Futbollisti brazilian, Robinho, ish-sulmues i AC Milan, Manchester City dhe Real Madrid, është dënuar të enjten në Itali me 9 vite heqje lirie për përdhunim në grup.

Siç bën të ditur agjencia italiane e lajmeve “ANSA”, faktet kanë treguar veprimet e tij në janar të vitit 2013, kur Robinho luante në Milano. Një gjykatë e qytetit lombard e ka shpallur atë fajtor për ushtrim dhune në grup ndaj një femre 22-vjeçare me kombësi shqiptare.

Për të njëjtin krim akuzohen gjithashtu 5 persona të tjerë.

Mediat italiane theksojnë se Robinho dhe 5 miq të tij kanë ushtruar dhunë për marrëdhënie seksuale ndaj të resë shqiptare.

Karriera e tij si futbollist nisi tek Santos, ku shkëlqeu që 17 vjeç dhe më pas u transferua për shifra të larta në klubet më të mëdha evropiane.

Real Madridi derdhi në llogari të Santos plot 24 milionë euro. Më pas ishte Manchester City që bleu nga spanjollët shërbimet e brazilianit për 43 milionë euro. Nga klubi britanik, Robinho kaloi tek italianët e AC Milan për 18 milionë euro. Pas fundit të kontratës me kuqezinjtë në sezonin 2014-2015, sulmuesi brazilian luajti 6 muaj në kampionatin kinez për Guangzhou Evergrande, ndërsa në shkurt të 2016-s u kthye në vendlindje.

Robinho, 33 vjeç, luan tashmë në Brazil me Atletico Mineiro. Ai numëron 100 paraqitje me kombëtaren e futbollit të Brazilit./ trt

36