Islamofobia praktikisht është e mishëruar si një politikë publike në Australi

nga Jason Wilson.

Sulmi më i keq terrorist në historinë moderne të Zelandës së Re u zhvillua të premten dhe autori i dyshuar ishte një australian. Si rezultat, kjo fatkeqësi ka hapur një proces të thellë reflektimi në vendin e tij të origjinës. Kudo, australianët e mirë pyesin, si arritëm këtu? A na përket ai ne?

Ka pasur diskutime të gjera ndërkombëtare rreth rolit të kulturës online të së djathtës ekstreme lidhur me këto ngjarje, ku kodet, emetimet dhe sinjalet e epërsisë së bardhë përcohen nëpërmjet internetit.

Ka pasur pak reflektime për faktin se çdo 28-vjeçar në Australi është rritur në një periudhë kur racizmi, ksenofobia dhe armiqësia kundër myslimanëve në veçanti, u futën shpejt në kulturën publike të vendit.

Në periudhën e pjesëmarrjes entuziaste të vendit në Luftën kundër Terrorit, Islami dhe Muslimanët shpesh janë trajtuar si armiq publikë dhe gjuha e urrejtjes ndaj tyre është trajtuar si normale dhe nuk është shmangur.

Racizmi australian natyrisht që nuk filloi në vitin 2001. Vendi ishte pozicionuar me idenë e mbrojtjes së kufijve qoftë edhe me luftë gjenocidiale, dhe e nisi ekzistencën e tij të pavarur duke përjashtuar nga jeta publike emigrantët jo të bardhë. Nacionalizmi i bardhë ishte praktikisht doktrina fondamentale e Australisë.

Por një sërë ngjarjesh që ndodhën në vitin e parë të mijëvjeçarit çuan në islamofobinë e cila praktikisht u mishërua si një politikë publike.

Së pari, e ashtuquajtura Çështja Tampa vërejti një qeveri konservatore që refuzonte të pranonte refugjatët që shpëtoheshin në det. Ishte një ofertë e zhveshur për të fituar zgjedhjet duke ngritur ksenofobinë dhe panikun kufitar. Funksionoi.

Gjatë viteve, pavarësisht brutalitetit të dukshëm dhe përkundër kritikave të përsëritura nga organet ndërkombëtare, burgosja e refugjatëve nga vendet e treta është bërë një politikë e të dy krahëve të politikës. (Partia Laburiste e qendrës së majtë flijoi parimin për të neutralizuar një çështje që ata mendonin se u kushtonte atyre zgjedhjet.)

Shumica e refugjatëve të burgosur në këtë mënyrë kanë qenë muslimanë. Shumë shpesh është sugjeruar nga politikanët se mbajtja e tyre ne burg është një çështje sigurie, se disa prej tyre mund të jenë terroristë.

Së dyti, sulmet e 11 shtatorit e tërhoqën Australinë në Luftën kundër Terrorit në mbështetje të aleatit më të ngushtë të saj dhe sponsorit gjeopolitik, SHBA-së.

Trupat australiane kanë kaluar periudha të gjata në Afganistan dhe Irak, duke luftuar dhe vrarë muslimanët në vendet e tyre. Pasojat e kësaj lufte të pafundme kanë përfshirë shënjestrimin e australianëve në sulmet dhe komplotet terroriste të xhihadit, si brenda vendit ashtu dhe jashtë tij.

Luftërat filluan me një propagandë të ashpër. Më vonë, kërcënimi terrorist u përdor për të përmirësuar masivisht strukturat mbikëqyrëse të sigurisë kombëtare të Australisë. Australianët muslimanë shpesh janë përcaktuar nga vetë qeveria e tyre si një burim rreziku.

Dy vjet pas fillimit të luftës në Irak, fushata e islamofobisë arriti kulmin me trazirat serioze raciste në vend, ku në plazhin Cronulla në dhjetor 2005, të rinj të bardhë e kaluan një pasdite verore duke rrahur dhe hedhur shishe mbi këdo person me ngjyrë kafe që mund të gjenin.

Cronulla ishte një moment historik në zhvillimin e një nacionalizmi publik më të hapur dhe më të shëmtuar për Australinë. Tani të rinjtë mbajnë flamuj si kapele në Ditën e Australisë, një datë që shihet si një fyerje nga shumë prej banorëve indigjenë. Dita Anzac, e cila përkujton pushtimin e dështuar ndaj Turqisë, ishte dikur një rast shumë më kontradiktor. Vitet e fundit ajo po i ngjan më shumë një feste që ekspozon forcën ushtarake dhe imperializmin.

Çdo hap i këtij procesi nuk është penguar nga ndërmarrjet në pronësi të News Corp, e cila dominon tregun mediatik australian në atë mënyrë sa që qytetarët e demokracive të tjera anglofone e kanë të vështirë për ta kuptuar.

News Corp ka gazetat më të shitura në shumicën e tregjeve të medias metropolitane, ka monopole në shumë tregje rajonale dhe është kryesorja që lexohet më shumë dhe e vetmja që ka kanal kabllor. Ndikimi i saj në axhendën kombëtare të lajmeve mbetet vendimtar. Dhe shpesh, këtë ndikim e ka përdorur për të demonizuar muslimanët.

Në Diten Anzac 2017, një grua e re australiane muslimane, Yassmin Abdel-Magied, postoi në faqen e saj personale në Facebook, “LE. TE MOS. HARROJME”. (Manus-in, Nauru-n, Sirinë, Palestinën …)”, e cila duket se nxorri një barasvlerë midis vuajtjeve të muslimanëve në mbarë botën sot dhe atë të ‘gërmuesve’ australianë gjatë Luftës së Parë Botërore.

Gazetat e korporatës News Corp, veçanërisht ato australiane, gulconin me muaj për mosrespektin që tregoi ajo. Politikanët oportunistë konservatorë u vunë në rresht për ta dënuar. Nga fundi i vitit, ajo u zhvendos në Londër dhe në një shfaqje televizive e krahasoi Australinë me një “të dashur abuziv”.

Nga ana tjetër, News Corp ka qenë shumë më e kujdesshme me vëzhgimet ndaj lëvizjeve të ekstremit të djathte. Ajo ka kryer intervista dhe publicitet të lirë për Milo Yianopoulosin, Lauren Southernin dhe Stefan Molyneuxin, nëpër turnetë e tyre kombëtare. Ajo gjithashtu ishte gati që ti ofronte hapesire mediatike edhe Gavin McInnesit, por planet e tij u ndërprenë kur atij ju refuzua viza për arsye të karakterit të tij.

Në mënyrë më të konsiderueshme, News Corp ka organizuar së fundmi fushata të bazuara në pikëpamjet e nacionalizmit të bardhë.

Një vit më parë, Daily Telegraph e Sydney-it raportoi për gjendjen e vështirë të fermerëve të bardhë në Afrikën e Jugut në një mënyrë që i bëri jehonë miteve të ekstremit të djathtë për “gjenocidin e bardhë”. Kjo funksionoi mjaft mirë saqë ministri i imigracionit nxorri një propozim emigrimi afatshkurtër për t’i dhënë vëmendje të veçantë fermerëve të bardhë.

News Corp kishte gjithashtu një dorë të madhe në promovimin e idesë, se gjatë disa viteve të fundit “bandat afrikane” kontrollonin qytetin e Melburnit kundrejt pagesave. Kjo fushatë ishte gjithashtu një përkrahje ndaj retorikës neonaziste, sikurse ajo e Blair Cottrellit.

Ndërsa gushtin e kaluar, analisti më i fuqishëm i News Corp, Andrew Bolt, bëri një shkrim që në mënyrë eksplicite ngrinte mundësinë për një zëvendësim demografik, një obsesion i përsëritur i nacionalistëve të bardhë.

Bolt shkruan se në një të ardhme të afërt, “valë baticash emigrimi kanë për ta fshirë identitetin tonë kombëtar”. Për Boltin, për të cilin është zbuluar se më parë ka shkelur Aktin e Diskriminimit Racial të Australisë, vendi gjendet nën një sulm demografik.

Kjo normalizim i koncepteve të bardha nacionaliste është gjithashtu i dukshëm në politikë. Senatori Fraser Anning u bë këtë javë i famshëm në mediat sociale pasi për masakrën në Christchurch fajësoi viktimat, dhe e ripërsëriti qëndrimin e tij kur një protestues i ri qëlloi me vezë kokën tullace të Anningut.

Anning nuk është vetëm, nacionalizmi i bardhë shfaqet vazhdimisht në zemër të procesit politik të Australisë. Në vitin 2016, senati australian kreu një hetim për ushqimin hallal, në të cilin senatorët parashtruan pyetje të cilat dukeshin se kishin lidhje me teorinë konspirative të së djathtës mbi financimin e terrorizmit.

Vetë Anning u zgjodh si rezultat i ringjalljes së partisë populiste anti-emigrante One Nation, anëtarët e zgjedhur të së cilës kanë përfshirë brenda saj edhe persona të dyshuar. Vitin e kaluar, Senati Australian pothuajse miratoi një mocion që thoshte se “është mirë të jesh i bardhë”.

Pikërisht javën e kaluar, ish lideri laborist Mark Latham, i cili konkurron tani për zyrën e shtetit me anë të partisë One Nation, sugjeroi që individët e vetë deklaruar indigjenë të testohen nga ADN-ja para se të marrin ndihmën sociale.

Dhe më në fund deri të premten, u duk sikur një qeveri e dëshpëruar konservatore kombëtare do të mund të mbante zgjedhje të bazuara në racë, të njëjtën levizje që ka përdorur partia për dekada të tëra. (Në vitin 2011, kryeministri aktual Scott Morrison thuhet se rekomandoi për kolegët e tij të partisë Liberale një strategji anti-muslimane për zgjedhjet). Komisioneri i mëparshëm për diskriminimin racor Tim Soutphommasane tha se qeveria po zhvillonte një fushatë zgjdhore në frikë, duke kërkuar të nxiste histerinë mbi azilkërkuesit dhe sigurinë kufitare”.

Australia ka tani në politikë dhe në media nacionalistë të bardhë të hapur, prej të cilëve një pjesë kryejnë aktivite mediatike antisemite dhe të tjerë që janë infiltruar nëpër partitë kryesore. Ata duhet të kuptohen në kontekstin e tyre të vërtetë pasi ksenofobia dhe urrejtja ndaj muslimanëve ka kohë që buron nga disa prej institucioneve më të fuqishme në vend.

Ky është mjedisi në të cilin muslimanët, refugjatët dhe emigrantët janë kuptuar si armiq të Australisë. Ai mund të jetë një mjedis që ka ushqyer terrorin e supremacizmit të bardhë./theguardian/Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne