Islami, njeriu dhe edukata morale

H. Vehbi Gavoçi

Islami është një kod ligjesh për drejtimin e jetës së njerëzve në çdo kohë e në çdo skutë të dheut. Kjo rrugë, që simbolizon përuljen e bindjen ndaj Zotit, iu komunikua njerëzimit që nga krijimi i njeriut të parë dhe erdhi duke u përsosur krahas ecurisë e zhvillimit të njerëzimit deri te profeti Muhamed a.s., e pra u bë ushqim shpirtëror për të gjithë.

Historikisht provohet se njerëzit s’kanë jetuar asnjëherë pa këtë ushqim fetar, aty ku ka depërtuar rruga hyjnore është marrë për bazë feja e aty ku nuk ka shkuar ose është shkelur, janë krijuar gjithfarë besimesh deri në besimin e hyjnizimin e njeriut, të trupave qiellorë, të objekteve materiale, etj.

Njeriu, krijesa më e përkryer, ka punuar për zhvillimin e tij në çdo aspekt. Ai është mikrokozmos që sintetizon në vetvete aftësi që nuk njihen prej tij apriori, por vijnë duke u shfaqur nëpërmjet mendjes e duarve të tij në fushën e shkencës e të përparimit. Nganjëherë në histori, duke mos iu afruar burimit hyjnor, fesë së Zotit, njeriu është përpjekur të krijojë doktrina me karakter edhe shpirtëror, por ka dështuar, pasi është bazuar vetëm në prodhimin e mendjes, e analogjisë së ligjeve morale. Aty ka munguar inspirimi edhe në shkallën më të ulët, kështu që këto ide të ngritura në besim nuk kanë pasur sukses, por kanë përfunduar siç i bëhet njeriut të sëmurë, duke i hequr zemrën a veshkat e prishura e duke i zëvendësuar me prodhimin e mendjes njerëzore, që duke i krahasuar me ato të lindura, lënë shumë për të dëshiruar. Njeriu ka shpirt e zemër, të cilat kërkon t’i ushqejë e ky ushqim është besimi; ka logjikë që kërkon ta zbërthejë e këtë e bën me anë të dijes e të kulturuarit, jeton e këtë jetë përpiqet ta rregullojë konform aftësive të tij dhe në raport me mjedisin brenda të cilit banon, e pra përpiqet të shtjellojë rregullat morale për t’i aplikuar në shoqëri. Në këtë fushë ai fillon të trajtojë dashurinë ndaj prindërve, të afërmve e shoqërisë, një lidhje kjo që nuk ka si bazë a qëllim interesin, por detyrën si klauzolë për të funksionuar mirë shoqëria dhe si shprehje e vullnetit të Zotit për hir të së vërtetës.

Profeti ynë i dashur a.s. thotë: “Nuk quhet besimtar ai që nuk ia do tjetrit të mirën dhe nuk i lutet Zotit për të”. E pra nuk është vetëm një prononcim verbal, një teori e thatë ajo që predikon udhërrëfyesi i Islamit, por një praktikë e gjallë, të jetuarit me mendje, shpirt, zemër e në gjymtyrët e çdo anëtari të kësaj shoqërie.

Pas saj vjen qëndrimi i drejtë me fjalë e vepra ndaj tjetrit, trajtimi i një çështjeje ashtu siç është, sipas citatit profetik: “Thuaje gjithmonë të vërtetën dhe nëse bie ndesh me qëndrimin dhe veprat e tua”.

Në vazhdim është sjellja ndaj të tjerëve pa bërë asnjë dallim, rangu, niveli, krahine, race, feje e gjinie. Të gjithë anëtarët e shoqërisë janë si pjesët e një makinerie, e cila për të funksionuar ka nevojë për pjesën më të vogël të saj, që zor se zëvendësohet me një tjetër. Kështu është rasti i shoqërisë, ku secili ka vendin e rolin e vet në të, e s’ka asnjë arsye të mbivlerësojmë ose të nënvlerësojmë, por, mbi të gjitha, qëndron parimi islam: “Më i nderuari juaj, është ai që është më i virtytshmi”; e pra ai që bën vepra të mira, të cilat reflektohen nga baza e tij e deri në shoqërinë më të largët fizikisht. I varfri që jeton me mundin e djersën e tij është shumë më i preferuar te Zoti se një i pasur që mendon vetëm për vete, madje kërkon të përfitojë nga pozita e tij materiale në kurriz të të pamundurit. Ai harron se dhurata e mundësia e dhënë për t’u dalluar nga të tjerët nuk është monopol e përhershmëri. Po kështu edhe i dituri duhet të jetë fanar për të paditurin e në asnjë mënyrë të mos e privojë nga ajo që i takon, pse edhe ky i shërben kësaj makinerie të madhe.

Njeriu duhet të jetë misionar në këtë jetë, ashtu sikur është detyrë ta nxjerrim nga uji atë që rrezikon të mbytet, edhe ai që ka marrë një rrugë të keqe, duhet këshilluar e larguar nga kjo, së paku duke i folur, nëse nuk mundesh me forma më efektive./ Drita islame

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne