Islamofobia në Ballkan: nga nacionalizmi në epokën e pax-amerikanizmit

Në një intervistë me Ballkans Post, Dr. Olsi Jazexhi, një historian shqiptaro-kanadez, i specializuar në historinë e Islamit, nacionalizmit dhe reformimit të fesë në Evropën Juglindore, tha se urrejtja anti-muslimane në Ballkan shpesh nxitet nga administratat fondamentaliste amerikane.

“Lufta kundër Terrorit e George Bushit krijoi valën e parë masive të politikave anti-muslimane në Ballkan, ku komunitetet myslimane u vunë në shënjestër, u spiunuan dhe u përshkruan si kërcënim ndaj rendit të ri botëror të Amerikës,” tha ai.

Më poshtë është transkripti i plotë i intervistës:

Balkans Post: Dr. Jazexhi, kohët e fundit keni bërë një shkrim në gazetën Daily Sabah për urrejtjen anti-muslimane në Ballkan. A mund të hedhësh më shumë dritë mbi rrënjët e kësaj çështjeje?

Olsi Jazexhi: Urrejtja anti-muslimane në Ballkan vjen që nga koha e Perandorisë Osmane. Përparimi i osmanëve në Evropë dhe fitoret e tyre gjatë shekujve te 15 dhe 17-te kundër mbretërive të krishtera të Evropës kanë lënë një traumë të rëndë historike në identitetet historike të evropianëve. Kisha militante katolike dhe monarkitë e krishtera të Evropës, të frymëzuara nga fitoret e Rekonkuistës në Spanjë kundër arabëve, nxitën monarkitë e Evropës për të drejtuar kolonizimin drejt pjesës tjetër të planetit tonë me qëllim të përhapjes së krishterimit dhe çlirimit nga “Rreziku Mohamedan”. Muslimanët të cilët ishin teknologjikisht dhe kulturalisht superior ndaj evropianëve, shiheshin me zili nga evropianët. Osmanët, të cilët shpesh përshkruheshin si turq, mbetën pjesë e kontinentit evropian deri në shekullin e 20-të.

Nacionalizmi në Ballkan i cili u formua nga ndërhyrja e fuqive të krishtera të Evropës, u mësoi të krishterëve të Ballkanit se ata duhej të heqin qafe fqinjët e tyre muslimanë dhe turq dhe të hakmerren kundër turqve për pushtimin që kanë bërë në Evropën e krishterë. Muslimanët u portretizuan në këto kohë si barbarë, aziatikë, armiq të Krishtit dhe të qytetërimit.

Një nga sloganet e nacionalizmit grek për shembull kur grekët filluan luftën e tyre të pavarësisë ishte “Kalo Turkos Mono Nekros”, që do të thotë “turk i mirë është turku i vdekur”. Revolucioni grek u shoqërua me masakra kundër muslimanëve, hebrenjve dhe të krishterëve që mbrojtën dhe mbështetën turqit. Në kushtetutën greke të vitit 1822 shtetësia greke iu ofrua vetëm të krishterëve. Seksioni B, paragrafi B i Kushtetutës shkruante: “Të gjithë banorët vendës të Territorit Grek që besojnë në Krisht janë grekë…” Çifutët dhe muslimanët që nuk besonin Krishtin u shpallen armiq.

Shpirti i fondamentalizmit të krishterë dhe i urrejtjes ndaj muslimanëve dhe hebrenjve u përsërit edhe në Serbi, Mal të Zi, Bullgari dhe Rumani.

Lufta ruso-turke e vitit 1877, Lufta e Parë Ballkanike (1912 – 1913) dhe Lufta e Parë Botërore, ishin luftërat që më në fund mundën dhe larguan osmanët nga Evropa. Këto fitore të krishtera u përdorën nga shtet-kombet ballkanike të Bullgarisë, Greqisë dhe Mbretërisë së Serbisë për të dëbuar masivisht, vrarë, konvertuar dhe përdhunuar popullsinë e mbetur muslimane. Shtetet e reja ballkanike te formuara me mbështetjen e Rusisë, Austro-Hungarisë, Francës dhe Anglisë, u formuan si vende të krishtera ‘të pastra’ ku muslimanët dhe islamizmi nuk kishin vend. Muslimanët që mbijetuan dhe u dëbuan nga Austro-Hungaria, Kroacia, Mali i Zi, Serbia dhe Greqia përfunduan si muhaxhirë (refugjatë fetarë) në vilajetet shqip-folës të Perandorisë Osmane (që më vonë u bënë Shqipëri dhe Kosovë) dhe në Turqi.

Shtetet kombëtare që Evropa formoi në Ballkan në shekullin e 20-të i perceptonin dhe përshkruanin myslimanët si turq dhe armiq të Evropës dhe Jezu Krishtit. Historgrafitë e shteteve që nga Austria e deri në Shqipërinë me shumicë muslimane – e përshkruajnë Islamin si fe të huaj dhe turqit dhe muslimanët si barbarë, aziatikë dhe armiqtë e qytetërimit. Për këtë arsye muslimanët shqiptarë të Greqisë (Çamërisë), Kosovës, Maqedonisë dhe boshnjakët janë dëbuar dhe përndjekur gjatë gjithë shekullit të 20-të.

 

BP: Pse Islami përshkruhet si një fe e huaj në Shqipëri kur Shqipëria është një vend me shumicë muslimane?

Olsi Jazexhi: Mirë. Kjo lidhet me historinë e nacionalizmit shqiptar dhe krijimin e shtetit shqiptar. Shqipëria u krijua nga Fuqitë e Evropës për të shërbyer si një geto për muslimanët e mbetur të vilajeteve osmane të Evropës Juglindore. Shqipëria u krijua si një shtet bedel nga ana e britanikëve për të kënaqur italianët dhe austro-hungarezët të cilët nuk donin të shihnin serbët dhe grekët të pranishëm në Detin Adriatik.

Shqipëria u shpik si një protektorat italiano-austriak në 1913 në Konferencën e Ambasadorëve të Londrës. Austro-Hungaria dhe Italia u besuan si kujdestarët e saj dhe ‘inxhinierët socialë’ të identitetit modern shqiptar. Austro-hungarezët të cilët ishin të parët që sponsorizuan krijimin e një nacionalizmi shqiptar antiislamik, shkruan gjenealogjinë e parë dhe tekstin teleologjik të historisë shqiptare dhe ndërtuan shkollën e historianëve shqiptarë. Ata i mësuan shqiptarët, shumica e të cilëve ishin muslimanë dhe kishin emra si Osman, Abdullah, Mehmet, Muhamed, Mustafa dhe Ali se ata nuk ishin myslimanë dhe osmanë, por “ilirë të bardhë arianë” dhe “katolikë” të cilët u kthyen me forcë në Islam nga turqit. Ndryshe nga Turqia ku heronjtë e saj kombëtarë janë myslimanë, ose në Serbi, Greqi, Mal të Zi, Bullgari, ku heronjtë e tyre kombëtarë janë të krishterë, në Shqipëri, austriakët vendosën një rebel anti-musliman, Skënderbeun, si heroin kombëtar të këtij populli musliman. Ndryshe nga Malajzia, Pakistani, Irani, Iraku, Libia, Turqia, Maroku, Algjeria etj., në Shqipëri, shumica muslimane nuk u lejua nga fuqitë e krishtera të Evropës që të kishte simbole muslimane në flamurin e saj dhe në institucionet e tjera shtetërore. Esad Pashë Toptani, Mbreti Ahmed Zog, Enver Hoxha apo edhe shumë pashallarë shqiptarë të Perandorisë Osmane nuk janë lejuar që të jenë simbole identitare të nacionalizmit shqiptar. Nëse lexoni libra shkollorë shqiptar do të gjeni se heronjtë e mëdhenj të nacionalizmit shqiptar – nga Skënderbeu tek Nënë Tereza, nga Meshari i Gjon Buzukut deri te Pjetër Bogdani – janë të gjithë katolikë apo anti-osmanë, edhe pse katolikët përbëjnë 7% të shqiptarëve.

Në shkollat ​​e Shqipërisë dhe të Kosovës, shqiptarët mësohen se Islami u është imponuar atyre nga turqit dhe identiteti i tyre origjinal është katolik. Figurat publike në Shqipëri dhe Kosovë, sikur Ismail Kadare, u kanë bërë thirrje shqiptarëve të heqin dorë nga Islami dhe të përqafojnë Katolicizmin, pasi sipas tyre Katolicizëm do të thotë Evropë, ndërsa Islam do të thotë otomanizëm dhe barbarizëm. President i Shqipërisë Ilir Meta apo Atifete Jahjaga dhe Ramush Haradinaj i Kosovës të cilët kanë emra dhe mbiemra turq, kanë deklaruar në fjalimet dhe deklaratat e tyre se heroi kombëtar i Shqipërisë – Skënderbeu luftoi Islamin dhe osmanët dhe mbrojti Krishterimin. Islamofobia është pjesë e identitetit kombëtar shtetëror në Shqipëri dhe Kosovë.

 

PB: Çfarë roli kanë luajtur vendet e tjera në krijimin e urrejtjes anti-muslimane në Ballkan?

Olsi Jazexhi: Siç e përmenda më lart, urrejtja anti-muslimane në Ballkan është nënprodukt i orientalizmit evropian, misionarizmit kristian, rikonkuestës anti-osmane dhe imperializmit.

Megjithatë, gjatë epokës së socializmit, urrejtja anti-muslimane nuk ishte e përhapur në pjesën më të madhe të Ballkanit siç është sot. Komunistët ishin ‘qafirë’ ose jo besimtarë të drejtë. Ata i sulmonin të gjitha fetë në mënyrë të barabartë duke i trajtuar ato si ideologji mesjetare dhe shërbëtore të imperializmit.

Në Jugosllavi, në sajë të pjesëmarrjes së Titos në Lëvizjen e Pa-Angazhuar (NAM), Bota Arabe dhe Muslimane u përshkruan si miqësore dhe njerëzore. Në Bllokun Sovjetik e njëjta gjë ishte e vërtetë. Në Shqipëri, në sajë të instalimit nga Stalini të Enver Hoxhës si kreu i vendit Islamofobia nuk u promovua siç është sot. Historianët socialistë shqiptarë i përshkruanin turqit si barbarë dhe pushtues në të njëjtën mënyrë siç fajësonin edhe Europën imperialiste, Vatikanin dhe amerikanët për krimet e tyre dhe kapitalizmin. Skënderbeu përshkruhej si një hero anti-imperialist dhe laik në Shqipërinë komuniste dhe jo si hero i rikonkuistës kundër Islamit siç përshkruhet në ditët e sotme.

Pas rënies së komunizmit ne kemi parë një rilindje të ekstremizmit fetar. Ne kemi parë se si Perëndimi ka demonizuar serbët ortodoksë dhe muslimanët gjatë viteve të fundit duke i përshkruar si zara të Rusisë ose Botës Islamike. Në Shqipëri dhe Kosovë ne kemi parë shfaqjen e politikanëve si Ibrahim Rugova, Ramush Haradinaj, Edi Rama, Arben Xhaferri, Hashim Thaçi, Atifete Jahjaga dhe shumë grupe ekstremiste që pretendojnë se shqiptarët duhet të kthehen në Katolicizëm ndërsa të krishterët ortodoksë fyhen si “grekë” ose “serbë” dhe myslimanët si “turq” ose “arabë” të cilët duhet të dëbohen në Arabinë Saudite ose në Turqi. Vatikani, Opus Dei, Urdhëri Militant i Maltës dhe shumë grupe ungjillore kanë qenë shumë aktive në Kosovë me rrjetin Ibrahim Rugovës, në Maqedoni me Arben Xhaferrin dhe në Shqipëri me shumë politikanë për të promovuar ide anti-muslimane të cilat me herët ishin promovuar nga Italia imperialiste dhe Austro-Hungaria.

Amerikanët me agjendën e tyre protestante-zioniste kanë qenë shumë të zellshëm në kthimin e urrejtjes anti-myslimane në politika shtetërore në Ballkan. Ndërsa mediat perëndimore përpiqen të fajësojnë nacionalizmin e bardhë për sulmet e fundit islamofobike në Perëndim, ne duhet të përmendim se nacionalizmi i bardhë nuk është ai që duhet fajësuar në Ballkan. Urrejtja anti-muslimane shpesh nxitet nga administratat fundamentaliste amerikane. Lufta kundër Terrorit e Xhorxh Bushit krijoi valën e parë masive të politikave anti-muslimane në Ballkan ku komunitetet myslimane u vunë në shënjestër, u spiunuan dhe u përshkruan si kërcënim ndaj rendit të ri botëror të Amerikës. Kishim burgje sekrete të CIA-s ku muslimanët u torturuan barbarisht dhe amerikanët e portretizonin islamizmin si një kërcënim për “qytetërimin” judeo-protestant.

‘Xhihadi’ i Obamës në Siri dhe pas disfatës amerikane në Siri nga ana e rusëve, që solli më pas luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm – që do të thotë ‘deradikalizimi’ i muslimanëve të cilët propaganda amerikane i trushpëlau të shkojnë në xhihadin anti-sirian, i kanë bërë komunitetet muslimane në Ballkan objektiv sulmesh. Politikat “deradikalizuese” disa-miliarda dollarëshe të administratës Obama, i trajtuan komunitetet muslimane si ekstremistë dhe terroristë potencial.

Në ditët e sotme politikat e Trumpit kundër Turqisë, Iranit dhe të gjithë botës muslimane dhe politikat e tija pro-izraelite po nxisin përsëri urrejtje kundër muslimanëve në një shkallë globale. Aktualisht, mediat shtetërore amerikane flasin për depërtimin dhe kërcënimet turke dhe ruse në Ballkan. Komunitetet muslimane hetohen për lidhjet e tyre me Turqinë, Iranin, Arabinë Saudite dhe besojeni ose jo, por edhe me Rusinë.

 

BP: Sipas Al Jazeeres, dhjetëra qytetarë boshnjakë kanë pohuar se Kroacia ka revokuar lejet e tyre të punës, i ka dëbuar dhe i ka cilesuar si kërcënim të sigurisë kombëtare pasi ata refuzuan të punojne si spiunë dhe të jepnin informacione mbi muslimanët në Bosnje. Cili është mendimi juaj për këtë?

Olsi Jazexhi: Eh. Kjo gjë po ndodh prej kohësh edhe në Kosovë dhe Shqipëri e në të gjithë Evropën. Në gusht të vitit 2014, kur amerikanët u tërhoqën nga xhihadi i tyre në Siri, ata i dhanë urdhër për qeverive të Ballkanit dhe Europës që të fillonin përndjekjen e muslimanëve që kishin qenë trushpëlarë nga propaganda perëndimore kundër Asadit për të mbështetur ‘xhihadin demokratik’ në Siri. Qeveritë e Ballkanit u urdhëruan të ndryshonin ligjet e tyre penale për të burgosur qytetarët e tyre muslimanë që shërbenin në luftërat e huaja (por jo ata që luftojnë në NATO apo në Ukrainë kundër Rusisë) apo madje edhe ata që vec shprehnin dëshirën për t’u bashkuar me një luftë të huaj. Në të gjithë Ballkanin, xhamitë u shndërruan në objektiva të mbikëqyrjes dhe të gjithë aktivistët myslimanë dhe imamët u spiunuan dhe disa madje u rekrutuan për të spiunuar besimtarët e tyre. Ajo që po ndodh në ditët e sotme në Kroaci ndodh në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni që nga viti 2014. Nëse ju shkoni në një xhami në Tiranë ose në Prishtinë sot, ju do të fotografoheni dhe hetoheni nga shërbimet lokale dhe perëndimore. Falë “luftës kundër terrorizmit” të Amerikës, Islami është shpallur jozyrtarisht një ideologji kriminale. Prandaj Kroacia po përdor boshnjakët si spiunë kundër vëllezërve muslimanë në Bosnje. Në ditët tona Aleanca e NATO-s nuk i trajton muslimanët në terma mesjetarë si heretikë anti të krishterë. NATO i percepton muslimanët si terroristë të mundshëm.

Muslimanët që kanë lidhje me vende islamike si Turqia, Pakistani, Irani, Arabia Saudite, Katari, Kuvajti etj., merren në pyetje dhe disa akuzohen sikur marrin para nga “terroristët” për të kryer aktivitetet e tyre sociale. Kur Papa vizitoi Shqipërinë në vitin 2014, rreth 300 besimtarë muslimanë u ndaluan në stacione policore në mënyrë që vizita e Papës të ishte sa më shpirtërore dhe e shenjtë. Në nëntor të vitit 2016, kur ekipi i Izraelit erdhi për të luajtur futboll në Shqipëri, qeveria e Edi Ramës ndaloi 150 besimtarë myslimanë në të gjithë Shqipërinë, mbikqyri kufijtë me Kosovën dhe Maqedoninë, dhe ktheu pas shqiptarët me mjekra që hynin në vend. Qeveria Rama akuzoi si terroristë anti-izraelitë katër muslimanë që deri tani kanë provuar që janë të pafajshëm.

Ndërsa Kroacia po deporton boshnjakët që nuk pranojnë të bëhen spiunë, në vende të tjera të rajonit, imamët mund të humbasin punën nëse nuk pranojnë të bashkëpunojnë me shërbimet sekrete. Ju nuk mund të jeni mufti në Shqipëri ose Kosovë nëse nuk pranoni të “rrëfeni mëkatet” e besimtarëve tuaj me policinë e anti-terrorit.

Pak javë më parë në Shqipëri kishim drejtorin e një fondacioni iranian në Tiranë që u dëbua si  kërcënim për sigurinë kombëtare nga autoritetet shqiptare. Në Kosovë kemi shumë OJQ që janë mbyllur për shkak se kanë marrë fonde për aktivitetet e tyre sociale nga vendet arabe, Turqia apo Irani.

Ndërsa në fillim të shekullit të 20-të dhe gjatë periudhës osmane, muslimanët përshkruheshin si turq, Muhamedanë dhe tradhtarë të Jezu Krishtit, sot ata diskriminohen për shkak të simpative të tyre të mundshme ndaj qeverive në Lindjen e Mesme dhe përshkruhen si terroristë potencial edhe kur ata janë aktivistë të shoqërisë civile.

 

BP: Islamofobia në Ballkan mori vëmendje nga mediat pas sulmit terrorist të Christchurch kundër myslimanëve, kur revista Foreign Affairs botoi një shkrim të titulluar “Ballkani është kryeqyteti botëror i islamofobisë”. Si kryhet ky proces i radikalizimit në Ballkan?

Olsi Jazexhi: Procesi i radikalizimit në Ballkan është historik dhe modern. Në të kaluarën nacionalizmi i krishterë evropian radikalizoi nacionalistët e Ballkanit duke i bërë të besojnë se muslimanët ishin një kërcënim për kombet e tyre të krishtera ‘të pastra’ dhe ‘të bardha’ që ata ëndërronin. Nacionalizmi, i cili manipuloi emrin e Jezu Krishtit, masakroi muslimanët të cilët perceptoheshin si besimtarë të anti-Krishtit sipas hagiografisë kishtare. Skënderbeu, Millos Obiliqi, Car Lazar, Papa Urban II etj., u shndërruan në heronjtë e rikonkuistës. Brenton Tarranti, i cili masakroi muslimanët në Zelandën e Re ishte besimtar në shkollën e vjetër të islamofobisë. Në armë ai kishte shkruar emra të heronjve të krishterë mesjetarë dhe nuk kishte përmendur Donald Trumpin, Xhorxh Bushin, Benjamin Netanjahun, Tony Blairin, Victor Orbanin, John Boltonin ose Mike Pompeon.

Sot, radikalizimi është mjaft i lidhur me projektet amerikane dhe izraelite për luftërat imperialiste në Lindjen e Mesme. Lufta e Xhorxh Bushit kundër Irakut dhe Donald Trumpit dhe e Benjamin Netanjahut për të bërë Izraelin e Madh ka krijuar shumë histeri në qarqet e NATO-iste me komunitetet muslimane në Evropë. Nëse në të kaluarën, histeria evropiane i përshkronte “muhamedianët” si turq, sot ata përshkruhen si ‘terroristë’, ‘armiq të demokracisë’, ‘refugjatë nga vendet e vrimës së mutit’, ‘mosbesimtarë të Izraelit’ dhe ‘përkrahës të Palestinës’. Në të kaluarën ishte nacionalizmi. Sot është mesianizmi amerikano-izraelit, i cili përmes luftërave të tija idiote në Lindjen e Mesme po viktimizon komunitetet muslimane në shkallë globale. Nëse në të kaluarën nacionalistët ballkanikë shkaterronin xhamite duke i kthyer ato në kisha dhe duke bërë vrasje masive e duke përdhunuar muslimanët, sot ‘Vëllai i Madh’ bombardon qytete të tëra në Lindjen e Mesme. Xhamitë janw kthyer në qendra përgjimi kunder muslimanëve që jetojnë në Evropë dhe Amerikë. Myslimanët përshkruhen si ‘kërcënime sigurie’, ‘ekstremistë të dhunshëm’ dhe ‘terroristë të mundshëm’ që synojnë të shkatërrojnë botën e mrekullueshme të Pax Amerikës ku ne jetojmë sot. Kjo propagandë islamofobike po radikalizon shumë perëndimorë lunatikë si Brenton Tarrant që duan të luajnë Don Kishotin me muslimanët e lagjes së tyre.

Osli Jazexhi është një historian shqiptaro-kanadez i specializuar në historinë e islamit, nacionalizmit dhe reformimit të fesë në Evropën Juglindore. Interesi i tij mbulon nacionalizmin, radikalizmin, identitetet fetare dhe etnike në Ballkan./balkanspost.com/GazetaImpakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne