“Islami i Moderuar” për kë ose për çfarë?

Prof. dr. Kudret BÜLBÜL*

Disa qendra dhe shërbimet e inteligjencës së disa shteteve hera-herës mund të bëjnë përpjekje të vazhdueshme për të përcaktuar agjendën me diskutime false. Megjithatë historia na tregon se “nuk lyhet dielli me baltë” dhe agjenda e vërtetë zbulohet në një mënyrë shumë të dhimbshme kur i vjen dita.

Një prej shembujve konkretë që mund të paraqitet për këtë situatë është debati mbi “Islamin e Moderuar”. Teksa zhvillimet e së kaluarës së afërt të Perëndimit janë të mbarsura me rreziqe tmerruese për Perëndimin vetë dhe njerëzimin në përgjithësi, në rend të ditës po futet vazhdimisht debati rreth “Islamit të Moderuar”. Perëndimi, ashtu si diskutonte vazhdueshëm çifutërinë përpara Luftës II Botërore duke mos parë kanosjen që po krijonte për vete dhe njerëzimin, ashtu edhe tani po debaton për një “Islam të Moderuar” duke mos vënë re pragun e hyrjes në errësirën e skëterrshme të neonazizmit dhe neofashizmin. Me motivin se nxit dhunën dhe antisemitizmin, të cilat janë në thelb sëmundje të Perëndimit, 300 intelektualë dhe politikanë francezë nënshkruajnë pak javë më parë një deklaratë për heqjen e disa ajeteve nga Kurani Famëlartë. Por të njëjtët intelektualë bien në heshtje të plotë kur Izraeli injoron ligjin, komunitetin ndërkombëtar dhe ndërgjegjen njerëzore duke bërë gjenocid e hapur zjarr direkt për të martirizuar dhjetëra dhe plagosur mijëra palestinezë civilë dhe të paarmatosur, që protestonin transferimin e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Jerusalem. Por a mund të ketë dhunë, racizëm, islamofobi dhe armiqësi kundër tërë gjinisë njerëzore më të madhe se kaq?

Nëse me “Islam të Moderuar” nënkuptohet lufta kundër organizatave që bëjnë terrorizëm në emër të fesë dhe aplikojnë çdolloj terrori në hapësirat gjeografike ku jetojnë, duke mos njohur kurrfarë kufiri human, moral, etik, ndërgjegjësor dhe islam, atëherë asnjë njeri me mend në kokë nuk i bën opozitë një lufte të tillë. Mirëpo kjo duhet emërtuar si luftë kundër terrorizmit dhe jo si nevojë për “Islam të Moderuar”, pasi terrorizmi është terrorizëm pavarësisht se me çfarë qëllimi apo motivi bëhet. Emërtimi i një nocioni të një fushe të caktuar duhet të bëhet mirë, në mënyrë të përpiktë dhe korrekte. Në fakt, lëvizjet terroriste me burim Krishterimin, përherë e më të shumta gjatë kohëve të fundit, nuk diskutohen në kornizën e nevojës për “Krishterim të Moderuar”. Po ashtu dhuna dhe terrorizmi që Izraeli ka ushtruar ndaj palestinezëve për dekada, në kundërshtim me rezolutat e Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe ndërgjegjen e njerëzimit, nuk vlerësohen në kontekstin e domosdoshmërisë për “Judaizëm të Moderuar”.

Praktikisht, është e qartë se termi “Islam i Moderuar” nuk ka për qëllim të kundërshtojë terrorizmin. Në rast se qëllimi është dënimi dhe ndëshkimi i terrorizmit, atëherë nuk është e vështirë të përcaktohet një qëndrim i përbashkët ndaj terrorizmit pavarësisht burimeve të tij, të cilat mund të jenë fetë, ideologjitë dhe në të shumtën e rasteve, për hir të së vërtetës, aktivitetet imperialiste.

Parë në aspektin e zbatimit, pra, si pozicionohen dhe kë mbështesin në terren disa vende apo shërbimet e tyre të inteligjencës, duket qartë se termi “Islam i Moderuar” përdoret si një mjet për të errësuar interesat imperialiste, për të gllabëruar resurset/pasuritë mbitokësore e nëntokësore të vendeve të pafajshme, si dhe për të fshehur pushtimet, vdekjet, zullumet dhe mërgimet e detyruara (dëbimet nga atdheu). Ndërkohë që shtetet imperialiste po shijnë në Lindjen e Mesme për interesat e tyre, si fajtorë janë duke u paraqitur sërish njerëzit dhe ideologjitë e kësaj hapësire gjeografike.

Sigurisht që duhet të analizohen medoemos arsyet përse njerëzit e këtij rajoni lejojnë shfrytëzimin e tyre dhe problemet, të cilat burojnë nga ata vetë. Por në dritë duhet të nxirren gjithashtu aktivitetet imperialiste globale në dëm të tyre.

Kur shohim skemën e marrëdhënieve të organizatave terroriste si FETO, DAESH, PKK, PYD dhe armët që ato zotërojnë, rezulton se këto organizata janë të ndërthurura me disa shërbime të inteligjencës perëndimore.

Disa shtete perëndimore nuk ndalen kurrë së bëri biznes me regjimet shtypëse/represive në vendet myslimane pavarësisht se popujt e tyre mund të mos e miratojnë këtë gjë. Shumica e vendeve perëndimore nuk mbështesin asnjë zhvillim demokratik në Lindjen e Mesme, përveçse në Izraelit. Nuk kanë probleme me qeverinë egjiptiane, e cila ka kryer dhjetëra masakra në vendin e saj. Ata janë mirë me disa monarki, që vazhdojnë të mbajnë nën sundim popujt e tyre. Ndërkohë që një vend mund ta lavdërojnë në këtë kontekst pse “tashmë gratë lejohen të ngasin makinën”, një shteti me traditë dhe themele shekullore si Turqia, e cila zgjedhjet e para i ka mbajtur në vitin 1876, kulturën demokratike e ka më të vjetër sesa historia e shumë vendeve perëndimore dhe grave ua ka njohur të drejtën për t’u zgjedhur në vitin 1934, sërish mjaft më herët sesa shumë vende perëndimore, mund t’i drejtojnë kritika/shpifje të rënda.

Po të shihen politikat e shteteve perëndimore për Lindjen e Mesme, krijohet një perceptim sikur ky rajon do grupet margjinale, pa rrënjë, sektare e në konflikt me popujt e tyre dhe jo rrymat politike kryesore që kanë një akumulim civilizimi shekullor dhe janë në paqe me popujt, historinë dhe gjeografinë e tyre. Ndoshta për këtë arsye bëhen përçapje për të demonizuar regjimin dhe figurat demokratike në paqe me popullin e tyre, si Turqia dhe Recep Tayyip Erdogani; teksa shenjtërohen regjimet dhe personat që vazhdojnë të mbajnë pushtetin në kundërshtim me vullnetin e popujve të tyre, si në rastin e Egjiptit dhe disa monarkive të Gjirit.

Kur shikohen këto qëndrime në praktikë të disa vendeve dhe qendrave perëndimore, ajo çfarë ato perceptojnë ose presin nga termi “Islam i Moderuar” duhet të jetë një kuptim mizor për popullin e vet dhe i moderuar në raport me ta. Administratat e heshtura karshi operacioneve të Perëndimit apo moskokëçarëse ndaj qëllimeve imperialiste në vendet dhe rajonin e tyre, janë “të moderuara”; ndërsa personat dhe regjimet që u kundërvihen apo rezistojnë këtyre, janë “të rreptë” dhe “diktatorë”! Me pak fjalë, “i moderuar” për disa qendra perëndimore do të thotë mizor dhe tradhtar për njerëzit/myslimanët e vendit të tij.

Disa qendra ndërkombëtare mund të vlerësojnë si më fitimprurëse në këndvështrimin e tyre mbështetjen e organizatave terroriste të porsakrijuara apo regjimeve pa rrënjë dhe ilegale në syrin e popujve të tyre. Megjithatë, në planin afatgjatë, e nevojshme dhe me dobi si për grupet liberale e pluraliste në Perëndim ashtu edhe për popujt e Lindjes së Mesme dhe për njerëzimin në tërësi është mbështetja e metodave dhe qeverive demokratike, pluraliste, liberale dhe me traditë të rrënjosur; kurrsesi përpjekja për të zhdukur vendet dhe lëvizjet me akumulim qytetërimi të rrënjosur nëpërmjet grupeve terroriste pa një traditë civilizimi, pa të kaluar, të porsakrijuara dhe përgjithësisht të mbështetura nga disa qendra perëndimore. Nëse shihet nga kjo perspektivë, atëherë një kontribut shumë të rëndësishëm mund të ofrojë Turqia, me përvojën e saj “Pax Ottomana”, duke arritur të sigurojë një bashkëjetesë në paqe për shekuj me radhë për ato palë, të cilat sot janë në konflikt ose luftojnë mes tyre në Ballkan dhe Lindjen e Mesme./ trt

*Dekan i Fakultetit të Shkencave Politike të Universitetit “Yildirim Beyazit”, Ankara

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne