebelë kundër “Perëndeshës së Madhe”.

Teologet feministe, të cilat përqendrohen te psikologjia priren ta refuzojnë feminizmin që kërkon barazi, në favor të një feminizmi ku femërorja është sipërore, pra të një feminizmi “gjinocentrik”. Ato janë gjithashtu më të prira ta refuzojnë Krishterimin sesa të bëjnë thirrje për reformimin e tij. Përderisa shumica e teologeve feministe duket se janë relativisht të moderuara, radikalet përbëjnë një pakicë me shumë ndikim.

Teologia më e njohur feministe, një mbështetëse radikale e feminizmit gjinocentrik, e njohur ndonjëherë edhe si “nëna e teologjisë feministe”, është ish-murgesha katolike, Mary Daly. Ajo ishte gruaja e parë amerikane që mori doktoratë në teologji katolike në Universitetin e Fribourgut (në vitin 1963).

Vepra e parë e rëndësishme e saj, “Kisha dhe gjinia e dytë” (ang. The Church and the Second Sex), është jehonë e shumicës së ideve të Simone de Beauvoir, të cilat ajo i zbaton në historinë dhe teologjinë e Kishës. Ajo bën thirrje për reformim të Kishës dhe një riinterpretim të krishterimit duke u mbështetur në “feminizmin e barazisë”. Vepra e saj më e famshme, megjithatë, është “Përtej Zotit At” (ang. Beyond God the Father) .

Në këtë vepër, Daly argumenton se koncepti i krishterë mbi Zotin është pandreqshmërisht androcentrik, duke e krijuar sloganin e cituar shpesh të teologjisë feministe: “Nëse Zoti është mashkull, atëherë mashkulli është Zot.” Mbizotërimi mashkullor në mendimin e krishterë forcohet edhe më tej nga doktrina trinitare, sipas të cilës Krishti, si një mashkull, është “Biri Zot”, personi i dytë i trinisë, ndërsa personi i parë i të njëjtës është “Zoti At”.

Në vend të kësaj, Daly propozon që Zoti të mos perceptohet në trajtën e personit, por si themeli i tërë ekzistencës, siç thoshte Paul Tillich. Vepra e dytë më e rëndësishme e Daly, “Gjin/Ekologjia” (ang. Gyn/Ecology), është një shkëputje e plotë nga krishterimi, me refuzimin e Perëndisë në favor të Perëndeshës dhe madhërimit të magjisë (shtrigërisë; ang. witchcraft) si njohuri ezoterike e një kulture të mëhershme matriarkale. Ajo e ripohon edhe mbështetjen e saj për lesbianizmin dhe refuzimin e plotësueshmërisë së mashkullores me femëroren. Kjo u pasua nga botimi i një vepre edhe më radikale, të titulluar “Pastër epsh” (ang. Pure Lust), ku epshi kthehet në një virtyt nëpërmjet të cilit mund të arrihet “fuqizimi i plotë”.

Mbase feministja më e njohur franceze që ka shkruar mbi teologjinë është Luce Irigaray. Ajo shkruan nga një perspektivë post-moderniste, që është kritike ndaj “feminizmit të barazisë”. Ideali i saj nuk është një shoqëri, në të cilën do të eliminohen dallimet gjinore, por një në të cilën do të shfaqet një feminitet i ri nga përvojat e grave të çliruara nga mbizotërimi mashkullor.

Çlirimi ka pasoja teologjike. Edhe ajo, si Mary Daly e kundërshton krishterimin për shkak të konceptit mashkullor të Zotit, në veçanti ashtu siç shprehet në konceptin e Trinisë. Ndonëse pranon se grave u duhet feja dhe hyjnorja, ideja e Zotit, e tillë siç shfaqet në fetë e shpallura, hidhet poshtë.

Respekti për Zotin është i mundur vetëm sa kohë që askush nuk kupton se ai është një maskë që e fsheh faktin se burrat e kanë marrë në pronësi hyjnoren, identitetin dhe farefisninë. Megjithatë, kur t’ia kushtojmë kësaj çështjeje vëmendjen e veçantë që meriton, bëhet e qartë se Zoti është duke u përdorur nga burrat për t’i shtypur gratë dhe se, si rrjedhojë, Zoti duhet të vihet në dyshim dhe jo thjesht të neutralizohet në mënyrën e tashme pseudo-liberale.

Ajo deklaron se vetëm një “Zot në gjininë femërore” mund ta sigurojë lirinë e grave dhe përmbushjen e tyre “si individë dhe anëtare të një komuniteti.”

Ndërsa shumica e teologeve feministe nuk e mbrojnë “teologjinë e perëndeshës”, të sugjeruar nga Daly dhe Irigaray, ato mbajnë një qëndrim të moderuar vetëm kur të krahasohen me pikëpamjet e tilla të skajshme. Të ashtuquajturat teologe të moderuara feministe e pranojnë në pjesën më të madhe orientimin e përgjithshëm feminist: refuzimin e plotësueshmërisë së ndërsjellë të gjinive, pranimin e “familjeve jo-tradicionale” që përbëhen nga partnerë homoseksualë me ose pa fëmijë, ose nëna beqare me fëmijë, si dhe një hermeneutikë të mbështetur në përpjekjen për t’i zbuluar anshmëritë gjinore.

Ato e mbështesin rishkrimin e teksteve fetare në një mënyrë që i zëvendëson të gjitha referencat mashkullore për Zotin me referenca asnjanëse ose mashkullore dhe femërore paralelisht, kështu që aty ku Bibla i referohet Zotit si “Ati ynë”, feministet e zëvendësojnë me “Nëna jonë dhe Ati ynë”.

Ndërsa kjo mund të duket sipërfaqësore, teologet e moderuar feministe priren që ta kuptojnë mesazhin themelor të krishterimit si një thirrje drejt përpjekjes për çlirim, në veçanti çlirim të grave nga dominimi mashkullor, që përfshin edhe shpërbërjen e familjes tradicionale.

Kundërshtimi islam ndaj feminizmit

Ndonëse Islami dhe feminizmi nuk janë krejt pa elemente të përbashkëta, vlerat dhe parimet e Islamit dhe feminizmit janë përgjithësisht të ndryshme. Edhe Islami edhe feminizmi e dënojnë shtypjen e grave. Të dy këmbëngulin se gratë mund t’i kenë pronat e veta dhe t’i shfrytëzojnë si dëshirojnë. Në teologji, të dy e hedhin poshtë simbolin e “Atit” për Zotin.

Megjithatë, pikëpamja feministe se patriarkati është i barabartë me shtypjen e grave nuk përputhet me Islamin. Ideja feministe se rolet tradicionale gjinore duhet të eliminohen është në kundërshtim me idenë islame se roli kryesor i femrës (pas asaj të të qenit një shërbëtore e Zotit) është ai i gruas dhe i nënës.

Në aspektin teologjik, ndërsa feministet e shohin hyjnoren si “Nënë dhe At” ose si perëndeshë, Islami e konsideron metaforën prindërore si të papërshtatshme për hyjninë dhe kategorikisht e mohon ekzistencën e perëndive dhe perëndeshave.

Idealet kundërthënëse të Islamit dhe feminizmit

Ndërsa feminizmi e hedh poshtë çdo lloj plotësueshmërie të ndërsjellë të gjinive, Islami e thekson atë nëpërmjet nënvizimit të roleve të ndryshme shoqërore për burrat dhe gratë. Feminizmi është kritik ndaj institucionit të martesës, sepse çon drejt nënshtrimit të grave, ndërsa Islami fuqimisht e rekomandon martesën edhe për burrat edhe për gratë, duke e konsideruar martesën si një institucion ku burrat dhe gratë kanë përgjegjësi dhe detyra që dallojnë qartazi. Roli udhëheqës për burrat merret si i mirëqenë në Islam, përderisa feministet e konsiderojnë atë si një shtypje.

Mendimi tradicional islam e ka madhëruar strukturën hierarkike të universit si një shenjë të hyjnores, dhe ka parë jehona të kësaj në marrëdhënien e mendjes dhe trupit, shpirtit dhe psikës, mbretit dhe të të nënshtruarit, zotërisë dhe skllavit, si dhe burrit dhe gruas. Kjo nuk do të thotë se Islami i miraton të gjitha këto marrëdhënie, të tilla si hasen në shoqëritë tradicionale, por do të thotë se marrëdhëniet e nënshtrimit e të hierarkisë nuk konsiderohen të liga për hir të kësaj, siç pretendojnë feministet.

Sipas Elizabeth Moltmann-Wendel, “thelbi i teologjisë patriarkale” është “mbizotërimi i nënkuptuar në marrëdhënien ndërmjet mendjes dhe trupit: vullneti mbi të pavetëdijshmen, historia mbi natyrën, burri mbi gruan.”

Rosemary Reuther e shfaq një qëndrim të njëjtë: “Simbolizmi seksual është jetik për perceptimin e rregullit dhe të marrëdhënieve të ndërsjella, që është krijuar nëpër kultura të ndryshme. Organizimi psikik i vetëdijes, pikëpamja dualiste e vetes dhe botës, koncepti hierarkik i shoqërisë, marrëdhënia ndërmjet njerëzimit dhe natyrës, si dhe ndërmjet Zotit dhe krijesës, të gjitha kanë qenë të modeluara mbi dualizmin seksual.”

Siç e thekson Hauke: “Supozimi i nënkuptuar këtu është se nënshtrimi dhe inferioriteti janë e njëjta gjë dhe se ata tregojnë ‘ndarje’ dhe ‘dualizëm’.”

Islami është nënshtrimi i bindur i njeriut para Zotit. Në nënshtrimin e tij para Zotit, megjithatë, njeriu nuk shtypet nga Zoti, por përsoset prej Tij. Ndërsa feministet e konsiderojnë gjendjen e grave më të mirë kur ato kanë më shumë zgjedhje, pasi që e mbështesin idenë se e mira është shprehje e lirë dhe kënaqje e dëshirës së pakufizuar, e mira në Islam shihet si asgjësimi i unit dhe i dëshirave të unit te hyjnorja.

Këtij takimi hyjnor i afrohemi edhe më shumë pikërisht nëpërmjet arritjes së virtytit dhe nënshtrimit të dëshirave të liga të vetes.
Plotësueshmëria e ndërsjellë e gjinive, familja dhe seksualiteti

Evropianët e kanë dënuar Islamin si për pranimin prej tij të seksualitetit dhe sensualitetit njerëzor, ashtu dhe për shtypjen e të njëjtës. Kur morali viktorian mbizotëronte në Evropë, Islami shihej si një fe e keqe, që u ofronte ndjekësve të vet premtime për kënaqësi shqisore në jetën e përtejme.

Kur morali evropian ndryshoi dhe idetë frojdiane u popullarizuan, Islami u dënua për kufizimet që i vendoste në marrëdhëniet seksuale. Në shkrimet feministe shprehen të dy qëndrimet. Deri në një masë të caktuar, kjo mund të jetë si rezultat i ideve të ndryshme mbi seksualitetin që qarkullonin mes feministeve.

Disa feministe, për shembull, e konsiderojnë prostitucionin një formë të ligjshme pune, dhe e parapëlqejnë termin “punonjëse seksuale”, ndërsa feministe të tjera e konsiderojnë prostitucionin dhe “industrinë e seksit” si një manifestim të degradimit të gruas në duart e sistemit patriarkal.

Disa feministe kërkojnë ndryshime në shoqëritë islame, në mënyrë që grave t’u jepen më shumë liri seksuale, ndërsa të tjerat kërkojnë që burrave t’u vendosen kufizime më të mëdha.

Është e qartë se Islami e njeh dhe e pranon seksualitetin njerëzor. Kënaqësia seksuale më vete nuk konsiderohet e ligë, siç është në disa tekste të krishtera. Megjithatë, Islami vendos kufizime të rrepta mbi sjelljen seksuale. Këta kufizime dallojnë për burrat dhe për gratë. Burrat janë të lejuar të kenë më shumë se një grua njëkohësisht, ndërsa gratë nuk lejohen të kenë më shumë se një burrë.

Duhet të pranohet se burrat muslimanë ndonjëherë abuzojnë me këtë dhe me lejet e tjera që u janë dhënë nga ligji islam, për t’u bërë padrejtësi grave. Nga kjo, feministet vijnë në përfundimin se ligji islam është shtypës ndaj grave. Megjithatë, në kontekst të ligjeve që merren me marrëdhëniet seksuale në shoqëritë e tjera, qofshin liberale, komuniste ose të krishtera, hasim prapë burra që përfitojnë nga mundësitë e atjeshme për t’i shtypur gratë.

A duhet atëherë të vijmë në përfundim se të gjithë ligjet që merren me marrëdhëniet seksuale janë shtypëse ndaj grave? Qoftë edhe nëse do të ndërtohej një shoqëri ku nuk do të kishte absolutisht asnjë ligj që merrej me marrëdhëniet seksuale, disa burra megjithatë do t’i shtypnin gratë, ndoshta edhe më shumë se ç’ndodh në shoqëritë muslimane. Problemi, me sa duket, nuk është te ligji, por te morali i atyre që e shfrytëzojnë atë për qëllime egoiste.

Me të gjitha liritë dhe të drejtat që u janë dhanë grave në SHBA, të pohohet se gratë janë më mirë se ç’kanë qenë më parë është shumë e dyshimtë. Statistikat tregojnë se më shumë gra jetojnë në varfëri se më parë. Divorci është bërë i lehtë, dhe kujdestaria e fëmijëve normalisht u jepet nënave, ndërsa mbështetja që mund të jepet nga anëtarët e tjerë të familjes është dobësuar me shkatërrimin e familjes.

Ligji islam funksionon për ta ruajtur strukturën familjare nëpërmjet hierarkisë patriarkale në të cilën është vendosur një themel i qartë detyrimesh karshi gruas. Për më tepër, ka hapësirë të mjaftueshme për gratë që të manovrojnë brenda kornizës së ligjit familjar islam, në mënyrë që t’i pengojnë burrat e tyre nga divorci arbitrar dhe nga një martesë e dytë.

Kjo duket shumë më mirë për gratë se zakonet perëndimore, ku gjatësia mesatare e një martese është pesë vjet dhe ku për burrat është e zakonshme që të kenë të dashura.

VAZHDON

[1] “Teologji e çlirimit” quhet lëvizja e shfaqur në vitet e pesëdhjeta dhe të gjashtëdhjeta të shekullit të njëzetë në Kishën Katolike në Amerikën Jugore, e cila vinte theks mbi drejtësinë shoqërore dhe emancipimin e grupeve të shtypura. Për shkak të përdorimit të shumë elementeve marksiste në retorikën e saj, kjo lëvizje u pa me një sy armiqësor veçanërisht nga SHBA-të, por më pas edhe nga Vatikani. (shën. red.)/ gnosa

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne