Presidenti i SHBA, Donald Trump, vizitën e tij të parë jashtë vendit e kreu në Arabinë Saudite dhe më pas udhëtoi për në Izrael. Trump vizitoi më pas Romën dhe Brukselin ku mori pjesë në takimin e krerëve të vendeve të NATO-s. Vizita e presidentit amerikan në dy kiblet e myslimanëve në Arabinë Saudite dhe në Kodsin e shenjtë u zhvillua në rrethana tepër të veçanta. Mbreti i Arabisë Saudite i rezervoi një pritje madhështore presidentit Trump dhe kishte ftuar në Riad krerët e dhjetëra shteteve islame me qëllim që në prani të tyre të merrte kryesimin e koalicionit kundër terrorizmit! Sigurisht, koalicioni kundër terrorizmit i kryesuar nga regjimi Al Saud është më shumë një shaka politike. Në botë nuk ekziston askush që të mos e dijë se Arabia Saudite është fabrika ku prodhohen dhe përhapen ekstremizmi dhe terrorizmi në botë. Gjatë fushatës elektorale, Donald Trump e kishte quajtur Arabinë Saudite “burim kryesor i terrorizmit”, por pas zgjedhjes së tij në postin e presidentit, gjatë një bisede telefonike me mbretin saudit, ra dakord për vazhdimin e marrëdhënieve strategjike mes dy vendeve. Gjatë vizitës në Riad, Trump nënshkroi marrëveshjen më të madhe të armëve me Arabinë Saudite dhe u bashkua me këtë vend në akuzat se Irani e përkrah terrorizmin. Regjimi Al Saud, për të realizuar qëllimet e tij ekspansioniste dhe për të justifikuar rolin e tij në krizat në Siri, Irak, Jemen, Bahrejn dhe në vendet e Afrikës Veriore, përpiqet të sajojë një armik. Për këtë arsye, Iranin, që është viktima kryesore e terrorizmit në katër dekadat e kaluara dhe shteti më serioz në luftën kundër terrorizmit në rajon, e akuzojnë për përkrahje të terrorizmit dhe krijojnë një koalicion rajonal gjoja për të luftuar terrorizmin. Ata me këtë pretekst i kanë shtrirë dorën Amerikës dhe nënshkruajnë kontrata qindra miliarda dollarëshe për blerjen e armatimeve amerikane. Edhe Amerika, për të justifikuar politikat e saj ndërhyrëse në rajonin e LM dhe për të mbajtur të nxehtë tregun më të madh të armëve në botë, u bashkua me regjimin Al Saud në akuzat kundër Iranit.

Akuzat e përbashkëta të Donald Trump dhe të regjimit Al Saud kundër Iranit u bënë në një kohë kur Irani organizoi zgjedhjet presidenciale që janë të paprecedenta në rajonin e Lindjes së Mesme. Ky qëndrim hipokrit dhe joparimor i presidentit amerikan nuk mbeti pa u vërejtur nga analistët dhe mediat perëndimore. Robert Fisk, ekspert i njohur i çështjeve ndërkombëtare dhe gazetar anglez, në një artikull në gazetën Independent, shprehu admirimin për procesin e zgjedhjeve presidenciale në Iran dhe shkruajti: “ 50 diktatorët që u takuan me Trumpin në Riad, nuk guxojnë të organizojnë zgjedhje si ato në Iran”. Në vazhdim të këtij shkrimi Robert Fisk thekson se samiti i krerëve të vendeve arabe të Gjirit Persik me presidentin amerikan Donald Trump ishte një takim mes diktatorëve totalitarë dhe shton: ”Përveç Libanit, Tunizisë dhe Pakistanit, të gjitha vendet e tjera që morën pjesë në takimin e Riadit e konsiderojnë demokracinë si një shaka dhe një idiotizëm pa lidhje që është sajuar nga perëndimi”.

Edhe në SHBA, vizita e Donald Trump në Arabinë Saudite dhe nënshkrimi i marrëveshjes rekord për shitjen e armëve regjimit të Riadit, u pritën negativisht. Ferid Zakaria, gazetari i njohur amerikan me origjinë indiane, në një artikull të botuar në gazetën Washington Post, shkruajti:”E vërteta duket qartë, për rreth 5 dekada regjimi i Arabisë Saudite shpërndan ide dhe mendime të thata, të devijuara dhe ekstremiste në mbarë botën islame. Të tilla ide nuk mund të pranohen nga asnjë shtet dhe nga asnjë mendje dhe logjikë e shëndoshë. Osama bin Laden ishte një saudit, ashtu si dhe 15 nga autorët e sulmeve terroriste të 11 Shtatorit 2001 në SHBA”. Në një pjesë tjetër të artikullit të tij, Zakaria trajton praninë e shtetasve sauditë në grupin terrorist ISIS dhe përkrahjen e Riadit për Al Kaidën dhe shkruan: “ Sauditët përbëjnë grupin e dytë më të madh të pjesëtarëve të ISIS dhe janë pjesëmarrësit kryesorë në sulmet terroriste të ISIS në Irak. Gjithashtu, nuk mund të fshihet fakti se Arabia Saudite ka një pakt të fshehtë me Al Kaidën për të shtrirë sundimin e tyre në Jemen. Grupi terrorist ISIS idetë dhe mendimet e tij i ka huazuar nga ideologjia vehabiste që sundon në Arabinë Saudite. Siç ka theksuar edhe myftiu i madh i Arabisë Saudite, ISIS po zbaton parimet e vehabizmit, por në një formë më të ashpër. Interesant është fakti se ISIS mund të ketë librat e tij, por preferon librat dhe programet arsimore të Arabisë Saudite”. Në shkrimin e tij, Ferid Zakaria trajton edhe përhapjen e ekstremizmit në Europë nga Arabia Saudite. Në lidhje me këtë ai shkruan: “ Paratë e sauditëve tashmë po e ndryshojnë Islamin edhe në Europë. Informacionet e publikuara në Gjermani tregojnë se shoqatat bamirëse që janë të afërta me zyrat shtetërore të Arabisë Saudite, Katarit dhe Kuvajtit, u japin ndihma financiare xhamive, medreseve dhe imamëve, me qëllim që të përhapin në Gjermani idetë fundamentaliste dhe ekstremiste të këtyre shteteve”. Ai thekson se vetë qeveritë europiane dhe SHBA, për shkak të marrëdhënieve të veçanta që kanë me Arabinë Saudite, lejojnë që ky vend të përhapë idetë e tij devijuese dhe botëkuptimin e gabuar dhe ekstrem të vehabizmit në lidhje me një fe paqësore, tolerante dhe drejtësidashëse si Islami. Marrëdhëniet e veçanta të SHBA dhe të shteteve europianë me Arabinë Saudite, tregojnë qartë falsitetin e sloganeve të tyre për të drejtat e njeriut dhe për luftën kundër ekstremizmit dhe terrorizmit.

Një nga rajonet ku regjimi Al Saud ka investuar shumë për përhapjen e vehabizmit dhe për rekrutimin e trupave për ISIS-in është rajoni i Ballkanit dhe veçanërisht, Kosova, shtet me shumicë myslimane por që vuan nga varfëria e madhe. Në lidhje me këtë, Ferid Zakaria shkruan:” Në Kosovë, po raportohet se po shkatërrohet tradita 500 vjeçare e Islamit të moderuar. Imamët e xhamive, të cilët pregatiten nga Arabia Saudite, propagandojnë parimet e vehabizmit, supremacinë e ligjeve fetare dhe ideve takfiristë që lejojnë vrasjen e myslimanëve që sipas vehabistëve, nuk ndjekin parimet islame. Ndihmat bamirëse zakonisht jepen me kushte dhe familjet nevojtare marrin një shumë mujore me kusht që të jenë të pranishme nëpër xhami dhe gratë dhe vajzat e tyre të veshin mbulesën islame”.

Vizita e Donald Trump në Arabinë Saudite tregoi se presidenti amerikan, si një tregtar i sprovuar, e njeh shumë mirë erën e petrodollarëve dhe nuk njeh kufi në forcimin e marrëdhënieve mes Amerikës dhe vendit më diktatorial dhe më antidemokratik në botë. Por kjo lojë dyfytyrëshe e SHBA dhe e vendeve europiane në luftën kundër terrorizmit do të ketë pasoja të rrezikshme për vetë sigurinë e shteteve perëndimore. As Arabia Saudite dhe as ndonjë shtet tjetër nuk mund të garantojë sigurinë duke depozituar armë perëndimore. Indiferenca dhe neglizhenca e Amerikës dhe e vendeve europianë ndaj politikave agresive dhe ekstremiste të Arabisë Saudite nuk do të jetë e përhershme./ PT

37