Islamofobët gjermanë “mbjellin” pjesët e një derri në tokën e xhamisë së ardhshme

Nëntë shkopa druri të mbuluara me pjesë të një derri të ngordhur janë gjetur në një ngastër toke në Gjermani ku është planifikuar të ndërtohet një xhami, sipas policisë. Rasti vjen pas protestave të shumta kundër vendit të propozuar të adhurimit.

Shkopat, rreth 1.5 metra të gjata, u ngulën në një ngastër toke në qytetin lindor të Erfurtit, tha agjensia e lajmeve DPA.

Gjysma e kokës së derrit, këmbët dhe zorrët e tij ishin ngulur në krye të shkopave, në vendin ku është planifikuar të ndërtohet xhamia Ahmadiyya.

Policia e Erfurtit tha se nuk ishte në dijeni se kush i ka ngulur shkopinjtë dhe pjesët e derrit, duke shtuar se është nisur një hetim mbi rastin.

Ka pasur mitingje të shumta kundër xhamisë Ahmadiyya. Në njërën prej tyre protestuesit ngritën kryqe të krishtera në një tokë fqinje.

Komuniteti Ahmedi është një lëvizje muslimane e themeluar në fund të shekullit të 19-të në Indi. Ajo ka të njëjtin status ligjor si kisha e krishterë në Gjermani, raporton DPA.

Derrat konsiderohen të papastër nga muslimanët dhe janë përdorur në protesta të ndryshme kundër Islamit në Gjermani dhe vende të tjera.

Më herët në maj, koka e një derri që mbante ofendime kundër Kancelares gjermane Angela Merkel ishte lënë jashtë zyrës së saj. Merkel u përball me kundërshtime të ashpra ndaj politikave të saj liberale të emigracionit, të cilat lejuan mbi 1.1 milionë refugjatë kryesisht muslimanë në vend vitin e kaluar. Megjithatë, mbetet e paqartë nëse sulmi ishte në përgjigje të politikës së saj mbi azilkërkuesit.

Muajin e kaluar, disa kokë derrash u gjetën varur në një gardh jashtë rezidencës së ambasadorit maroken në një periferi të Parisit.

Në gusht të vitit 2016, një deputet hungarez u përball me kritika dhe komente të hidhura në internet pasi ai sugjeroi që kokat e derrave do të ishin një pengesë e madhe kundër refugjatëve që përpiqen të hyjnë në vend.

Vendosja e kokave të derrave dhe e pjesëve të tjera të trupit të tyre konsiderohet shumë ofenduese për muslimanët, të cilët abstenojnë nga konsumimi i derrit, sepse derri konsiderohet një kafshë “e papastër” në Islam. / © Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne