nga Romana Rubeo dhe Ramzy Baroud.

Në parlamentin italian është propozuar një ligj i cili qëllimin e ka të ndëshkojë bojkotin ndaj Izraelit. Në të kaluarën, një iniciativë e tillë do të ishte e paimagjinueshme. Për fat të keq Italia, një vend që ka pasur simpati historike për kauzën palestineze, e ka zhvendosur politikën e saj në një mënyrë dramatike vitet e fundit. Më e habitshme eshte se e majta italiane po duket si e djathta në këtë nxitim për të kënaqur Izraelin, në kurriz të të drejtave palestineze.

Realiteti trishtues është se Italia po lëviz në drejtim të kampit izraelit. Kjo nuk lidhet vetëm me çështjen politike, por edhe me rikonfigurimin e te folurit. Përparësitë izraelite, siç janë artikuluar nga hasbara sioniste (propaganda zyrtare), tashmë janë bërë pjesë e leksikut të përditshëm të medias italiane dhe të politikës. Si rezultat, agjenda zioniste tani është pjesë përbërëse e agjendës politike italiane. Antifashismi dhe e kaluara revolucionare po anashkalohet nga politikanët egoistë, që kanë rënë pre në mënyrë të vazhdueshme ndaj presioneve të një lobi pro-izraelit në rritje.
Rishkrim i historisë
Gjatë të ashtuquajturës “Republika e Parë” (1948-1992), Italia konsiderohej shteti i Evropës Perëndimore më simpatizues ndaj luftës palestineze, jo vetëm për shkak të një ndjenje të gjerë solidariteti midis italianëve, por edhe për shkak të mjedisit politik.

Atëherë udhëheqësit italianë ishin plotësisht të vetëdijshëm për pozicionin unik të vendit të tyre në zonën e Mesdheut. Ndërsa ishin të prirur për të treguar besnikëri ndaj Aleancës Atlantike, ata gjithashtu vendosën marrëdhënie të mira me botën arabe. Mbajtja e këtij ekuilibri nuk ishte gjithmonë e lehtë dhe kishte çuar në atë që tani po perceptohet si “zgjedhja radikale”, e cila tani po mohohet dhe kritikohet.

Trendi pro-izraelit ka qenë në lëvizje prej vitesh me rradhë. Në një intervistë të famshme për gazetën izraelite Yediot Aharonot në vitin 2008, ish-presidenti italian Francesco Cossiga deklaroi: “Të nderuar hebrenj italiane, ne ju kemi shitur”.

Cossiga po i referohej të ashtuquajturës “Lodo Moro”, një marrëveshje jozyrtare, e cila thuhet se u nënshkrua në vitet 70 nga kryeministri italian Aldo Moro dhe udhëheqësit e Frontit Popullor për Çlirimin e Palestinës (PLFP). Nga marrëveshja me sa duket u kuptua lejimi i grupit palestinez që të bashkërendonte veprimet e tij në të gjithë territorin italian, në këmbim të PLFP-së duke e mbajtur Italinë jashtë fushës së saj të veprimit.

“Lodo Moro” shpesh përdoret nga hasbara izraelite për të nxjerrë në pah dështimet e supozuara të Italisë në të kaluarën dhe për të vazhduar shoqërimin e palestinezëve me terrorizmin.

Në intervistë, Cossiga shkoi edhe më tej, duke fajësuar grupin palestinez për masakrën e Bolonjës, një sulm terrorist që shkatërroi stacionin hekurudhor të Bolonjës në vitin 1980, duke vrarë 85 vetë. Fjalët e Cossigës mund ti kenë pëlqyer Izraelit, por ato ishin të pabaza. Sulmi i atëhershëm ishte puna e një organizate italiane neo-fashiste.

Për fat të keq, pohimet absurde nuk u mbajtën të vecuara. Shembulli është përfaqësues i ndryshimit të përgjithshëm të qëndrimit ndaj Palestinës dhe Izraelit, qëndrim i cili kryesisht presupozohet në rishkrimin e historisë.

Dje dhe sot

Në vitin 1974, qeveria italiane mbështeti udhëheqësin palestinez Jasser Arafatit në pjesëmarrjen e tij në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara; në vitin 1980, ajo u angazhua për Deklaratën EEC të Venecjes, e cila njohu të drejtën e vetëvendosjes palestineze dhe, me gjasë u kundërshtua fort nga Izraeli dhe SHBA.

Gjatë gjithë viteve 80, qëndrimi i qeverisë italiane ishte haptazi pro-palestinez, gjë që shpesh çoi në përplasjet e politikës së jashtme me Izraelin dhe me bamirësin e saj Amerikanën, sidomos gjatë të ashtuquajturës Krizat e Sigonellës në vitin 1985.

Gjatë një fjalimi në parlamentin italian, kryeministri socialist Bettino Craxi shkoi aq larg sa të mbrojë të drejtën palestineze edhe në luftë të armatosur.

Në vitin 1982, Presidenti italian Sandro Pertini foli gjerësisht për tmerrin e masakrës Sabra dhe Shatilla gjatë fjalimit të tij tradicional të fundvitit ku i adresohej popullit.

Ndërsa forcat politike të qendrës së majtë mbështesnin Palestinën për të mbajtur marrëdhënie të mira me vendet arabe, partitë e krahut të majtë u motivuan kryesisht në luftën anti-imperialiste, e cila u reflektua brenda qarqeve intelektuale italiane.

Por gjërat kanë ndryshuar sot, pasi Italia po jeton në epokën e saj post-ideologjike, ku morali dhe idetë janë fleksibële dhe mund të riformulohen sipas nevojës për t’u bashkuar me interesat politike.

Sot, partitë e krahut të majtë nuk e ndjejnë më nevojën për të qëndruar në krah të popujve të shtypur. Ato janë shumë të vëmendëshme ndaj diktateve të globalizimit dhe janë të shtyrë nga agjendat egoiste, të cilat i sjellin ato më pranë SHBA-së dhe Izraelit.

Ndërkaq politika neoliberale ka shkatërruar shumë Evropen ngjatë viteve të fundit, Italia është provuar se nuk bën përjashtim.

Në tetor 2016, Italia abstenoi nga votimi mbi rezolutën e UNESCO-s që dënonte okupimin izraelit të Jerusalemit Lindor Palestinez.

Madje edhe kjo lëvizje me gjysmë zemre e zemëroi Izraelin, duke nxitur ambasadorin izraelit në Itali që të protestonte.Kryeministri italian nxitoi shpejt për të qetësuar Izraelin.

Matteo Renzi foli ashpër ndaj propozimit të UNESCO-s. “Nuk është e mundur të vazhdohet më me këto rezoluta në OKB dhe UNESCO që synojnë të godasin Izraelin”, tha ai.

Një vit më parë, Renzi zyrtarisht riafirmoi angazhimin e Italisë ndaj Izraelit në Knessetin izraelit, duke deklaruar: “Mbështetësit e bojkoteve të “cmendura” tradhëtojnë të ardhmen e tyre “.

Gjatë një fjalimi, Presidenti aktual i Italisë, Serxhio Mattarella iu adresua “kërcënimit të terrorizmit ndërkombëtar” duke përmendur sulmin para Sinagogës së Madhe të Romës, në vitin 1982. Fjalët e tij “prekën thellësisht hebrenjtë italianë”, sipas gazetës të djathtë izraelite, Jerusalem Post.

Rritja e ndikimit sionist

Grupet sioniste vazhdimisht përpiqen të ndikojnë tek opinioni publik italian. Strategjia e tyre bazohet në dy shtylla: injektimi i ndjenjës së viktimizimit të Izraelit (sikur Izraeli i dobët lufton për mbijetesë në mes të detit arab dhe mysliman) dhe duke injektuar akuzat e antisemitizmit ndaj atyre që duan të sfidojnë realitetin e izraelit.

Instrumentet e hasbaras po funksionjnë, pasi politika italiane madje edhe kultura italiane (përmes mediave) po identifikohet gjithnjë e më shumë me Izraelin. Më keq akoma është se ndjenja pro-izraelite është pranuar plotësisht edhe në mesin e partive politike të krahut të majtë.

Sipas Ugo Giannangelit, avokatit të shquar i cili i kushtoi shumë vite mbrojtjes së të drejtave të palestinezëve, Parlamenti italian po punon për disa ligje, me qëllimin e vetëm për të fituar pëlqimin Izraelit.

Një nga këto iniciativa është projektligji 2043 (Akti kundër diskriminimit, i cili duhet të quhet akt anti-BDS.) Nënshkruesit e krahasojnë bojkotin e Izraelit me “antisemitizmin e maskuar.” Nëse ai aprovohet, legjislacioni do të ofrojë ndëshkim shembullor për aktivistët e BDS.

Ndër nënshkruesit është Emma Fattorini, anëtare e Partisë Demokratike Italiane dhe gjithashtu anëtare e “Komitetit për Mbrojtjen dhe Promovimin e të Drejtave të Njeriut”. Të drejtat palestineze, natyrisht, nuk përbëjnë asnjë shqetësim për Fattorinin për momentin pasi ato nuk duken kerkund në axhendën e saj ‘të të drejtave të njeriut’.

Një tjetër nënshkruese është Paolo Corsini, i cila braktisi Partinë Demokratike dhe u zhvendos në partinë e majtë MDP – Articolo 1. Corsini ishte gjithashtu raportuese e “Marrëveshjes midis Italisë dhe Izraelit për sigurinë publike”, tashmë e ratifikuar nga Parlamenti italian. Marrëveshja forcon marrëdhënien midis dy vendeve në një mënyrë më efektive, në këmbim të shkëmbimit të informacionit nga Izraeli për rendin publik dhe mënyrës se si të kontrollojnë protestat masive.

Vetëm disa zëra po ngrihen kundër nënshtrimit politik dhe kulturor të Italisë tek Izraeli. Politikani italian Massimo D’Alema, një ish ministër i jashtëm, kritikoi ndryshimin e politikave italiane. Në një intervistë për Huffington Post, ai kritikoi Italinë dhe Evropën mbi gatishmërinë e tyre për të kënaqur udhëheqësit izraelitë. Ai i bëri thirrje të majtës për të rimarrë rolin e saj historik në mbështetje të popullit palestinez.

Këtu kemi një mësim për aktivistët dhe politikanët progresivë që mund të marrin nga eksperienca italiane: solidariteti me Palestinën fillon që në vend, duke kundërshtuar fuqimisht çdo përpjekje që ka për qëllim kriminalizimin e BDS-së, ndërkohë të kundërshtohet fort hasbara izraelite që po penetron çdo ditë e më tepër në cdo shoqëri.

Romana Rubeo është përkthyese e pavarur me bazë në Itali. Ka një diplomë master për gjuhë dhe letërsi të huaj dhe është e specializuar në përkthimin e audiovizualit dhe gazetarisë. Eshtë lexuese e apasionuar, interesi i saj përfshin muzikën, politikën dhe gjeopolitikën.
Ramzy Baroud është gazetar, autor dhe redaktor i Palestine Chronicle. Libri i tij i ardhshëm është The Last Earth: A Palestinian Story’ (Pluto Press, London). Baroud ka një Ph.D. në Studimet e Palestinës nga Universiteti Exeter dhe është një Studiues jo-rezident në Qendrën Orfalea për Studime Globale dhe Ndërkombëtare, Universiteti i Kalifornisë Santa Barbara./ gazeta Impakt

burimi:counterpounch

51