Italia falimenton Call Centerat shqiptarë/ Firmoset marrëveshja e re: 95% e punës bëhet në Itali

Kryeministri Italian Paolo Gentiloni nënshkroi me 13 kompanitë më të mëdha Call Center një marrëveshje, e cila praktikisht i jep goditjen përfundimtare kësaj industrie në Shqipëri. Bëhet fjalë për një akt, në të cilin kompanitë më të mëdha italiane në fushën e shërbimeve të marketingut kanë rënë dakord që brenda 6 muajsh të kryejnë 95 për qind të aktivitetit në Itali dhe jo në vendet e tjera.

Marrëveshja përfshin lojtarët më të mëdhenj të kësaj industrie në Itali, si Eni, Enel, Sky, Mediaset, Tim, Vodafone, Wind Tre, Fastweb, Intesa SanPaolo, Unicredit, Poste Italiane, Ntv, Trenitalia. Të gjitha këto kompani brenda 6 muajsh nuk do të zhvendosin më aktivitet në vendet e tjera për shërbimet direkte dhe madje edhe 80 për qind të shërbimeve outsourcing do ta kryejnë në Itali.

“Kemi arritur të miratojmë një akt, i cili përbën një mbrojtje të fortë sociale në një sektor mjaft delikat”- u shpreh kreu i qeverisë italiane pas nënshkrimit të marrëveshje.

Sipas, të dhënave zyrtare, 13 kompanitë që kanë nënshkruar paktin zënë rreth 65 për qind të gjithë xhiros së kësaj industrie në Itali. Ato janë nga lojtarët më të mëdhenj në rang ndërkombëtar dhe madje klientët kryesorë të shëbrimeve Call Center në Shqipëri.

Nënshkrimi i marrëveshjes nënkupton se tashmë do të jetë praktikisht e pamundur që kompani të reja Call Center të zhvendosen në Shqipëri. Jo vetëm kaq, por edhe ato ekzistuese do të detyrohen të mbyllen pasi nuk do të marrin më kontrata shërbimi nga kompanitë e mëdha.

Gazeta prestigjoze “Il Sole 24 ore” raporton se nga marrëveshja do të përfitojnë më shumë se 80 mijë punonjës të industrisë së Call Centerit në Itali, vendet e punës të së cilëve ishin të rrezikuar nga zhvendosja e aktivitetit jashtë, kryesisht në Shqipëri.

Faliment për Shqipërinë

Por nëse për Italinë ky është një lajm i mirë, për Shqipërinë nënshkrimi i kësaj marrëveshje është praktikisht akti që falimenton tërësisht industrinë e Call Centerave. Ky sector në Shqipëri punëson rreth 30 mijë të rinj, duke qenë një nga punëdhënësit kryesor në ekonominë e vendit.

Por prej disa muajsh të gjitha këto vende pune janë vënë në rrezik.  Në fakt, Italia e ka nisur luftën për të rikthyer në shtëpi kompanitë call center që kanë investuar në vendet e tjera që para disa muajsh, kur miratoi një ligj të posaçëm për këtë çështje.  Këto masa i kanë dhënë efektet e para në Shqipëri, duke pezulluar aktivitetin e rreth 30 kompanive.

“Mbi 2 apo 3 mijë vende pune kanë qenë nga call center-a që kanë qëndruar mbi 5 vjet në Shqipëri, të cilat kanë patur një kontratë ekskluzive me një multinacionale italiane, që për shkak të ligjit ka frikë se penalizohet dhe ka pezulluar dhënien e shërbimit për t’u ofruar nga kompani që janë të regjistruara në Shqipëri”, u shpreh pak javë më parë Genti Drenova, nga Shoqata e Call Center-ave.

Por me nënshkrimin e marrëveshjes së re kriza e Call Centerave në Shqipëri pritet të thellohet edhe më shumë, ndërkohë që qeveria shqiptare vazhdon të qëndrojë pasive.  /SYRI.net/

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne