Islandë – Peticion për bojkotimin e organizimit të Eurovizionit në Izrael

Një peticion për bojkotimin e edicionit të 64-t të Festivalit Evropian të Këngës, “Eurovision”, që do të mbahet në Izrael vitin e ardhshëm, ka nisur në Islandë për shkak të shkeljeve të së drejtave të njeriut në dëm të palestinezëve.

Sipas një lajmi të televizionit shtetëror suedez, “STV”, në këtë peticion kundër Izraelit, vend që do të organizojë Eurovizionin 2019 si fitues i edicionit të vitit 2018, janë mbledhur mbi 18.000 nënshkrime vetëm gjatë orëve të para në Islandë.

Artisti i famshëm, Pall Oskar, i njohur gjerësisht si “njeriu që dashuroi islandezët me Eurovizionin”, jo vetëm që e ka firmosur këtë peticion, por njëherësh e ka mbështetur atë përmes medias sociale.

“Janë mbi 18.000 nënshkrime deri tani dhe këto përbëjnë 4,8% të popullsisë së Islandës. Këto nënshkrime mund të ndikojnë vendimet, që televizioni do të marrë në të ardhmen në lidhje me Eurovizionin”, thuhet në një komunikatë me shkrim të televizionit shtetëror islandez, “RUV”, institucion që ka të drejtën e transmetimit të Festivalit Evropian të Këngës.

Ndërsa një lajm i së përditshmes prestigjioze suedeze, “Aftonbladet”, thekson se peticioni i filluar nga islandezët për të bojkotuar edicionin e 64-t të Eurovizionit, i cili do të organizohet në Izrael, mund të përhapet me shpejtësi edhe në vende të tjera. Gazeta komenton se ekziston mundësia që organizimi i Festivalit Evropian të Këngës në vitin 2019 t’i jepet një shteti tjetër në vend të Izraelit, përndryshe shumë vende mund të mos marrin pjesë në Eurovizion./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne